Home KRYESORE Bie institucioni i protestës politike. PD humb traditën! Frrok Cupi

Bie institucioni i protestës politike. PD humb traditën! Frrok Cupi

Protesta anti- qeveritare e thërritur nga Parti Demokratike përfundoi rreth një orë pasi nisi. Gjithë fuqia e protestës u zhvillua para se të niste. Pas këtij momenti nisi rrëzimi i protestës:

Me sa u duk, protesta nuk kishte një bosht. Parullat e hedhura nga protestuesit dhe të përsëritura nga lideri, nuk tregonin unitet dhe koherencë. Dikush kërkonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, dikush tjetër largimin e kryeministrit, dikush akuzonte qeverinë si qeveri e krimit. Vetë lideri i PD, Lulzim Basha, kishte një qasje tjetër, ai iu kthye parullave të Rilindjes Kombëtare të fillim- shekullit mbi ‘diellin që lind nga Perëndimi’. Lideri opozitar krijoji një lidhje me ‘Rilindjen’ e PS, edhe pse e kritikoi me fjalë të tjera.

Vetë lidershipi politik i protestës u shfaq i përçarë. Partia e dytë opozitare, LSI, nuk u shfaq në protestë. Kryetarja e LSI nuk foli dhe as lëshoi slogane gjatë protestës prej më shumë se një orë. Por as deputetët e PD dhe liderë të tjerë të saj nuk u shfaqen në krah të liderit kryesor Basha. Përçarja e krijuar kohët e fundit në lidershipin e PD i dha efektet në këtë manifestim politik.

Protesta nuk arriti asgjë; bëri zhurmë në bulevard dhe vetëm kaq. Militantët e opozitës që kishin ardhur me autobusë nga rajonet, u kthyen të dëshpëruar në shtëpitë e tyre. Askush nuk kishte paralajmëruar se ‘nuk do të kemi gjë për të bërë, veç për të dalë në bulevard’. Disa zëra brenda militantëve ishin përhapur se “do të ketë ngjarje”, por kjo ishte bërë me qellim që të hidhej karremi për të devotshmit e partive. Pjesëmarrja në protestë ishte mjaft më e ulët se në protestat e fundit; veçanërisht ra në sy fakti se shumica absolute vinin nga rrethët. Tirana thuajse nuk përfaqësohej në protestën e Tiranës.

Protesta, edhe pse e premtuar para ndërkombëtareve se “do të jetë paqësore”, në fakt doli prej kësaj skeme. Militantët, sapo u afruan selisë së Ministrisë së Brendshme, nisën sulmin me gurë dhe mjete të forta kundër institucionit. Edhe para selisë së qeverisë ata hodhën tym lotues. Përveç përgjakjes së kryeredaktorit të gazetës RD, e Partisë Demokratike, u plagosën edhe 11 efektivë policie.

Pas përfundimit të protestës, në qeveri nuk lëvizi “asnjë gjethe peme”, as ka ndodhur dorëheqja, as ka ndodhur ndonjë tronditje, as ka nevojë për ndonjë deklaratë qeveritare. Qetësia e qeverisë dhe siguria e saj u rrit pas protestës.

Kjo mund të jetë protesta e fundit e organizuar nga Opozita. Sepse nuk mund të marrë më kurajë për të thërritur protestë “pa kuptim”; sepse nuk mund të ketë më pjesëmarrje për një protestë që ndodh rëndom; sepse kuptohet që PD i thërret protestat për të manifestuar fuqinë e kryetarit kundër oponentëve. Nën thirrjen e PD, protesta është kthyer në rutinë: Një herë në tre ose katër muaj, me të njëjtën mënyrë dhe pa rezultat. Përsëritja pa kuptim e ka drobitur sensin e protestës.

Vetë protesta politike, me sa duket, u rrëzua si institucion që kryesisht udhëhiqej prej PD që nga viti 1990.

Veritas.com.al/

Share: