Home KRYESORE Lobimet, loja me agjentura dhe kriza e thelle shqiptare…

Lobimet, loja me agjentura dhe kriza e thelle shqiptare…

Nga Endri Tafani *

Mediat po ziejnë nga pyetja e madhe a kanë paguar apo jo rusët lobimin e Bashës në SHBA. Skenarët me agjentura dhe armiq të jashtëm dhe lojëra të mëdha gjeopolitike apo thjesht politike po sillen vërdallë nëpër shtyp, por duket se kjo zhurmë po tenton të fshehë thelbin e ngjarjes.

Për shumë arsye që nuk ia vlen të përmenden këtu, dihet që rivali kryesor i Rusisë në politikën e jashtme janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse qëllimi i Rusisë është të minojë aleancat e SHBA dhe influencën e saj në botë nuk është e nevojshme të financojë PD. Këtë punë e kryen më së miri PS. Kemi një Kryeministër socialist që ka sulmuar politikisht dhe personalisht presidentin amerikan duke tentuar të ulë imazhin e tij dhe gjithashtu kemi dhe një qëndrim konstant antiamerikan të qeverisë socialiste shqiptare të demonstruar publikisht jo më larg se tre muaj më parë ku Shqipëria u rreshtua me Rusinë kundër SHBA dhe Izraelit në votimin në OKB. Për më tepër përfshirja e aparatit të Ministrisë së Brendshme në trafikun e drogës dhe fikja e radarve të Ushtrisë Shqiptare në funksion të këtij trafiku jo vetëm që bie në kundërshtim me detyrimet tona si vend i NATO-s por dhe kërcënon sigurinë kombëtare jo vetëm të Shqipërisë por dhe të të rajonit. Në këtë kudër të sulmosh PD dhe opozitën është një hipokrizi dhe demagogji absurde. Nëse Shqipëria sot vuan një imazh të keq nga droga dhe krimi përgjegjëse është qeveria aktuale. Është kjo qeveri që futi në parlament njerëz të lidhur me krimin dhe i dha atij përmasa të frikshme. Nëse përditë kapen në vendet e BE-së tonelata me drogë të nisura nga Shqipëria nuk ka nevojë të flasë opozita shqiptare për të nxirë imazhin e Shqipërisë, mjaftojnë për këtë gjë raportimet e përditshme në artikujt e shtypit të vendeve të BE-së. Është qeverisja aktuale që po bën ato gjëra antikombëtare për të cilat akuzon opozitën.

Në të vërtetë ngjarja me financimet tregon disa probleme të rënda që kanë të bëjnë me mentalitetin e vjetër që mbizotëron në politikën shqiptare.

E para kemi një histori njëshekullore gjatë së cilës të gjithë udhëheqësit shqiptarë kanë përdorur mbështetjen e një fuqie të jashtme për të siguruar legjitimitetin e tyre para shqiptarëve. “Unë jam më i mirë se të tjerët dhe do jem në pushtet sepse mua më mbështesin të huajt” është një refren që e kemi dëgjuar që nga koha e Zogut. Vetë Zogu përdori në fillim Jugosllavinë dhe pastaj Italinë si miqtë e tij të mëdhenj dhe me këtë gjë u jepte mesazh kundërshtarëve të tij politikë se “kot e keni sepse unë kam mbështetjen e tyre dhe pa e thënë ata në Shqipëri nuk bëhet gjë”. Këtë lojë e vazhdoi më vonë Enver Hoxha kur përdori njëherë Jugosllavinë pastaj Bashkimin Sovjetik dhe më vonë Kinën si miqtë e mëdhenj gjithmonë në kuadër të ruajtjes së pushtetit personal ndaj kundërshtarëve brenda Partisë së Punës dhe indoktrinimit të popullit. Për fat të keq ky mentalitet vazhdon akoma i fortë në politikën shqiptare. “Ne na mbështet bota dhe ata e vendosin kush vjen në pushtet në Shqipëri” është një refren i përditshëm në bisedat politike. Kjo është një tezë shumë e frikshme pasi e kthen gjithë popullin shqiptar në një subjekt pasiv, ta bëjë atë popull të mendojë që ai nuk ka pushtet sepse këtu vendosin të huajt. Ta kthejë popullin shqiptar në një viktimë të historisë dhe jo aktor të historisë së tij, që të marrë në dorë fatet e tij dhe të eci para. Kjo kastë politikanësh të vjetër e kanë qejf këtë lojë. Ata nuk i ndal asnjë gjë për të arritur aty. Sipas raportimeve të atij shtypi amerikan që i referohen vetë palët, kemi një kryeministër që është hequr si homoseksual vetëm për të bërë një foto me Obamën dhe një kryetar opozitë që ka marrë fonde të zeza për të bërë një fotografi me Trump. E gjitha kjo në kuadër të asaj që thamë më sipër. Asgjë sado e ulët apo antiligjore s’i ndal nga qëllimi primar që t’i mbushin mendjen shqiptarëve që kanë mbështetjen e të huajve të fuqishëm.

Për më tepër dhe një pjesë tjetër të mentalitetit të vjetër. Akuza ndaj armikut të brendshëm (opozitës) se është agjent i armikut të jashtëm. Edhe kjo një histori e vjetër që nga koha e Zogut që sulmoi kunatin e vet Ceno bej Kryeziun si agjent të Jugosllavëve kur vetë Zogu u lidh me Italinë dhe për të vazhduar më pas me gjithë “agjenturat e huaja” të zbuluara nga Enver Hoxha në kohën e monizmit. Kjo është pika tjetër e mentalitetit të vjetër ku mbështetet kasta politike aktuale. “Mos më shikoni mua që po ju marr frymën dhe të ardhmen, por ruhuni nga agjentët shqiptarë që punojnë për armiqtë e Shqipërisë” është ana tjetër e medaljes në përdorimin e rolit të fuqive të huaja në historinë tonë. Largohet vëmendja nga problemet e brendshme dhe vihet faji agjenturave të huaja për çdo dështim. E ka përdorur Zogu në vitet 20-30’, Hoxha në 40 vjet, Berisha në 1997 dhe tashmë kemi dhe Ramën në 2018. Një shekull i tërë gjatë së cilit jemi qeverisur nga politikanë të tillë me këtë mentalitet. Nuk kemi pse habitemi që jemi akoma vendi më i varfër. Këta njerëz nuk kanë evoluar me kohën, por janë produkt i një sistemi të vjetër.

Kjo histori ka dhe një anë tjetër, anën financiare të saj. E para për të bërë financime të tilla duhen përdorur fonde të mëdha që partitë shqiptare nuk kanë mundësi ti kenë. Kjo është arsyeja që këto fonde gjenden nga burime të errëta. Diku sponsorizon një biznesmen shqiptar diku një i huaj, por përfundimi është i njëjtë. Për biznesmenin nuk është një sponsorizim por një investim. Dhe nëse ai investon fshehurazi larg syve të publikut dhe përfitimet nga ky investim do t’i marrë në mënyrë të tillë, fshehurazi, larg syve të publikut. Korrupsioni fillon që pa ardhur në pushtet dhe këtë gjë e nxisin vetë kryetarët e partive politike gjithmonë në kuadër të asaj loje që përmendëm më sipër. Nuk mund të presësh që po këta njerëz të luftojnë korrupsionin dhe favorizimin e njerëzve që i kanë mbështetur financiarisht për të ardhur aty. Mentaliteti i tyre ua bën të pamundur.

Pjesa tjetër që lidhet me fondet ka të bëjë me anën humane të saj. Para dy javësh u bë një lojë e fortë nga pozita dhe opozita për largimin e shumë familjeve nga skema e përkrahjes sociale. Them lojë e fortë sepse ishte lojë dhe jo keqardhje për ata njerëz të varfër. Të flasësh për PS dhe milionat e eurove që ka përdorur ajo për lobime është humbje kohe, por nëse PD kishte 700.000 USD për të investuar në lobime, nëse vërtet do i dhimbseshin këta njerëz me këto fonde mund të mbantë 1.000 familje për një vit të tërë me asistencë. Do ishte shumë më humane, më me impakt në shoqërinë shqiptare dhe mbase dhe rezultati i zgjedhjeve të kaluara do ishte më ndryshe. Por me ato që thamë më sipër ne e kemi tashmë të qartë pse kjo nuk ndodhi. Me mentalitetin e tyre e kanë të pamundur ta projektojnë të ardhmen e këtij kombi në shekullin XXI. Nëse duam të ecim para si komb në shekullin XXI, duhet të lejmë pas politikanët produkt i kulturës politike së shekullit të kaluar. Vetëm atëherë mund të ecim para.

*Kryetar i LIBRA-s

Share: