Home KRYESORE Polemika/ Ornela Vorpsi gruaja që dashuroi Ramën, pro dhe kundër

Polemika/ Ornela Vorpsi gruaja që dashuroi Ramën, pro dhe kundër

0

Ornela Vorpsi, gruaja, piktorja dhe shkrimtarja që e ka snobuar për vite të tëra Tiranën, madje që as në emisionet televizive franceze nuk preferon ta quajnë shqiptare, është vënë në qendër të polemikave ditët e fundit. Dhe kjo nuk ka ndodhur as për faktin se një nga vajzat më seksi të viteve ’80 është kthyer në Shqipëri, as se ka hapur nje ekspozitë në selinë ku punon ish i dashuri i saj (platonik ka pranuar ajo së fundi), kryeministri i vendit dhe as për veprën e saj artistike.

Ajo ka lënë shumëkënd me sy të çakërryer kur ka thënë në emisionin e Dudushit se në rininë e tij kur ishte refugjat, Edi Rama kishte magjepsur Parisin. Në fakt Ornela, nuk ka thënë ndonjë gjë më të madhe se ish ministrja Milva Ikonomi, që e quajti atë si ‘Brandin e Shqipërisë në botë’. Nuk ka shkuar as përtej ish ministres Kodheli që nuk pati frikë ta quajë shefin e saj “një artist të madh botëror”.

Por këtë herë polemika është nedezur, se bashkë me adhurimin deri në vetëmohim që tregojnë femrat përreth Ramës, historia mban të ngërthyera edhe elementë rozë. Sapo dolën titujt e parë me thënien lapidare të Vorpsit rrjetet sociale shpërthyen. Ndërsa në publik gishtin mbi plagë e vuri gazetari Ilir Babaramo. Ai e krahasoi Ornelën ish të përndjekur, me historitë që e famshmja Teto Polikseni tregonte për rininë e Enver Hoxhës në Korçë.

“Por që të thuash “magjepsi Parisin” është më shumë se dozë elefanti, që nuk mund ta shtysh as duke pirë katër shishe verë 500 euroshe. Sepse dhe militantja më e thekur e Rilindjes e di që aktualisht Parisi nuk çuditet jo më të magjepset nga një ekspozitë me veprat më të zgjedhura të Pikasos”shkruajti ai.

Krejt në kahun tjetër të barrikadës u vendos Rudina Xhunga. Ajo u përpoq t’i shpjegojë sulmet ndaj Ornela Vorpsit me zilinë e provincës sonë: “Epo paratë nuk mjaftojnë kurrë, ndaj dje, dikujt iu duk se iu fut në pjesë edhe Ornela, dikush u ndje i mjerë, dikush i jargavitur, dikush i qëndisi fletërrufe, si ato që ajo nuk i ka harruar nga fëmijëria” reagoi ajo. Edhe shkrimtari shqiptar me banim në SHBA, Gazmend Kapllani, mbajti anën e Ornelës duke mbrojtur intervistën e saj: “Personalisht nuk gjeta asgje per t’a share. M’u duken shume me interesante gjerat qe thote per shkrimin ne gjuhe te huaj, per krijimtarine e saj, per menyren se si ajo e sheh Shqiperine dhe Shqiperia ate (se sa pershtypjet e saj personale per Edi Ramën…Sa per ata qe e shajne dhe duan t’a lincojne: jam gati t’i nxjerre syte si Edipi Mbret nese qofte se edhe 5% e tyre kane lexuar librat e Vorpsit (apo libra ne pergjithesi). O njerez te mire: mundohuni te lexoni me shume dhe te shani e te urreni me pak…” e mbylli reagimin ai.

Por, në fakt edhe Xhunga edhe Kapllani e kanë marrë në mbrojtje Ornela Vorpsin për gjëra që s’kanë lidhje me atë për të cilën ajo është kritikuar. Ajo nuk tërhoqi vëmendjen si një artiste, por për faktin se ajo përdori selinë e njeriut që kishte dashuruar për të ekspozuar punët e saj. Dhe qëlloi që ky njeri sot është Kryeministër, për të cililin Ornela nuk ka pikë droje ta vizatojë si njeriun që “magjepste Parisin”. Dhe këtë fakt fshikulluan Babaramo dhe ata që mendonin si ai. Ai e nëvizoi në shkrim: “Ajo që është jo vetëm për tu shqetësuar, por dhe për tia dhënë ulërimës nuk është se cfarë ndodhi , por ku ndodhi. Do ishte normale që rrëfimin e saj kjo fatkeqe ta kishte bërë në një divan psikanalisti. Por nuk ndodhi kështu. Rrëfimin e saj ajo e bëri në selinë e qeverisë shqiptare, në ambientet e katit të parë. Fiks poshtë zyrës së kryeministrit , kjo fatkeqe bëri këtë shfaqe para kamerave të thirrura nga zyra e PR të Kryeministrisë”.

Pra, kjo është çështja: A pranon një artist i vërtetë të krijojë nën proteksionin e një politikani? Aq më tepër a mundet një artist me dinjitet të nxjerrë broçkulla të kësaj natyre nga goja?

Jo më kot Fatos Lubonja shkruante kur u hap salla COD në Kryeministri, se asnjë artist që ka respekt për veten nuk mund të eskpozonte aty ku kriteret e vlerave i vendos kryeministri.
Me sa duket, Ornela Vorpsi e bëri duke u rreshtuar në arradhën e ish ministreve që e mbajtën postin duke iu lëpirë shefit. Madje ajo shkoi edhe më shumë sesa ajo drejtoresha e parave që e shpalli Skënderbe. Ajo nuk pati drojë ta shohë me sytë e saj dhe ta quajë “magjistar të Parisit”.

©Lapsi.al

Share:
Reklama juaj