Home KRYESORE Sfida e qeverisë për të gjetur gjyqtar për Strasburg: Gara hapet për...

Sfida e qeverisë për të gjetur gjyqtar për Strasburg: Gara hapet për herë të tretë

Qeveria vendosi sot të bëjë thirrje publike për gjyqtar në Strasburg, pasi ka dështuar dy here me kandidaturat që ka dërguar për në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në faqen online kryeministria.al thuhet se afati për aplikim është shtyrë deri më 16 Prill 2018. Dhe kjo sipas qeverisë bëhet për të pranuar një numër sa më të lartë aplikimesh për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Inkurajojmë të gjithë juristët që përmbushin kriteret e mëposhtme, të aplikojnë!”.

Kujtojmë se Këshilli i Europës i ka kërkuar prej dy vitesh qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ, i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Në prillin e vitit të kaluar janë rrëzuar tre kandidatët e qeverisë Aleksandër Muskaj, Aurela Anastasi dhe Sokol Berberi dhe Këshilli i Europës kërkoi një listë të re.

Këshilli i Europës mund t’i rrëzojë kandidaturat për dy arsye: Procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.

Po kështu në fund të shtatorit 2017, Këshilli i Europës ktheu mbrapsht tre kandidatët që propozoi Qeveria shqiptare për gjyqtar në Strasburg, dhe konkretisht, ata ishin: ish-kryeprokurorja Ina Rama, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi dhe juristi Gent Ibrahimi. /Opinion.al

Share: