Home KRYESORE Në një republikë bananesh si e jona, mbijetojnë vetëm importuesit e tyre

Në një republikë bananesh si e jona, mbijetojnë vetëm importuesit e tyre

Nga Nikollaq Neranxi*

Askush nuk është aq naiv sa të besojë se ngarkesa me mbi 600 kg kokainë të pastër, e kapur pak ditë më parë në një maune me banane, ishte një rast i izoluar. Risia në këtë histori është se shqiptarët mësuan se si mund të fitosh 180 milionë euro me një rrugë nga Kolumbia në Shqipëri. Dhe mos harroni, kjo është vetëm një linjë, një burim. Ndërkohë, kemi anën tjetër të medaljes. Kemi biznese të ngritura me punë dhe që rriten pak nga pak përditë, me shumë sakrifica dhe shkatërrim nervash, sepse ky pushtet ia ka bërë jetën ferr.

Në ato dogana ku kalohen me qindra kilogramë kokainë, që hyjnë, paketohen, dalin e hyjnë përsëri sa herë të duan (po kështu edhe tonelatat e hashashit), bizneset që jetojnë me tregti të ndershme, nuk kanë shanse të kalojnë një kilogram mall më shumë sesa është deklaruar në fatura. Nëse kjo ndodh, qoftë edhe gabimisht, janë gati të të shkatërrojnë aktivitetin.

Pushteti i Edi Ramës po persekuton njerëzit e punës. Taksave të papërballueshme, iu shtohet një diskriminim që institucionet e shtetit iu bëjnë bizneseve, me të cilat të mëdhenjtë në pushtet, nuk i lidhin interesat e tyre financiare. Paraja e drogës, nga ana tjetër, ka blerë gjithçka dhe ka prishur rregullat e ekonomisë së tregut. Vetëm në autostradën Tiranë-Durrës, që është një qendër industriale nga më të rëndësishmet në vend, vitet e fundit janë ngritur disa biznese gjigande nga hiçi, janë blerë terrene që vlejnë disa miliona euro e po kaq edhe investimet përkatëse.

Kam dëgjuar se disa nga pronarët e këtyre sipërmarrjeve, nuk janë më shumë se 25 vjeç. Atëherë, lind pyetja, çfarë morali kanë këto institucione shtetërore të vijnë ditë për ditë në dyert e bizneseve tona, duke na e bërë gjithçka të vështirë, ne që kemi 27 vite që e mbajmë këtë vend me taksa, që sillen me ne sikur të na kishin armiq të përbetuar dhe nuk shqetësohen e të kërkojnë llogari për këto biznese milionere që mbijnë nga hiçi? Për çfarë Reforme në Drejtësi po flasim, ndërkohë që paraja e drogës ka blerë tashmë çdo gjë dhe gjithçka po ndodh sheshit, pasi ato po investohen para syve tanë? Jo vetëm biznesi, por të gjithë ne si shoqëri, sot jemi peng i kriminelëve, nuk jemi të lirë as për të punuar dhe as për të jetuar.

Dhe kësaj situate i shtohet sjellja e Kryeministrit Rama, i cili ka instaluar një shtet kriminal në çdo qelizë. Por nuk mjaftohet me kaq, ai kërkon të fyejë inteligjencën tonë në çdo moment duke na i shitur mëkatet e tij si suksese, por që ne budallenjtë nuk i kuptojmë e nuk i shohim! Në fakt, do të ishim budallenj të kategorisë së parë, nëse do të besonim se Rama nuk ka gisht në këtë që po ndodh dhe që po ky, do e pastruaka Shqipërinë nga krimi! Situata është e qartë për të gjithë. Që kur ndërkombëtarët bënë presion të fortë për trafikun e drogës, këta u detyruan të lëvizin, por duke shpëtuar njerëzit e tyre, të cilët nëse do kapeshin, do të tregonin emrat e bosëve të vërtetë.

Mos harroni se ish-shefat e Policisë të përfshirë në trafik, u larguan pak ditë para shpalljes së tyre në kërkim. Ndërkohë, aksioni për kapjen e 630 kg kokainë ishte një dështim (mbase edhe i qëllimshëm), përderisa nuk u kapën kokat e trafikut. Pra, kemi sasi të frikshme kokaine të kapur, por janë ndaluar vetëm ndonjë magazinier apo shofer. Dhe e kam bindje se asnjë kokë e këtij trafiku nuk ka për t’u kapur ndonjëherë derisa Rama të jetë Kryeministër.

Prandaj, e vetmja mënyrë që kjo punë të marrë rrugën e zgjidhjes përfundimtare, është që Rama të largohet dhe të riformatohet një qeveri tjetër, qoftë edhe teknike, me individë të papërlyer dhe pa konflikte interesi, të cilët, nëse nuk do arrijnë të ndihmojnë, të paktën nuk do e sabotojnë procesin e pastrimit të Shqipërisë nga krimi, proces që po nxitet e investohet fuqishëm nga ndërkombëtarët. Deri atëherë, biznesi i bananeve (d.m.th. i kokainës) nuk do të ndalet dhe ne do shkëlqejmë si një republikë bananesh ku mbizotëron kaosi dhe krimi e ku njerëzit e ndershëm e kanë të pamundur të jetojnë./Panorama

*Kryetar i Shoqatës Për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqiperise

Share: