Home KRYESORE Dyshimet/ Çfarë e shkaktoi zjarrin që shkatërroi biznesin e mbetjeve dhe ndoti...

Dyshimet/ Çfarë e shkaktoi zjarrin që shkatërroi biznesin e mbetjeve dhe ndoti Tiranën?

0

Shtullunga të mëdha tymi u panë dje në Mëzez/Kashar (zona industriale pranë autostradës Tiranë-Durrës). Flakët dhe tymi i zi u përhapën me shpejtësi duke ndotur ajrin që thithin me mijëra banorë të zonës së Kasharit, Unazës së Re e Yzberishtit, por më tej: tymi u përhap në gjithë Tiranën.

Në fabrikën e përpunimit të mbetjeve të riciklueshme “Everest IE” sot nuk ka mbetur asgjë. Gjithçka është shkrumbuar. Fabrika në fjalë mblidhte dhe përpunonte mbetje të riciklueshme (qese, bidona pastik, kartona, etj).

Opinion.al u interesua sot për të mësuar më shumë rreth shkaqeve që çuan në zjarrin e madh që krijoi ndotje toksike në Tiranë. Një zyrtar i lartë i policisë së Tiranës, që ndjek hetimet për këtë ngjarje tha për Opinion.al se nuk ka përfunduar ende hetimi. “Ne kemi hyrë dje në vendin e ngjarjes, por ishte e rrezikshme, pasi vatra të vogla zjarri shfaqeshin deri mbrëmjen e vonë të së dieles, madje edhe sot. Kështu do të rikthehemi sërish në vendngjarje”, tha ai.

“Gjithçka është djegur aty ka qenë material plastik, ndaj ishte e vështirë që flakët të shuheshin. Nga këqyrja paraprake shihet se fabrika është shkrumbuar plotësisht. Siç ju thashë grupi hetimor i kryesuar nga prokuori i gatshëm Erion Pano do të rikthehet sërish pasi zona mbahet e rretehuar”, tha zyrtari i policisë për Opinion.al. Po kështu është marrë në pyetje edhe Vullnet Haka, administratori i fabrikës “Everest IE” i cili ka pretendimet e tij mbi shkaqet. Por një detaj i rëndësishëm është se OSHEE e ka përjashtuar mundësinë e një zjarri për shkak të shkëndisë elektrike, ç’ka i shton dyshimet pikërisht tek drejtuesit e kompanisë: A kishin marrë ata masat e duhura parandaluese ndaj zjarrit?

Kreu i zjarrfikëses në Tiranë deklaroi se kompania nuk ka marrë masa për sistemin e mbrojtjes nga zjarri, gjithsesi kjo mbetet për tu provuar nga grupi hetimor. Përpos kushteve të sigurise dhe masave anti-zjarr, pjesë e hetimit do të jenë edhe veprimet tatimore të kompanisë “Everest IE”.

Dje ka qene e diel dhe nuk ka patur punëtor në fabrikë, por disa syresh thanë se kishin ditë që nuk shkonin në punë, pasi pronari nuk kishte dhënë pagat.

/Opinion.al

Share: