Home KRYESORE Emigrimet e trishta të hipokrizive tona! Nga Jozef Radi per Ornela Vorbsin...

Emigrimet e trishta të hipokrizive tona! Nga Jozef Radi per Ornela Vorbsin dhe ne!

Ajo, erdhi si e ftuar nderi e pushtetit,
mbushi me zhurmë ilustruese kënetën e tij mediatike,
e do të largohet si e stërfolura
e kafenesë sonë të madhe publike…

Një ritakim me Ornela Vorpsin

Deri në këtë shfaqje të fundit të saj, Ornela Vorpsin, e kam parë si një vetvete në rrethana të tjera, si një vajzë që e ka ngjitur me mundim të përpjetën e siziftë të jetës dhe e kam përcjellë me sa kam mundur, me një dashamirësi të skajme si jetën, edhe ngjitjen dhe ngjizjen letrare e artistike të saj… Besoj se vetëm një fëmijë që i ka jetuar krejt privimet e një fatkeqsie kolektive, mund ta kuptojë një sivetje të tij, dhe të ruajë ashtu në heshtje konsideratën për një të ngjajshme të tij, në kohën e madhe të fatkeqsive…

Pse Vorpsi është ende një grua sharmante, një femër me sjellje dhe kulturë joshëse, një zonjë që mundet t’i shprehë me lehtësi krejt emotivitetet e veta dhe t’i komunikojë ato me delikatesёn e një buzqeshjeje në rrafshnaltën cinike tё opinioneve tona, e qё befas zbret me aq koketëri tё shkujdesur në rrafshultën e atyre shërbimeve që dukshëm bien erë… Mbetem keq (dhe jo vetёm unё) kur e thekson në vazhdimësi atë mendimin parizien a francez, për gjëra që i trishtojnë, mendjet tona tё ngёrçosura dhe sofrat tona të pastolisura si duhet, përmes fjalësh dhe fjalish, për të cilat jam i sigurt se nuk i beson as vetë; me ato mahnitje që na paskan lёnё pa frymë ato botë të rafinuara me kulturë e aristokraci të lartë… me ato dërdëllima nostalgjike pёr kohrat kur e keqja nuk ishte edhe aq e keqe!! Oh Jo, mjaft tё lutёm…!

Unë nuk arrij ta kuptoj si një grua, një zonjë, po edhe një cilado qoftë që e konsideron veten intelektuale, mbasi shpërndan kësi gjepurash gjigande sa malet, duhet tё ndalet dhe kqyret paksa përpara pasqyre, pёr çka reciton!!!

Dashuritë platonike në ditët e shkollës

Dashuria platonike, s’ka asnji lidhje me konceptin vulgar “ma var s’ma var”. Dashuria platonike është konteplimi i thellë deri në adhurim i një objekti apo subjekti, pa pretenduar asgjë prej tij… Përndryshe është dashuri karnale, si gjithë të tjerat e kësaj bote.
Zonja Vorpsi, dashurinë karnale të saj, kur s’e ka realizuar ashtu si dëshironte (sё paku kёshtu thotё), ia ka faturuar me padrejtësinë më të madhe platonikes, duke i bërë një shërbim të keq kulturës së vet…

Kurse dashuria nxënës-mësues, është diçka e bukur, që meriton të trajtohet pak më gjerë, pasi është e njohur, e shumëkujt prej nesh mund t’i ketë ndodhur nji lloj magjepsje e tillë. Ekziston te pothuaj çdo nxënës një lloj adhurimi për mësues të veçantë përgjat rrugëtimit të shkollimit. Kjo më së shumti nuk ka lidhje me seksin, po me efektin që mjeshtër të vërtetë të pedagogjisë dhe komunikimit krijojnë përgjat mësimdhënies. Kjo magjepsje, nga një anë jeton brenda secilit prej nesh, po nga ana tjetër kam vërejtur se ashtu si mësuesit magjepsin nxënës të tyre, me kalimin e viteve ka mjaft mësues që magjepsen prej nxënësve të tyre, kështu që ky adhurim me kohë ndodh që të ndërrojë edhe kah!! Ndaj s’kam asgjë kundra kësaj reciprokësie të spostueshme adhurimi. Shqetësohem seriozisht kur ky adhurim esklamativ mbas tridhjetë vitesh shpërthen dhe mbush ekranet me një paftyrësi të lëbyrtë mediatike; e kur ky adhurues i magjishëm na qenka pikërisht ftuesi i zonjës në fjalë, i cili befas “Hapu Sezam!” ia ka shpërthyer gjitha portat e parajsës publicitare (PPP) kësaj zonje, e cila na shfaqet po aq dorëlëshuar në shprehje të pashijshme sa ne mbetemi pafjalë, dhe me urgjencë kërkojmë të kuptojmë fenomenin. As sharmi i saj i dikurshëm, as inteligjenca jashtzakonshme e profesorit të saj, as ajo “rini rebele”, “as mahnitja ndërkombëtare” nuk mund ta fshehin më këtë shkëmbim favoresh të vona në reciprokësi fyese, që mund të konsiderohen asgjë më shumë se një tejkalim i dukshëm i qesharakes, një bojatisje e vonë e mureve të laskarueme të moshës, një tallje me situatën ku ndodhetnje vend buzë gremine, një grua jashtë kohe dhe një kryeministër jashtë realiteti…
.
Të përndjekur qe lëvdojnë përndjeksit

Ornela përfaqëson edhe atë shtresë shoqërore që vjen pësuese nga trauma e diktaturës.

Sipas fjalëve të saj, ajo ka qenë 7 vjeçe kur i arrestuan të jatin; ka qenë diku te 8 o më shumë kur ka parë për herë të fundit humnerën e Spaçit dhe mori në letër dhëmbët e thyer të të atit nën tortura; ka qenë 9 o më shumë vjeçe kur prindët e saj u ndanë “për të shpëtuar të shpëtueshmen”, ndoshta nën kërcënimin e Sigurimit apo Partisë; pra elemente të mjaftë për të qenë përjetsisht e traumatizuar, po edhe një vajzë kokforte ndaj atij vendi që s’e ka dashur kurrë!! Pastaj vjen adoleshenca e mungesave, shfaqja e bukurisë rebele, gjimnazistja që besonte në Artin si shpëtim, pastaj studentja që shkëlqen… jo veç me rininë dhe bukurinë e saj, po me të qenit e shlirtë dhe këmbëngulëse në realizimin e saj… Pastaj vjen ikja, ajo ikje pakthim, ku braktiset gjuha e tragjedisë, futet ndër botë imazhesh po që s’mundën kurrë ta rikthenin në nji formë a në nji tjetër te atdheu që dikur e kishte përjashtuar…

E vërtetë është që atdheu s’i ka dashur kurrë ata që i ka përzënë, ndoshta i nevojitet veç pak prej lavdisë së tyre, ashtu si nji make-up mbi tragjedinë që ai e prodhon vetë me shumicë.

Ai nuk fton pothuaj askënd, veç ata që pikëtohen si fjalëmirë të qeverive… Nuk ka ndodhur në asnji rast në këto 28 vite, si ajo që ndodhi Konicës me Zogu!! kurrë qeveritë postkomuniste s’i kanë ftuar oponentët e tyre, shpirtrat kritikë, që edhe të mund të përmirësoheshin edhe t’u mundësonin komunikimin ndryshe qytetarëve të saj… Në kët pikëpamje asgjë s’i dallon qeveritë e postkomuniste tëkëtyre 28 viteve nga qeveritë e diktaturës. Kjo e dëmton rëndë demagogjinë e tyre të lirisë, të Europës, dhe të demokracisë në kët vend…

Pikërisht, përballë kësaj së vërtetë të dhimbshme, shfaqet Ornela Vorpsi, si artiste komplekse, që mbas derdh kova me bojë të ndezur mbi pushtetin që e ftoi me zulme, nis e kujton përndjekjen, traumat, dhëmbët e thyer të babait, “duart e zgjatura” drejt nënës së saj, po asnjëherë nuk merr përsipër të thotë një fjali rebele si dikur: fjala vjen: “Të ngrihet Muzeu i Spaçit…!” dhe ajo të linte aty si dëshmi (nëse i ka end të ruajtur), dhëmbët e thyer të babait në hetuesi, të cilat ia dhuroi kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe!! Këtë ajo s’mundi ta bëjë, sepse është e robinjë e pushtetit (haremit) të tepsive dhe legenave… Prandaj ajo shfaqet sot më afër Sindromës së Stokholmit, se sa heroizmit të nji Zhan d’Arke… prandaj ajo na u shfaq më shumë si një grua sallonesh e cikërrimash emocionale, një e dashuruar arti dhe burrash, dhe askund s’u gjend tek ajo përballje qoftë edhe fluide me problemet e një shoqërie tashmë në krizë të thellë…
.
Dhimbje për intelektualin e blerë

Nji nga problemet më të thella të shoqërise shqiptare, është shitblerja intelektuale!

Shqipëria prej kohësh që nuk mbahen mend, zërat jashtë pushtetit nuk i ka dashtë, bile mund të them se ajo ka investimet e saj më të mëdha në blerjen intelektuale, duke i shëndrruar ata në kacabunj të zinj që paguhen mirë për çdo fjalë të shërbyer… Qeveritë postdiktaturë vazhdojnë ta përpunojnë me heshtje “teorinë e armiqve”, ndaj gjithë atyre që janë oponencë intelektuale, që mbeten mendim kritik ndaj pushtetit dhe “heronjve” të tij. Intelektualët e vërtetë, ata i mbajnë larg universiteteve, larg teksteve shkollore, larg projekteve kulturore, larg ftesave promovuese… me një ndryshim të vetëm nga diktatura e djeshme, që nuk u vë mbrapa Sigurimin e Shtetit, në vendet ku ata jetojnë dhe kontribuojnë…!!

Për pushtetin, ka shumë rëndësi të heshtet për gjithë ata që rrëmbejnë llokma gjithnji e më të mëdha të këtij vendi, për gjithë ata që mbushin mëngjes e mbrëmje ekranet me begati e lumturi, e që shihet qartë që e kanë humbur komunikimin me shtresat e rëndësishme sociale, dhe me atë realitet gjithnjë e më të zymtë që po u zë sytë e që vetëm ata nuk e shohin!!

Ornela iu shfaq përndritshëm kësaj fryme politike, për të cilën ajo gjeti justifikimin banal: “kam 30 vite që jetoj jashtë…” pra nuk i intereson ajo çka ndodh në realitetin shqiptar. Nga “fildishi” i kështjellës së saj pariziane, ajo solli veç mahnitjet e mëndafshta të rinisë së dikurshme, profesorin e saj “të jashtzakonshëm vetëm 22 vjeçar”, dhe me përsëritjet kokforte të të njëjtave fraza, nuk na vrau as më të voglin dyshim se çka theksonte duhet të ishin fraza të studiuara, të këshilluara, të përsëritura deri në obsesion, për ta mikluar opinionin, për ta acaruar një pjesë të madhe shoqërore duke trazuar ashtu me sharm personalen me publiken, të shkuarën me të sotmet, emocionet me arsyet, problemet e thella me sentimentet e sipërfaqëshme, keqpërdorimin e pushtetit me ata që e retushojnë pushtetin… e ku gjithnji shkëlqente magjia e 30 viteve të shkuara, si të ishte fjala për dje!

Intelektualët e mirëpaguar të pushtetit të djeshëm kanë përballë sot intelektualët e mirëblerë nga pushteti i sotëm, ku me doza të bajatshme narcizizmi, pakursim i përdorin taksat në retushim të vetvetes, ashtu si dikur pallatet e diktaturës, u bojatisën për të fshehur atë jetën me një dhomë e guzhinë ku sardelohej një populli të tërë! E pra ky ishte ai modeli i pocaqisur i kësaj kaste politike, ku me aq lehtësi imazhi i Ornelës mbushi ekranet, gazetat, ministritë tashmë edhe me zulmën e së ardhurës së madhe nga diaspora! Më vjen keq që ky rast nuk iu faturua Ministrisë së re të Diasporës, ku zonja Vorpsi mund të ishte nji zëdhënëse e denjë e problemeve qeveritare, një artiste aktive që mund t’i lobonte pushtetit me veprën e saj, dhe ti dëshmonte krejt komunitetit në rritje të emigrantëve, se lumturia e ikjes së tyre të pandalur, është suksesi më i madh i mikut të saj të rinisë…
.
Deri kur ky teatër absurd?!

Për ta retushuar sado pak këtë politikë të çoroditur shqiptare, ku njeriu i vlerave morale është bërë i vocёrr dhe i padukshëm, duhet domosdoshmërisht edhe ky teatër absurd i monologut!

Ornela deklaroi se nuk i intereson politika, së paku kështu u shpreh publikisht (duhet marrë pak me rezerva), edhe pse gjitha punët e saj i kreu me njerëzit e dhe të hollat e politikës… çka dëshmon në mos hipokrizi së paku inkoherencë të plotë mes asaj çka thotë e asaj çka bën. Pra bëri teatër!!!

E kam dëgjuar, lexuar, ndjekur në shumçka që ajo dhe të tjerë hodhën për konsum gjatë kësaj periudhe prilli, dhe e quaj në fund të fundit mjaft pozitive shfaqjen zhurmuese që vrundulloi rreth saj. Pozitive, sepse të gjithë duhet të kuptojmë e të reflektojmë. Ornela Vorpsi ka një vepër dhe një jetë artistike të sajën vërtet jashtë politikës, dhe koha do t’i provojë vlerat e saj. Fakti që librat e saj kanë qarkulluar nëpër gjuhë të botës, është dëshmi e vullnetit të saj. Edhe arti i saj i pikturës, (të cilin sinqerisht nuk e njoh), mund të jetë vlerë…! Kureshtja ndaj saj mund të bëjë të lexohet më shumë, të vlerësohet jashtë asaj çka recitoi për politikën, dhe të meritojë një vend modest në hierarkinë e vlerave që ka prodhuar ky vend. Por duhet ta kuptojmë mirë të gjithë, se balta e politikës së djeshme dhe të sotme, një ditë mund të bëjë pis edhe me të mirin, dhe se vlerat intelektuale dhe artistike, në suazat e politikës shqiptare, e në veçanti “të kësaj politike”, janë të destinuara ta përbaltin vetveten dhe të dështojnë…

Duhet kuptuar njё herё e mirë, jo çdo parti mund të ketë artistët dhe intelektualët e saj!!!!

Ornela Vorpsi, mbas kësaj që ngjau, duhet ta ketë kuptuar, se kjo që ndodhi asaj, (për ata që shohin pak larg), s’duhej të ndodhte… Nëse ndjehet e kënaqur, kjo është çështje e saj!

Midis lëvduesve dhe sharësve!

Unë dua të mbetem midis lëvduesve të Ornela Vorpsit. Ama vetёm nëse ajo s’do të më japë arsye të qëndroj kritik ndaj saj!
Po të kisha qenë një nga profesorët e saj të artit, kur ajo ka qenë studente e Akademisë, do ta kisha gjetur e do ta kisha fyer pa pendim; jo për shprehjen e saj tejet fyese të “distancës humnerore” midis mësuesit të saj të dashur dhe profesorëve të tjerë; as për inteligjencën dhe “kulturën e jashtzakonëshme” që kishte ai djaloshi “vetëm 22 vjeçar” krahasuar me ta! Për diçka krejt tjetër do ta fyeja! Si mundet një ish studente e Akademisë së Arteve, të hedhё në kosh krejt një profesorat në emër të platonizmit të saj sentimental, e më pas të shtojë se: “Kam mësuar më shumë në Akademinë e Arteve në Tiranë se në Akademinë e Brerës”?!?

Fyerja do të ishte pikërisht për këtë të dytën…

Pra, si mundet një grua e kultivuar me art, letërsi, filozofi e kulturë të huaj, në kaq pak rreshta të jetë kaq e paftyrë e kaq kontradiktore me veten?!? Mirë, mediokritetit dhe lloçkovitësve mund t’ua hedhësh me një dorë sharm e ca fjalë të pluhurosura ëmbël, po ka edhe prej atyre që s’i tundon as sharmi, as rinia, as paraja, që i kanë lënë të gjitha mënjanë kur është fjala për art e kulturë… Atyre si i bëhet!? Organizoje mendimin, qartësoji idetë, hiqi ca llustra parazitare prej teksteve të tua se bien erë kanabis dhe kthehu te Ornela Vorpsi! Diçka të mirë duhet ta lerë njeriu në arё përkushtimin sublim ndaj artit dhe letrave, ashtu siç edhe mund tё pretendoni me tё drejtё!!

E konsideroj veten të edukuar më respekt dhe adhurimin ndaj së bukurës! Kёshtu qё çdo grua e bukur e ka nji hise dobësie në qenien time! Po kur një grua përtej bukurisë, krijon art të letrave, art të pikturës, hisja e dobësisë më bëhet me e madhe, prandaj e mbroj Ornelën, pse e kam lexuar qysh herët nё fillimet e saj, kur m’u shfaq si grua e lirë, si femër e paparagjykueshme, si njё artiste në kërkim tё vetvetes që luftonte ta artikulonte artistikisht atë traumë të shumë prej nesh. Jam përpjekur jo vetëm ta lexoj, po edhe ta vlerësoj e ta mirëkuptoj në gjithçka.

Të atin e saj, e kam mik të vjetër e të respektuar. Kemi ndarë bashkë mjaft humor e dhimbje, për gjithë çfarë i kishte ndodhur në jetë. Mbas burgut, ai e kishte filluar jetën nga e para, me kurajo… ama dhëmbët e thyer nё hetuesi ia kishte dhuruar asaj…! Tё mos e harrojё, se aty janë mijra buzëqeshje të vrara, mijra puthje që ai nuk i dhuroi dot, prandaj kjo maskaradё e (pёrdorim shpёrdorimit) kësaj here më ka trishtuar sa s’thuhet!

O Njerёz, mos e shpërdoroni vuajtjen! Mos i përdorni vuajtjet dhe traumat e pёsuara për të mbrojtur prapësitë tuaja të vogla, se është turp! Pse vuajtja kërkon respekt! Shumë respekt, dhe asgjë më shumë…

Dhe befas bukuria e saj, ai sharm marramendës gruaje, ai shpirt i shlirtë i saj m’është bërë paksa i flashkët, i squllët, i rëndomtë prej keqpërdorimit; pse vetë Ornela ia lejoi vetes, ndoshta me dëshirën e një lavdie ap ndonjё interesi, o ndoshta prej lehtësisë fluturake prej ёndrrimtareje, duke trazuar ujrat e një kënete që do vazhdojë të mbetet e tillë me gjithё penelatat e saj deklarative dhe esklamative. E vërtetë është se mbas gjithë kësaj që ndodhi, ca kënetë do e marrë me vete edhe atje në sallonet jo aq mëndjelehta dhe jo aq lehtësisht të mahnitshme të Parisit, ku ajo do të vazhdojë të kultivojë në vetmi sublime, artin e saj të ditëve të mbrame… përndryshe, në kёtё botën tonë të ekperimenteve, shërbimi i kryer aq devotshёm, shpejt mund të na e rikthejë si një ministre të ardhshme kulture…!!!

Share: