Home KRYESORE Raporti për votimet në OBK, Shqipëria nuk figuron ndër aleatët kryesorë të...

Raporti për votimet në OBK, Shqipëria nuk figuron ndër aleatët kryesorë të SHBA-së

Shqipëria e konsideron SHBA-në aleat strategjik, por votimet në OKB tregojnë për një ftohje të shpejtë të kësaj aleance.

Brenda një viti, pozicioni i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka pësuar ndryshim të shpejtë dhe vendi ynë nuk është më ndër aleatët më besnikë të amerikanëve në këtë organizatë.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley ka dorëzuar në Departamentit e Shtetit raportin për mënyrën se si shtetet kanë votuar në Asamble për rezoluta të ndryshme.

Në raport është krahasuar vota e secilit shtet me votën e SHBA, çka e bën shumë të lehtë identifikimin e aleatëve të amerikanëve në OKB.

Shqipëria e konsideron SHBA-në aleat strategjik, por votimet në organizatë tregojnë për një ftohje të shpejtë të kësaj aleance. Në vitin 2016-të, votat e Shqipërisë dhe SHBA-së përputheshin në masën 75.3%, ndërkohë që në vitin 2017-të kjo përqindje ka rënë në 52.

Vota e Shqipërisë dhe SHBA në vitin 2016: 64-Njësoj; 21-Kundra; 14-Abstenime; 0-Mospjesëmarrje; 75.3%-Përputhja e votave

Votat e Shqipërisë dhe SHBA në vitin 2017: 35-Njësoj; 31-Kundra; 27-Abstenime; 0-Mospjesëmarrje; 52%-Përputhja e votave.

Ndonëse në 2017-n ka patur gjashtë votime më pak në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, rezolutat ku Tirana dhe Uashingtoni kanë patur të njëjtin qëndrim janë përgjysmuar. Gjithashtu, ka një rritje të konsiderueshme të votimeve të Shqipërisë që kanë qenë në linjë të kundërt me SHBA-në, si dhe momentet kur vendi ynë ka abstenuar dhe nuk ka dhënë një votë të qartë.

Më këto vota, Shqipëria renditet në vend të 17-të sa i përket qëndrimeve të njëjta me SHBA-në.

Aleatët më të fortë të SHBA-së në OKB janë:

Izraeli-94%

Mikronesia-72%

Kanadaja-69%

Australia-60%

Mbretëria e Bashkuar-60%

Franca-58%

Palau-56%

Republika Çeke-54%

Hungaria-54%

Polonia-54%

Ukraina-54%

Ambasadorja Haley ka theksuar se qeveria amerikane do të rishikojë ndihmat që jep për ato shtete që nuk e mbështesin në vendimet që merren në OKB.

Gjithsesi, duhet theksuar se Shqipëria së bashku me Kroacinë (52%) mbeten shtetet më pranë SHBA-së në Ballkan, me Serbinë (38%) që qëndron e fundit.

Shtetet që kanë përputhjen më të vogël të votave me SHBA-në janë Burundi (14%), Zimbabve (14%), Irani (15%), Siria (15%), Koreja e Veriut (16%), Turkmenistani (16%), Venezuela (16%), Bolivia (17%) dhe Kuba (17%)./Politiko.al

Share: