Home KRYESORE Kur bëhet politikë edhe me “bukën e gojës”

Kur bëhet politikë edhe me “bukën e gojës”

Nga Mentor Kikia

Të dalësh nga “metropoli”, të udhëtosh në periferitë e qyteteve, apo në zonat e rurale, të vizitosh familje që jetojnë në baraka apo shtëpi me mure gati në të rënë e çati që gjysmën e shiut e fusin brenda. Të takosh njerëz të mjeruar që të thonë se kanë vetëm një torbë miell të dhuruar apo dhënë borxh nga fqinji, njerëz të veshur keq, fëmijë të leckosur e të palarë. Të takosh njerëz që të shikojnë drejt e në sy dhe presin me shpresë se ti do ti ndryshosh jetën, pra të takosh shtresën më të varfër të shoqërisë, është si ti bësh fiskulturë shpirtit. Sepse, pasi shikon, takon dhe bisedon me të tillë njerëz kupton që e keqja në këtë vend nuk ka fund dhe ti duhet të jesh gjithësesi i lumtur. Pikërisht me bukën e gojës së këtyre njerëzve ka javë që në Tiranë po bëhet politika e madhe, ka javë që debatohet sa në parlament e para kamerave në studio televizionesh.

Po! Me ndihmën ekonomike është abuzuar. Kryetarët e komunave që menaxhonin këtë fond, e përdornin atë si fond për të qerasur farefisin dhe mbështetësit e tyre politikë. Njerëz të punësuar e vetëpunësuar në të zezë, si bojaxhinj e marangozë, hidraulikë, mekanikë etj, figuronin në skemën e ndihmës, duke e bërë këtë zë, një nga më të rëndët në buxhetin e shtetit. Paralelisht me zgjerimin e rrezes së përfituesve, jashtë kishin mbetuar ndoshta ata që ishin vërtet pa asnjë të ardhur. Formalizimi i ekonomisë dhe detyrimi për të deklaruar njerëzit e punësuar, bëri që skema të tkurret. Parë në këtë drejtim, reforma e qeverisë duhet përshëndetur. Aq më shumë nisma për të këmbyer lëmoshën me punë. Rama është treguar kategorik: Kush refuzon punën, nuk merr asnjë cent.

Por reforma ka lënë jashtë skemës edhe shumë familje që janë realisht në kufinjtë e mbijetesës dhe qe nuk mund të bëjnë e nuk u është ofruar asjëherë asnjë vend pune. Rama i ka quajtuar lotë krokodili vizitat e Bashës në shtëpitë e rrënuara të këtyre familjeve. Në fakt atje nuk ka qarë Basha, por ata të varfërit, që i qajnë kujtdo që u shkel në shtëpi, edhe gazetarëve që shpesh i bëjnë personazhe të reportazheve të tyre. Rama tregohet sërish kategorik: Nuk ka ndihmë, shko në “skollë” falas, merr zanat e pastaj gjej punë. Duket një ide e mrekullueshme. Edhe ata njerëz shpëtojnë nga radha e marrjes së një lëmoshe tallëse, edhe qeveria shpëton. Por Rama një gjë nuk e di ndoshta. Këta janë edhe shtresa më e paditur e shoqërisë. Shumica prej tyre nuk kanë dalë përtej rrethinave të qytetit apo fshatit ku jetojnë. Ata kanë nivelin më të ulët të arsimimit(fukarallëku shkon paralel me injorancën dhe e ushqejnë pafund njëri-tjetrin). Për shumë prej tyre është thuajse e pamundur të marrë një zanat e të orientohet në tregun e punës. Dhe mbi të gjitha, ku janë këto vendet e punës, që këta hallexhinj të punësohen menjëherë pas specializimit? Po sikur ai të marrë zanatin e marangozit, dhe punishtet e drurit të mos e marrin në punë, çfarë do të hajë pasi të specializohet?

Kjo reformë nuk mund të realizohet brenda disa muajsh. Ajo duhet të fillojë të aplikohet jo me një njeri që ka parë televizor për herë të parë në moshën 40 vjeçare. Ajo duhet të fillojë me fëmijët e tij

Share: