Home KRYESORE Dëshmitari X kërkon azil në Kosovë: Në Shqipëri do më vrasin

Dëshmitari X kërkon azil në Kosovë: Në Shqipëri do më vrasin

Autoritet në Prishtinë kanë marrë në pyetje “Bashkëpunëtorin X” të PD, Albert Veliun 24 orë pasi ai kërkoi azil në Kosovë.

“Kam frikë për jetën. Nëse me ktheni në Shqipëri do të më vrasin”.Ky ka qenë deklarimi Albert Veliut që përbën edhe bazën e kërkesës për azil. Së bashku me të birin ai është duke u mbajtur në qendrën e azil kërkuesve, raporton Report TV.

Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës është duke shqyrtuar kërkesën për azil të Albert Veliut, nëse ajo është në përputhje me nenin 5 të ligjit “Për azilin në republikën e Kosovës ku thuhet se: “Republika e Kosovës mund t’ju japë mbrojtjen e përkohshme personave që duhen mbrojtur, për aq kohë sa ata i ekspozohen një rreziku të përgjithshëm të rëndë”.

Ligji për azilin në Kosovë parashikon që aplikantit për azil, t’i jepet një përgjigje gjashtë muaj që nga dita e paraqitjes së kërkesës. Paraditen e të Hënës Veliu sëbashku me të birin, u ndaluan gjatë një kontrolli normal në zonën e Shtimjes në afërsi të Prishtinës. Rezultoi se ata nuk e kishin kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrë të rregullt.

Hetimet paraprake të policisë së Kosovës kanë zbuluar se Albert Veliu dhe i biri nuk figuronin të riregjistruar në sistemin e kufirit si në atë të Kosovës dhe TIMS në Shqipëri. Kaq ka mjaftuar për policinë e cila ka njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Prishtinës e cila ka urdhëruar arrestimin e tyre.

Ndaj tyre është ngritur akuza për kalim të jashtëligjshëm kufiri. Po ashtu prokurori i ngarkuar për këtë çështje e ka kërkuar arrestimin edhe për shkak të dyshimeve të tjera. Menjëherë pas arrestimit Veliu i ka deklaruar prokurorit të çështjes se kërkon azil politik.

Share: