Home Gjeo-Ekonomia BSH ndërhyn me deklaratë te kursi i këmbimit ndërsa forcimi i euros...

BSH ndërhyn me deklaratë te kursi i këmbimit ndërsa forcimi i euros shkakton shqetësime

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi në një konferencë për shtyp të mërkurën se “aktorët ekonomikë” nuk duhet të nxitohen të këmbejnë eurot për lekë duke argumentuar se forcimi i lekut “pritet të jetë afatshkurtër”.

Nga Gjergj Erebara, Reporter.al

Pak javë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë se ai “ndjehej krenar” për forcimin e lekut kundrejt euros dhe këmbënguli se forcimi aktual ishte “pasojë e fondamentave makroekonomike”.

Por të mërkurën më 2 maj, Sejko nuk u tregua po kaq kategorik kur foli për superlekun në konferencën për shtyp që pasoi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Si në deklaratë ashtu edhe gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve, Sejko theksoi se nisma e autoriteteve për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare nuk ka se si të ketë pasoja te kursi i këmbimit dhe i rekomandoi “aktorëve ekonomikë” të mos nxitohen për te konvertuar euro në lekë, duke e konsideruar forcimin e shpejtë të lekut gjatë dy muajve të fundit “afatshkurtër”.

Modelet ekonomike standarde thonë se kurset e këmbimit ndikohen nga variabla themelore të tilla si oferta e parasë, prodhimi, normat e inflacionit apo normat e interesit. Në rastet kur leku forcohet ose dobësohet si pasojë e një variable të tillë, Banka e Shqipërisë duhet të qëndrojë neutrale në tregun e këmbimit valutor dhe të lërë aktorët ekonomikë që të vetëpërshtaten me kushtet e ndryshuara. Por kur ndryshimet në kursin e këmbimit shkaktohen nga faktorë të jashtëzakonshëm, të tillë si paniku apo spekulimi financiar, BSH ka të drejtë të ndërhyjë duke bërë deklarata ose duke bërë transaksione në treg.

Sejko njoftoi se e ka marrë një letër të nisur nga një përfaqësi biznesesh eksportuese, të cilat më herët kanë shprehur shqetësimin mbi forcimin e lekut ndërsa e kanë lidhur këtë forcim me nismën e “deeuroizimit” të ekonomisë, një lidhje që sipas Sejkos nuk qëndron dhe është më shumë fenomen psikologjik.

Fondamenda apo thjeshtë mbieksport droge

Leku shqiptar filloi të forcohej nga fundi i vitit 2015, kohë kur euro këmbehej me 140 lekë. Gjatë dy viteve të fundit, leku u forcua efektivisht me 7 për qind duke shënuar kuotën e 130 lekëve për euro në fillim të vitit 2018 ndërsa u forcua më tej gjatë ditëve të fundit duke thyer rekordin dhjetëvjeçar në kuotën 127.92 lekë për euro ditën e mërkurë. Euro sot kushton 8.5% më lirë se sa dy vjet e gjysmë më parë.

Ekspertët nga sektori bankar dhe agjencitë e këmbimeve valutore e kanë pasur të vështirë të shpjegojnë forcimin e lekut në masë kaq të madhe dhe për një periudhë kaq të gjatë ndërsa disa sugjerojnë praninë e shtuar të euros të krijuar nga prodhimi dhe eksportimi i lartë i marijuanës gjatë viteve 2016 e 2017.

Në përpjekje për të mbrojtur qëndrimin e tij të mëparshëm, Sejko deklaroi se forcimi i lekut nga viti 2015 deri në fillim të këtij viti ka ardhur si pasojë e fondamentave, por forcimi i shpejtë i muajve të fundit, sipas tij, ka ardhur si pasojë e “faktorëve specifikë” por pa shpjeguar se cilët mund të jenë këto faktorë.

“Në lidhje me këtë fenomen dhe në përputhje me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë konstaton se trendi afatmesëm i forcimit të kursit të këmbimit, i nisur prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, pasqyron veprimin e faktorëve fondamentalë,” tha Sejko. “Nga ana tjetër, forcimi relativisht i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë dy muajve të fundit ka pasqyruar veprimin e faktorëve specifikë të tregut valutor,” vijoi ai në deklaratë duke e konsideruar forcimin e muajve të fundit si “afatshkurtër”.

Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve, Sejko shkoi më tutje duke bërë thirrje të hapur kundër konvertimit të eurove në lekë dhe duke paralajmëruar dobësim të lekut.

“Unë i bëj thirrje gjithë agjentëve ekonomikë që të mos bëjnë veprime të nxituara paragjykuese mbi nivelin e kursit, pra të mos bëjnë konvertime të nxitura nga luhatjet e kursit të këmbimit, pasi mund të pësojnë humbje në të ardhmen”, tha ai.

Fondamentat e kursit të këmbimit janë treguesit statistikorë që paraqesin kërkesën ose ofertën për një monedhë në ekonomi, të tilla si deficiti tregtar, deficiti i llogarisë korrente apo rritja e prodhimit ekonomik. Banka e Shqipërisë ka ndërtuar një model statistikor për të matur vlerën e lekut sipas këtyre fondamentave si dhe për ta krahasuar me kursin real të këmbimit valutor. Në raportin e fundit të bankës dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, ka një shpjegim mbi ecurinë e lekut sipas kushteve teorike dhe atyre reale.

“…analizat tona sugjerojnë se ecuria e kursit ka qenë përgjithësisht në linjë me faktorët e vet fondamentalë. Gjithsesi, ndonëse në masë të vogël, shmangie nga kjo ecuri vihen re në periudhën 2009 – 2016, kur kursi real i këmbimit ka qenë më i dobët se ai i diktuar nga fondamentet, dhe në periudhën 2016 – 2017, kur ky kurs shfaqet më i fortë se niveli teorik i përcaktuar nga fondamentet”, shkruhet në raportin e BSH. [Link raporti]

BIRN pyeti Bankën e Shqipërisë se si shpjegohet kjo mospërputhje mes deklaratave të mëparshme të guvernatorit që ia dedikojnë forcimin vetëm fondamentave dhe rezultatit të matjes së këtyre fondamentave, pasqyruar nga raporti vjetor. Në një përgjigje me shkrim [link përgjigjja], BSH sugjeroi se modeli statistikor për matjen e vlerës teorike të lekut sipas fondamendave mbështetet në të dhëna statistikore të cilat nuk mbartin garanci për saktësi ose që janë të “paobservueshme”.

“…vlerësimet pikësore të variablave të tillë të pa-observueshëm ekonomikë, si niveli i prodhimit potencial, kursi ekuilibër apo norma natyrore e papunësisë, janë gjithnjë subjekt pasigurie,” shkroi BSH.

Pavarësisht se matja e fondamentave nuk mund të jetë 100% e saktë nga pikëpamja praktike, grafiku tregon nënçmim me disa pikë përqindjeje të lekut në raporti me euron dhe dollarin për periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2016 ndërsa shfaqet një mbiçmim i lekut gjatë dy viteve të fundit me tendencë thellimi në fund të vitit 2017.

Që të dyja, pra nënçmimi i matur në vitet e mëparshme dhe mbiçmimi i matur në dy vitet e fundit nuk mund të merren si fakte për shkak të atyre që BSH i quan “variabla të pa-observueshëm ekonomikë”. Një nga këto variabla të paovservueshëm është edhe të ardhurat e pamatshme nga aktiviteti kriminal. Shqipëria është konsideruar prej shumë kohësh një vend prodhues i drogës së lehtë si marijuana dhe një vend tranzit për drogat e rënda. Prodhimi i marijuanës duket se shënoi kulmin në vitin 2016 ndërsa stoqet e prodhimit të atij viti duket se vijojnë të shfaqen në njoftimet e policisë shqiptare, të policisë italiane dhe asaj greke. Që të treja kanë konfiskuar sasi të paprecedentë të marijuanës gjatë dy viteve të fundit, gjë që sipas qeverisë shqiptare, tregon përmirësimin e forcës goditëse të policisë, por që për shumë të tjerë tregon përmasat e jashtëzakonshme të këtij trafiku.

Forcimi i lekut mbart komplikime të shumta makroekonomike. Eksportuesit sakaq kanë shprehur shqetësimin se fitimet e tyre po gërryen nga ky forcim. Një pjesë e konsiderueshme e eksporteve shqiptare përbëhet nga prodhimet e industrisë fason kur shpenzimet janë në lekë dhe të ardhurat janë në euro. Ndërsa të ardhurat në euro vlejnë sot afro 8% më lirë se sa dy vjet më parë, shpenzimet në lekë përbëhen në shumicën dërrmuese nga pagat e punonjësve dhe sigurimet shoqërore, të cilat nuk mundet që të reduktohen me lehtësi. Tekstilet dhe këpucët zënë rreth 43% të të gjitha eksporteve dhe kanë një rol disproporcional në punësim në krahasim me të ardhurat e tyre totale. Por eksportuesit e mallrave nuk janë të vetmit që dëmtohen nga forcimi i lekut. Edhe industria e turizmit, e cila në një masë jo të vogël faturon në euro do të duhet të rrisë çmimet ose të reduktojë fitimet gjatë sezonit të këtij viti. Të ardhurat e qeverisë janë gjithashtu shumë të ndjeshme nga forcimi i lekut pasi shumica e taksimit kryhet në dogana ku faturat e importit këmbehen me kursin mesatar të këmbimit valutor para se t’u llogaritet vlera e taksës.

Guvernatori Sejko la të kuptohet gjatë konferencës së djeshme se Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në treg në rast se do ta shohë të arsyeshme.

“Një gjë është e sigurtë që ne kemi flukse të larta hyrëse të euros në ekonomi. Por dhe forcimi ose mbiçmimi i kursit të këmbimit përtej parametrave mund të jetë dhe si pasojë e faktorëve spekulativë në treg,” tha Sejko.

“Duke pasur objektiv kryesor stabilitetin e çmimeve, ne monitorojmë me kujdes tregun dhe do të reagonim në rast të tillë, në përputhje me regjimin tonë të politikës monetare. Dhe pikërisht këtë po bëjmë, po monitorojmë kursin e këmbimit në mënyrë ditore, në bazë të parametrave dhe kritereve, duke përcaktuar dhe strategjinë tonë të reagimit sipas instrumenteve konvencionalë të politikës monetare”, shtoi ai.

Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor me dy mënyra: përmes një deklarate orientuese për tregjet dhe përmes ndërhyrjes së drejpërdrejnë në blerjen apo shitjen e monedhave. Deklarata paralajmëruese e BSH kundër konvertimit të nxituar të eurove në lekë hyn në llojin e parë të ndërhyrjeve.

Share: