Home KRYESORE Heronjtë e mi… Nga Leonora Laçi

Heronjtë e mi… Nga Leonora Laçi

Disa të kërrusur e të lodhur nga jeta, të zbardhur flokësh por jo nga mendja, pasi bardhësia e flokëve i bënë dhe më të mençur, vitet mbi supe i rëndojnë, e qeskat poshtë syve po ashtu, ecin, ecin në heshtje, thjeshtësisht.

Disa ende aktiv në profesion, pasioni besoj se vazhdon si dje, në një kohë tjetër tashmë, më me eksperiencë.

Ndonjë punon edhe më me pasion se dje, rrezaton në auditor, me buzëqeshjen në cep të buzës…, do të doja që t‘i jepte mësim dhe fëmijëve të mijë… por vlerën a thua kush ja di? Askush, ndoshta. Unë po, ndjehem mirënjohëse pafundësisht.

Këta heronj, janë disa mësues të mi, termi mësues ashtu si shoqëria jonë ka kaluar në tranzicion, por pasioni është po ai, do të shkruaj për ta…, kur maturohesh kupton se sa shumë kanë rëndësi, aq më tepër kur pretendon të jesh një mësues i ri.

Mësuesi duket një term i vjetër përballë kohës, e deri diku i ka humbur shkëlqimi, apo ne jemi bërë avokat të djallit ?!

7 mars-e kanë kaluar pafundësisht, e shumë të tjerë do vijnë më pas, e ngjanë sikur nga atëherë kemi bërë regres…

Por, do të flas për progresin, dhe mësuesit, profesorët që e kuptuan drejt poezinë e Naimit e Naimëve të tjerë pas tij, u mishëruan e vazhdojnë ta bëjnë, pa kërkuar asgjë në shkëmbim.

Mësuesit, murgjërit tanë të përditshëm, misionarët e diturisë, sakrifikuan vetën edhe pse rrudhat mbi ballë ia shtuam.

Mësuesit edukonjësit e heshtur, nuk kërkojnë asgjë, vetëm japin, dijet e tyre, kulturën, etikën, informacionin, modelin që ne të ndjekim.

Mësuesit, janë ata që reflektojnë buzëqeshje, zgjasin dorën për të të larguar nga rruga e gabuar, të përgatisin për padrejtësitë e botës. Modelet e mësuesve dhe profesorëve të mi janë disa si; Ardita e gjuhë-letërsisë, Fahrija e gjeografisë në shkollën e mesme, deri tek profesorët si; Enriketa e Kujtesës historike dhe Majlinda e lëndës së Etikës, në auditorët e ftohta të universiteteve, Shkodër a Tiranë. Të gjithë bashkë kanë formuar si në një puzzle atë çfarë unë jam. Duke lënë gjurmë të thella, për të cilët ndjejë mirënjohje edhe pse kurrë nuk ia kam shprehur. Personaliteti im nuk do ishte i plotë pa këta modele që shkrihen me njëri-tjetrin, dhe plotësojnë njëri-tjetrin.

Pas një studenti të suksesshëm fshihet një edukator i mirë. Mësuesi a profesori ka qenë psikologu, krijuesi, artisti, improvizuesi, avokati, toleruesi, shoku, prindi, këshilluesi për studentin e tij. Nuk ka, mësues të mirë dhe të këqinj, mësim mund të jap çdo kush, por edukim jo.

Mësuesi mund të shuaj shpresat e nxënësit, por dhe mund t’ia nxis ato, mësuesi mund të zbuloj talentin ashtu dhe ta ndrydh atë, kjo varet se çfarë misioni ka ky mësues, a do të jetë edukues apo ç’edukues.

Mësuesi i jep gojë lëndës, përmes historisë e gjeografisë na mëson identitetin dhe se kush jemi e ku shkojmë, përmes gjuhës e letërsisë na mëson se si të luajmë me fjalët, të komunikojmë të jemi përfaqësues të denjë të këtij vendi, përmes shkencës, artit e muzikës na mëson të duam të vërtetën, të bukurën, të jemi human, e të gjitha sëbashku na përgatisin për një të ardhme të ndritur që ti shërbejmë vendit tonë si qoftë më mirë, një popull i mirë arsimuar i përgjigjet më mirë detyrave të shoqërisë.

Andaj, gëzuar edhe këtë 7 Mars, durimi iu është kalitur, por mos keni droje jeni heronj të së tashmes që po përgatisni të ardhmen. Misionin tuaj nuk e bën dot askush më mirë. Misionarë mos u dëshpëroni, ata që hoqën dorë nuk ia ditën vlerën asaj çfarë bënë, por ju do ngeleni pjesë e memories sonë.

Share: