Home KRYESORE Kreu i KMSH ‘shpërthen’ ndaj Erdogan: Kur miku kërkon të bëhet zot...

Kreu i KMSH ‘shpërthen’ ndaj Erdogan: Kur miku kërkon të bëhet zot shtëpie…

0

Kreu i Komunitetit Musliman shqiptar, Skënder Bruçaj, iu përgjigj me kujdes, por pa ekuivoke pyetjes që iu drejtua mbremë në emisionin “Java” në RTSH në lidhje me shmangien e tij nga protokolli gjatë një veprimtarie të Presidentit të Turqisë, Erdogan në vizitën e këtij të fundit në Tiranë.

Bruçaj theksoi marrëdhëniet miqësore si dhe mbështetjen e Turqisë ndaj komunitetit mysliman shqiptar, por duke iu referuar rastit konkret tha se është tradita shqiptare që mikun e vendos gjithmonë në krye të vendit, por kur ky, pavarësisht respektit, kërkon të jetë edhe zot shtëpie atëhere kjo bëhet e papranueshme. Pavaresisht se nuk përmendi emra, u duk qartë se referimi ishte për Presidentin e Turqisë.

Shqipëria dhe Kosova janë prej shumë muajsh nën presionin e Ankarasë për të dorëzuar kundështarët gylenistë të Presidentit Erdogan që qeveria e tij i akuzon si terroristë. Eksportimi i këtij konflikti në Shqipëri është shfaqur edhe në përpjekjet apo gjestet e Ankarasë për të ndryshuar drejtimin e komunitetit mysliman në Shqipëri.

Bruçaj tha mbremë se krerët e komunitetit Musliman në Shqipëri nuk caktohen nga shteti, por zgjidhen sipas rregullave të vetë Komunitetit.

Bruçaj shpreh mbështetjen në emër të komunitetit mysliman shqiptar për rakomandimin pozitiv nga Komisioni Europian.

“Komunitetit mysliman ka një rol thelbësor në themelimin e shtetit shqiptar, në përcjelljen e mesazheve universale të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Ne jemi shumë të gëzuar për këtë rakomandim, i cili i shërben interesave të vendit dhe shtetit shqiptar të cilat komuniteti mysliman i konsideron prioritare”, tha ai./a.m./java

Share: