Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Herë pas here të dalim edhe në protesta për të mbrojtur dhunuesit...

Herë pas here të dalim edhe në protesta për të mbrojtur dhunuesit e ligjeve????

Nga Capajev Gjokutaj

Në Lezhë janë vjedhur sipërfaqe të konsiderueshme toke. Në realitet është ranishte, në letra është shndërruar në tokë bujqësore.

Dokumentat e njohjes së pronësisë dhe të shitjes kanë kaluar brenda javës. Edhe në ëndërr vështirë se mund të bëhej më shpejt.

Doemos, kanë qenë të përfshirë zyrtarë të lartë nga të tria institucionet që realizojnë transaksione të tilla: bashkia, hipoteka dhe këshilli i qarkut. Tre institucione që, hera e ka sjellë, të drejtohen nga njerëz të tri partive kryesore.

Partitë bëjnë gërrham gjithë ditën, sikur janë në thikë e në pykë. Por kjo vetëm për sytë e miletit. Në realitet i ke grushtbashkuar për të xhvatur.

Thonë se tokat e tjetërsuara tek Rëra e Hedhur, janë vetëm një kapitull i shkurtër, nami është bërë edhe në Kune, Vainë e gjetkë.

Zyrtarë të lartë të shtetit thonë se kjo batërdi me tokat bregdetare fillon në Velipojë e sos në Konispol.

Po sos vetëm bregdeti? Një sagë e tërë mbushur me tjetërsime e grabitje në mes të ditës. Sagë e denjë për një popull të stërlashtë, autokton, lidhur me tokën si mishi me kockën ????

Vjedhje kaq masive, të shtrira në gjithë vendin, vështirë se mund të ndodhin pa aleanca funksionale mes politikës, pushtetit dhe drejtësisë.

Vras mendjen, a kemi garanci se diç do të ndryshojë? Apo është aksioni i radhës, që pastaj të vazhdojë avazi i Mukës?

Nën tingujt e këtij avazi secila palë të hedhë vallen e vet. Politikanët të bëjnë zhurmë e të vazhdojnë zhvatjen në bashkëpunim me pushtetarët, policët e gjykatësit.

Kurse ne të bëjmë tifo kafeneve e, kur të vijë radha, të shkojmë të votojmë. Herë pas here të dalim edhe në protesta për të mbrojtur dhunuesit e ligjeve????

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Share: