Home KRYESORE Shteti shqiptar nje karikature e shtetit demokratik (revisited)!

Shteti shqiptar nje karikature e shtetit demokratik (revisited)!

0

Nga Edgar Frasheri

Po behen gati tre dekada qe kemi kembyer sistem qeverisje por ende nuk kemi bere shtet te ligjit te dale nga populli dhe qe te punoje per popullin, mbas eksperimentit veteshkaterrues pesedhjete vjecar i cili na rreshtoi ne me te varferit e Evropes dhe nder me te varferit e botes. Nga sa duket duhet te klasifikohem nder popujt me shans-humbur ne kete rruzull, sepse nuk ka si te shpjegohet qe gjithmone, ne momente kapercyell te histories tone,ne vend qe te marrim drejtimin e duhur, kemi shkuar me keq se fqinjet tane, me te cilet duhet te bejme krahasimin.

Nuk kujtoj qofte edhe nje rast te vetem ku urtesia e mencuria popullore te na kete bere krenare e te lumtur per vendim-marrjet e rendesishme kur jane vendosur fatet e kombit. Sa here qe na ka dale keq, dhe kjo ndodh gjithmone, rrotullojme syte per rreth te gjejme fajtorin, por asnjehere tek vehtja. Pra nje popull ( perfshire mua brenda) i cili nuk eshte ne gjendje te analizoje e te gjykoje vetvehten per bemat e tij, eshte ne nje faze shume te ulet te zhvillimit shoqeror ne raport me kohen dhe ka pak shanse te gjeje shtysa per te vendosur objektiva zhvillimi nuk them ambicioze, por te pakten modeste.

Nuk po permend gjysme shekulli sistem totalitar, sepse ky i yni tregoi qe ishte deshtimi me i pakrahasueshme per nje popull qe jetoi brenda Kampit socialist me te njetin sistem, vetem se kishte te njejtin emer. Por per keto tre dekada kur u lane te lira energjite krijuese te popullit tone, ne nuk arritem te kapercenim vetvehten. Propaganda banale si dikur, numuron nje sere arritjesh te quajtura “ titanike” te cilat kerkon ti ipotekoje per vehte. Aspak nuk eshte e vertete. Kemi bere zhvillim vetem te natyres Darviniane, mbi baze ligjesh te evolucionit natyror te motivuara vetem nga lufta individuale e banoreve te ketij vendi te mbijetoje me cdo mjet e moral, ne kushtet e nje shoqerie qe i ngjan xhungles me ligjet e saj.

Dhe te mos na genjeje mendja te kerkojme shkaqe rrotull, por te gjitha te keqijat qe sot mbas tre dekadash jane ulur kembekryq ne kete truall, e kane burimin tek populli dhe vetem tek populli. Ky mendim personal eshte kaq I dhimbshem dhe deshperues, saqe nese dikur ishte i hamendesuar, tani me eshte kthyer ne bindje. Kete refren e degjon perdite ne biseda tavoline, mes shokesh, mes njerezish cfaredo, kudo, por qe haptas nuk thuhet. Dhe sa here qe dikush perpiqet ti thote ca gjera ashtu si jane, menjehere ngrihet nje perde gjoja mbrojtese pseudopatriotizmi e pseudointelektualizmi fals, qe e ka burimin tek rezistenca instiktive e jone popullore per te mos i ndryshuar gjerat.

Kush pranon kete fakt, eshte e lehte te pranoje edhe ate tjetrin se deri me sot, cdo “perpjekje” per te bere nje shtet ndryshe, pothujse eshte e pasukseseshme. Duke sjelle ne kujtese shprehjet e fameshme te dy personaliteve te historise boterore: Joseph de Maistre (1753-1821) dhe Alexis de Tocqueville (1805-1859 se: “Ne demokraci, populli ka qeverine qe meriton” (“In a democracy, the people get the government they deserve”), shprehje e mesuar permendesh ketu ne Shqiperi per pothuajse keto njezet e kusur vite qeverisje tranzitore, i kthehem titullit te shkrimit se shteti yne deri me sot nuk eshte vecse nje fare karikature e shtetit demokratik.

Kjo thenje mund te lihej vetem me kaq , thjesht si nje fakt qe konstatohet dhe se nuk ja vlen te shkosh me tej. Dikush me te drejte mund te thote se me kete rruge arsyetimi bie vete brenda. Shko e rregullo popullin nje here, pastaj eja te rregullosh shtetin – mund te thuhej. Kjo eshte shume e vertete dhe bile deri diku demoralizuese. Por, kjo nuk do te thote se shteti dhe populli qe e prodhon ate nuk kane ndikim te ndersjellte tek njeri tjetri. Dhe une jam me ate qe “shpresa eshte e fundit qe vdes”. Prandaj, ka shanse qe ne rrethanat tona te favoreshme, historike e gjeografike, (nuk jemi Afganistan) te jete shteti ai qe te mund te ndikoje me shume ne permiresimin e popullit te vet sesa ky I fundit te prodhoje nje shtet me te mire.

Sepse, ndodhemi ne nje kontinent qe gjysma e botes e ka zili dhe vrapon drejt saj te jetoje. Sepse ne keto tre dekada, kjo Evrope nuk ka rreshtur se derdhuri para dhe nuk ka rreshtur se dheni mesime sesi duhet te funksionoje shteti per te miren e popullit te vet. Sepse na kane hapur dyert e na kane pranuar nje te treten e popullit tone ashtu sic jemi ( pavaresisht interesave te tyre) pa te cilat asnje qeveri ketu nuk do te qendronte me kembe as pese minuta. Imagjinoni sikur te ktheheshin ne atdhe per te punuar ne kete “parajsen tone ekonomike”, edhe keta 1,0 milion shqiptare qe punojne e jetojne jashte dhe do te shihej se ku do te perfundonte cdo lloj qeverie qofte! Dhe ky eshte nje shans historik qe nuk mund te humbet.

Atehere baterite duhen drejtuar tek shteti qe ai te kthehet ne faktor pozitiv ndryshimi. Prandaj, eshte detyre qytetare e cdo shtetasi te beje oponencen ndaj shtetit ( jo opoziten- kjo i takon tjeter kujt), i cili pa ate nuk funksionon dot mire, dhe nuk ploteson dot rolin e vet. Persa kohe qe kjo oponence nuk do te ekzistoje si nje faktor social i konsoliduar dhe te perbeje nje ze te fuqishem dhe persa kohe qe shteti nuk do te degjoje qofte edhe nje ze te vetem oponent, kjo tani per tani deshmon se jemi ende larg parametrave te nje qeverisjeje demokratike. Jemi aqe larg saqe karikaturen e ketij shteti nuk e rregullon as NATO; as Delgecioni i KE ne Tirane, as OSBE, as ambasadoret e shteteve perendimore dashamirese, edhe sikur keta te na jepnin deshmira me shkrim sa nje çarçaf per aftesi shtet formuese.

Ne shtetasit brenda vendit e shohim shtetin tone me tjeter sy e kendveshtrim, aspak me ate qe na shohin te huajte. Sepse duhet thene se ky shtet karagjoz ka dy standarte sjelljeje: nje per te huajt dhe nje tjeter per popullin e vet. Bile sjellja ndaj te huajve ( lepuri) e ben akoma me te shemtuar sepse nuk di te sillet, me gjithe perpjekjet e deshperuara per tu cfaqur si nje model qe tashma i ka arritur standartet e vendosura. Ndersa ne raportet me popullin e vet atij ( luani) i ka plasur cipa dhe jo vetem qe ka nuk turp, por as edhe trembet!

Te tre komponetet e shtetit si ekzekutivi , legjislativi dhe gjyqesori flasin deri ne shurdhim se i sherbejne popullit, por nuk bejne gje tjeter vecse e tjetersojne ate., e largojne, e bejne indiferent, per te arritur pandershmerisht qellime krahine, klani, individi ose force politike. Te degjosh retoriken e ketyre tre shtyllave te nje shteti demokratik, duket se nuk ka mbetur me per te bere per te etiketuar vehten se tashma e meritojme te rradhitemi ne familjen e te barabarteve. Kjo eshte vetrina per te huajt, te cilet edhe se nuk e besojne kollaj, na pranojne pragmatikisht keshtu si jemi, mjaft qe nuk krijojme shqetesime jashte territorit kombetar.

Kurse per ne ketu brenda… shteti eshte i dhunshem, me te gjitha format e ushtrimit te saj. Ne pamje duket sikur ka liri, por ne te vertete vete mungesa e shtetit te ligjit prodhon dhune anekend, e cila e ben shtetasin, te pasigurt, te pambrojtur, te terhequr ne vetvehte, te pangazhuar, hileqar dhe dashakeq ndaj komshiut, ndaj bashkeqytetarit tjeter, ndaj shtetit, hipokrit, te pamotivuar, dhe shpesh te pashprese. Cfare mund te beje ky shtetas per vendin e vet?—Ky se pari perpiqet te mbijetoje ne kete lloj xhungle, duke mos pasur nje vision te qarte per te ardhmen e vet e te femijeve te vet. Pra cfare mbetet per te ardhmen e vendit kur ai nuk e kupton se te keqen e ka prodhuar me doren e vet dhe se ky shtet karagjoz eshte prodhim i tij!

Shqiperia me shume me ngjason me nje vend ku jane vene ne skene me shume sukses dhe origjinalitet dy veprat e paharrushme te George Orwell-it. Deri ne vitin 1990 u luajt ne kurriz te populli “Viti 1984” me “Big Brother-in” e tmerrshem qe na ka lene psikologjikisht te gjymtuar e tru-shplare. Mbas nentedhjetes filloi te vihej ne skene dhe qe vazhdon edhe tani “Ferma e Kafsheve”, (per ata qe i kane lexuar) liber te cilin e mbaj mbi komodine per ti kujtuar vehtes sa shume pak ka ndryshuar nga e kaluara jo shume e larget.

Dhe luhet shume keq e shemtuar. Fare pa talent. Ne skene, para nje dekori ne pamje moderne por ne thelb “agitprop” si ne kohen e Big Brother-it, dalin te luajne pjesen derrat-aktoret qe cfaqen here si qeveritare, here si deputete, here si gjykates, prokurore, gazetare, “analiste”, poete te frymezuar, pronare bisnesesh te fuqishme te “paaneshme” ( Tv, gazeta, ndertues, universitete), institute te studimeve nga me te cuditeshmet, fondacione, sekte fetare e jofetare, e cfare nuk dalin, ndersa poshte ne salle eshte populli-turme e fermes., i cili nga kjo mori personazhesh, nuk kupton se cfare luhet. Ndersa ne ndonje llozhe anesore vezhgojne lojen te huajt si te ftuar, te cilet pa dashje kur vijne ne Shqiperi dhe pa u kuptuar, behen pjese e lojes qe luhet ne vend.

Shoqeri civile nuk ka!. Shqiperia me kete strukture sociale qe ka nuk mund te kete he per he, shoqeri civile te mirefillte. Me nje popullsi qe ne me shume se gjysma jeton ne fshat ku akoma e quan Kryetar Kooperative kreun e pushteti lokal atje e gjysma e tokes –kapital nuk punohet , dhe cereku tjeter ka vershyer ne qytete ne keto tre dekada per ta zaptuar ate, askujt te mos i shkoje ne mendje se mund te krijohet shoqeri civile e fuqishme.

As dhe te mendoje ne menyre naïve se ajo mund te krijohet me dekrete ose statute shoqatash te ngjizura e te financuara kush e di se nga ku, te cilat kane strehuar jashteqitjet e deshtuara ose te flakuara te politikes ne vite qe i shkon per shtat edhe dekorit te skenes se “demokracise”, gjithashtu edhe te huajve qe raportojne suksese ne nje vend te vogel por te cuditshem si ne. Shoqeria civile, duke qene baza e nje shoqerie funksjonuese, po te ishte reale dhe aktive, do te ishte motori shprese dhenes se do te ushtronte presion ndaj shtetit per te permiresuar rolin e tij. Pra qe te behet nje gje e tille, duhet qe shoqeria shqiptare te kthehet nga ajo me perberje fshatare ( te prapambetur) ne shoqeri qytetaresh te vetedijshme per rolin qe kane ne mireformimin dhe funksionimin e shtetit, mbasi te jene te organizuar mbi baza vullnetarizmi dhe te kene te drejte perfaqesimi.

Marksi dikur shpiku teorine ( ligjin) e unitetit dhe konfliktit te te kundertave per te perligjur faktin se ne zhvillimin evolucionist natyror te shoqerise, ka edhe kercime( revolucione) qe vijne si rezultat e prishjes se ketij uniteti. Kete e mori Lenini, e zbatoi ne praktike dhe solli gjysmen e njerezimit ne gjendjen ku sot jemi. Ne Shqiperi ky ligj asnjehere nuk ka gjetur zbatim, sepse ketu ka pasur dhe ka vetem UNITET te kundertash ( paradokse) por nuk ka konflikt, dhe bile nuk ka pasur asnjehere!.

Pra nga sa duket gjerat duan kohen e vet qe te behen. Ajo qe me shqeteson, eshte se shenjat nuk jane aspak te mira te me mbushin mendjen qe kjo shoqeri po zhvillohet ne drejtim te duhur. Ka gati tridhjete vite qe polarizohet ne menyre te skajshme, dhe se ky polarizim ne shperndarjen e te ardhurave e pasurive te krijuara ne menyre te pandershme, ka krijuar ate kaste qe “luan ne skene” dhe ka shtuar rradhet e “turmes-popull” qe mbetet ne salle, duke deformuar strukturen sociale te vendit. Shqiperise do ti duhen breza (edhe mbasi te kete hyre ne KE) deri sa populli vete te behet i tille sa te marre ne dore fatet e veta. Deri ne ate kohe shpresoj se do te kemi arritur te bejme shtet tamam. Pra kjo eshte nje mbyllje optimiste!?

Share:
Reklama juaj