Home I pakategorizuar Kuksianët dëshmojnë si policia dhe gjykata janë marrë peng

Kuksianët dëshmojnë si policia dhe gjykata janë marrë peng

Nga Azem Parllaku

Caktimi i masës së sigurisë për 23 qytetarët Kukësit, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ndodhi ajo që pritej. Pushteti i pabesë i Rilindjes tinëzisht, në shkelje të çdo procedure civile dhe penale sulmoi barbarisht shtëpitë e kuksianëve duke rrëmbyer njerëz pa asnjë hetim, asnjë paralajmërim, asnjë fletë arresti.

Sot, kur gjyqtarja Alma Ahmetaj, mori vendimin për të lënë në burg dhe arrest shtëpie shumicën e protestuesve të pafajshëm, në Kukës nuk ka më demokratë, as socialistë, as republikanë. Ka vetëm njerëz të terrorizuar pse refuzojnë të vdesin prej barbarisë së të pangopurve. Në Kukës nuk ka më popull demokrat, as socialist. Edhe në pushtet nuk ka as parti socialiste, as demokratike.

Në Shqipëri sot janë dy lloje klasash shoqërore. Ka shqiptarë të varfër, pasuritë e të cilëve janë plaçkitur, shkatërruar dhe falur tek shfrytëzuesit mizorë që me gjuhën diplomatike quhen konçensionarë, dhe një klasë politike që nuk është as e djathtë as e majtë, por e destinuar për ta grabitur gjithçka që është publike.

Në Kukës, Prokuroria dhe Policia kanë vepruar si organizata politike, nën urdhrat e Edi Ramës, duke mos zbatuar ligjin, dhe duke cënuar në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Vendimi i Gjykatës është i bazuar në falsifikime kriminale të dosjeve e procesverbaleve dhe pa asnjë provë e asnjë fakt.Disa prej të arrestuarve nuk ka qenë fare në protestë. Ata sot dëshmuan se arrestimet janë bërë për të ushtruar terror tek shqiptarët, duke lënë të lirë kriminelët dhe duke arrestuar qytetarët.

Rasim Kaloshi, ka qenë me vendim në arrest shtëpie. Nuk ka asnjë foto, asnjë pamje të tij në protestë, ndërsa Policia ka shkuar dhe e ka marrë në shtëpi dhe e ka sjellë në Tiranë.

Shpëtim Tota ka qenë në një nga lokalet e qytetit ndërkohë që zhvillohej protesta. Ai kishte të regjistruar me video dhe foto momentin kur ishte në lokal me miq, ç’ka vërteton që nuk ka qenë në protestë. Lefter Rexhmati është babai i 3 fëmijëve. Vajza e tij e paralizuar, vijon të jetë e traumatizuar pas arrestimit të të atit. Adem Duraku, invalid, së bashku me të shoqen, është paraplegjik me karrocë. Është arrestuar në mënyrë të paligjshme. Në vend që të shkojë në spital, rrethohet me polici. Në Kukës nuk u plaçkit asgjë publike.

U dogj një tra privat i ngritur anës rrugës për të vjedhur pronën publike. Kuksianët dolën në protestë për të kundërshtuar taksën e lëvizjes në Rrugën e Kombit, si një taksë shumë e rëndë dhe e papërballueshme për banorët e kësaj zone. Kuksianët e arrestuar pas protestës u transferuan në Tiranë me urdhër të prokurorit të çështjes. Por sipas raportit të Avokatit të Popullit, policia u gjet në disa shkelje të rënda ligjore. Që nga trajtimi çnjerëzor i protestuesve që u lanë pa ngrënë e deri tek mungesa e dokumentacionit në disa komisariate.

Duke qenë se të arrestuarit janë përgjegjësi direkte e prokurorit, Arta Marku duhej të kishte nisur hetimet për drejtuesit e policisë, duke u treguar e paanshme në përballjen mes qytetarëve dhe qeverisë. Nga qindra minuta pamje filmike u pa qartë se kuksianët e irrituar qëlluan me gurë ndaj policisë gjatë protestës dhe i vunë flakën pikës së konçensionarit. Por të njëjtat pamje tregonin se edhe policët qëlluan me gurë ndaj protestuesve. Për këto veprime të policisë, prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim, megjithëse në protestë u raportua për disa protestues të plagosur.

Historikisht dhe në vazhdim, qytetarët e Kukësit, kanë dëshmuar fisnikëri në sjelljet e tyre dhe asnjëherë ata nuk kanë lejuar të shkelen të drejtat e tyre legjitime. Për ata kanë qenë krejtësisht të huaja veprimet e dhunëshme që kanë ndodhur në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Kukës nuk ekziston fare dukuria e ngujimit për gjakmarrje, sepse kuksianët i kanë zgjidhur vetë problemet e tyre me fisnikëri dhe bujari.

Banorët e Kukësit kanë qenë më të persekutuarit nga rregjimi komunist dhe fatkeqësisht të gjitha qeveritë që ushtruan pushtetin gjatë këtyre viteve të post komunizmit nuk kanë investuar pothuajse asgjë për ata, duke i lënën ata në varfëri të skajshme. Në atë protestë thjesht ekonomike, jo politike, pati edhe tejkalime dhe shkelje ligjore, por këtyre banorëve u ka shkuar thika në palcë siç thotë populli.

Veprimet e prokurorisë dhe gjykatës janë krejtësisht të paligjëshme, mbasi nuk janë arrestuar dhe gjykuar personat, që me veprimet e tyre kanë tejkaluar normat ligjore të protestës. Ata të cilët do të vuajnë dënimin e padrejtë, nuk janë terroristë që t’u vihen pranga në ambjente familjare dhe në mesnatë.

Çdo shqiptar, përulet para të pafajshmëve të Kukësit, mbasi ata zbuluan karakterin e shtetit kriminal të instaluar në Shqipëri. Ata zbuluan faktin se, Shqipërinë e sundojnë bandat dhe terroristët në pushtet.

Share: