Home KRYESORE Presidenti Meta për median greke, ja pse nuk ia dhashë autorizimin Ministrit...

Presidenti Meta për median greke, ja pse nuk ia dhashë autorizimin Ministrit Bushati

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetën greke ” To Vima”, ku ndër të tjera ka folur për vendimin e tij lidhur me çështjen e marrëveshjes për detin, por dhe ligjin e luftës apo çështjen çame. Ndonëse në një gjuhë diplomatike, Meta nuk ka ngurruar ta quajë ligjin e luftës një pakuptimësi politike dhe një paradoks për dy vende që janë anëtare të NATO-s dhe që kanë mes tyre marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi. Ai shtoi se ka dhe një paradoks të dytë. “Edhe pse Greqia ka dështuar me vullnet në anulimin e këtij ligji, i cili prek qytetarë të ndershëm shqiptarë që ende nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të pronës në Greqi, në të njëjtën kohë mbrohet e drejta e pronës së qytetarëve shqiptarë me origjinë greke në Shqipëri.

Lidhur me çëshjen e detit, Meta është shprehur:

Pyetja: Gjatë muajve të fundit, Athina dhe Tirana janë angazhuar në një dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. Një nga çështjet më të ndjeshme ka të bëjë me “Marrëveshjen në Zonat Detare”, nënshkruar nga të dy vendet në vitin 2009, por gjykuar jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Kohët e fundit, ju nuk deshët t’i jepni autorizimin Ministrit të Jashtëm Bushati për të vazhduar me negociatat për një marrëveshje të re me homologun e tij grek Nikos Kotzias. Pse e bëtë këtë?

Përgjigja e Metës: Së pari, në çdo rast e kam theksuar faktin se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë me rëndësi të madhe dhe strategjike. Gjithmonë kam dashur të shoh një dialog të hapur dhe të bazuar në vullnetin reciprok pozitiv për të diskutuar të gjitha çështjet me interes. Kjo axhendë nuk vjen nga një planet tjetër, as nuk na imponohet, por përfshin çështje, disa të trashëguara nga e kaluara dhe të tjera nga e tashmja, të cilat janë të një interesi të përbashkët dhe shqetësojnë popujt tanë. Unë e mirëpres faktin që ka një qëllim të mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar të gjitha këto çështje, me shpresë se ato janë adresuar në mënyrën më efikase.

Së dyti, të dyja, Shqipëria dhe Greqia janë reciprokisht të interesuara që të kenë një marrëveshje me të cilën ato mund të kufizojnë zonat e tyre detare përkatëse. Është me rëndësi vitale që të dyja palët të hyjnë në këtë proces negociatash me një mision të qartë: të arrijnë një marrëveshje që është ligjërisht e saktë, praktikisht e zbatueshme dhe përfundimisht e parevokueshme.

Në këtë kontekst, të dy vendet janë gjithashtu të vetëdijshme se ndërsa jemi palë në Konventën e Ligjit të Deteve, ne gjithashtu duhet t’i përmbahemi dispozitave ligjore vendase që kushtëzojnë negociatat e ardhshme për një marrëveshje të re.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që arsyeton se pse marrëveshja e vjetër është e papranueshme nga ana kushtetuese, por harton gjithashtu një udhërrëfyes për një marrëveshje të negociuar në të ardhmen.

Është një udhërrëfyes shumë gjithëpërfshirës që përcakton qartë institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të përdoren kur një marrëveshje e re të negociohet.

As mua, as Presidenti i Republikës, as ndonjë institucion tjetër nuk mund të veprojë ndryshe, por në këto linja.

Nëse ndonjë nga këto elemente të anashkalohet, injorohet, evitohet, shmanget ose ndryshohet nga ndonjë institucion para ose gjatë negociatave, do të përbënte një shkelje të Kushtetutës.

Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e re që nuk respekton këto “vija të kuqe” mund të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese, ku vendimi i vitit 2010 përbën një “ligj kushtetues” të pakthyeshëm.

Së treti, ju siguroj ju dhe lexuesit tuaj se partitë shqiptare, duke përfshirë Presidentin e Republikës dhe institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohen në këtë dialog dhe negociata me vendosmëri dhe sinqeritetin e duhur për të arritur një marrëveshje të re dhe përfundimtare.

Unë kam qenë plotësisht transparent me institucionet shqiptare, aktorët politikë dhe opinionin publik, në interesin më të mirë të vendit që të ketë një marrëveshje të duhur.

Share: