Home Gjeo-Ekonomia Greqi, Tsipras: Ekonomia po përmirësohet; Biznesi ankohet…

Greqi, Tsipras: Ekonomia po përmirësohet; Biznesi ankohet…

Qeveria greke përcjell sinjale optimizmi lidhur me ekonominë, sidomos në prag të takimit të ministrave të Financave të eurozonës.

Megjithë përmirësimin për të cilin flet kryeministri Aleksis Tsipras, sipërmarrjet e vogla nuk e kanë ndjerë ende. Kriza vazhdon të jetë e pranishme në jetën e grekëve, të cilët ngushëllohen vetëm me lajmet e mira që mbërrijnë nga turizmi. Këtë vit, thonë të intervistuarit nga “Deutsche Welle”, do të vijnë rreth 34 milionë turistë në Greqi, e këtë e përshkruajnë si një shiringë të mirëpritur financiare.

Një prej problemeve për të cilat ankohet më shumë biznesi, sidomos ai i vogël, janë tatimet e larta, ku vetëm TVSH-ja mbërrin në 24%. Frymëmarrjen biznesit atje ia sjell vetëm stina e verës. Tregtia, sipas tyre, gjithashtu nuk shkon mirë. Nuk ka të holla në qarkullim dhe njerëzit blejnë pak, i kanë reduktuar shpenzimet. Njerëzit janë bërë më të kujdesshëm me paratë, sidomos pas kërcënimeve të fundit nga Turqia, thonë ata.

Por, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike të familjeve greke, rreth 80% e popullsisë beson se kryeministri Aleksis Tsipras është politikani më i besueshëm dhe më serioz në vend.

360grade.al

Share: