Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Sëmundja Holandeze dhe droga shqiptare

Sëmundja Holandeze dhe droga shqiptare

Ndërsa kreu i parlamentit pretendon se Europa i ka mësuar Shqipërisë, krimin, drogën dhe korrupsionin, duke marrë për shembull Holandën, shteti i vogël në veri të Europës mbart një leksion më pak të njohur se sa politika e tolerancës mbi drogat e lehta: quhet Sëmundja Holandeze dhe ka të bëjë me ekonominë.

Autor: Gjergj Erebara  BIRN

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i habitën disi shqiptarët më 9 maj, ditën simbol të paqes dhe mirëqenies në Europën e bashkuar si dhe ditën e fitores së demokracisë ndaj nazi-fashizmit. Rama argumentoi se deputetët holandezë që u bënë lajm në Shqipëri me deklaratën e tyre se “Shqipëria nuk është gati” për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, vështirë se kanë kohën, burimet dhe ekspertizën e duhur për të bërë një vlerësim të dytë, ndërkohë që Komisioni Europian ka vënë në dispozicion të vlerësimit të ecurisë së Shqipërisë burime, ekspertizë dhe metodologji vlerësimi për të dalë në rekomandimin për hapjen e këtyre bisedimeve. Ky është një argument që teknikisht qëndron, po të mos merret parasysh fakti se sovraniteti në Bashkimin Europian është në vendet anëtare dhe jo në Komisionin Europian të Brukselit dhe se politikanët në vendet anëtare vendosin mbi parime politike, ku vlerësimi teknik i KE-së është vetëm një nga elementët në llogari.

Ruçi nga ana e tij tregoi se këto 27 vjet përpjekje për anëtarësim në BE nuk i kanë mësuar gjë as mbi ligjin dhe as mbi vlerat Europiane. Ai deklaroi se Shqipëria e ka mësuar drogën, krimin dhe korrupsionin nga BE sepse sipas tij, në kohën e Komunizmit Shqipëria nuk i kishte probleme të tilla. Duket sikur problemi është që kriminelët europianë po bëjnë krime në Shqipëri dhe po fshihen të pandëshkuar në Europë, kur në fakt ndodh e kundërta. Duket sikur Holanda po furnizon Shqipërinë me drogë dhe jo që Shqipëria po furnizon Europën.

Nejse!

Përpos të qenit vend me politikë tolerance ndaj posedimit, tregtimit dhe konsumimit të sasive të vogla të drogave “të lehta”, Holanda njihet nga ekonomistët edhe për një fenomen ekonomik shumë të hidhur: Sëmundja Holandeze!

Sëmundja Holandeze është termi që përdoret për ndikimin negativ të shkaktuar në një ekonomi nga çdo fenomen që shkakton një rritje të fortë të të ardhurave në valutë të huaj në një vend. Quhet e tillë sepse Holandës i ndodhi ky problem në vitet ’50, kur në rajonin verior të Groningenit u zbulua një rezervë e madhe e gazit natyror. Holandezët filluan ta eksportonin këtë gaz në vendet fqinje të uritura për energji, duke marrë të ardhura të bollshme në valutë të fortë. Por këto të ardhura të lehta sollën forcimin e monedhës kombëtare të Holandës, rrjedhimisht importe shumë më të lira dhe eksporte më të shtrenjta. Këto lloj të ardhurash shkaktojnë largimin e aktivitetit ekonomik në këtë vend pasi prodhuesit e mallrave apo shërbimeve shkojnë të kërkojnë vende më të lira për aktivitetin e tyre. Kjo është pjesa e parë e problemit. Pjesa e dytë ndodh më vonë, kur burimi i të ardhurave në valutë të fortë shteron, duke e lënë ekonominë njëkohësisht pa këto para të lehta dhe pa industrinë, bujqësinë e shërbimet që janë vrarë nga forcimi i monedhës kombëtare.

Fenomeni i sëmundjes holandeze është i hidhur edhe për faktin e pabarazisë që shkakton mes popullsisë. Ndërsa të ardhurat nga gazi apo nafta përfitohen nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë, pasojat nga forcimi i valutës dhe largimit të aktivitetit ekonomik vuhen nga pjesa më e madhe e popullsisë.

Leku shqiptar shënoi një rekord të ri shumëvjeçar dy ditët e fundit, kur një euro u shkëmbye me më pak se 127 lekë. Dy vjet më parë, euro shkëmbehej me 140 lekë. Disa parapëlqejnë të thonë se ky forcim reflekton fuqizimin e ekonomisë shqiptare, ose politikën e deeuroizimit, por të dyja argumentet duket se janë të pambështetura në statistika konkrete. Nëse ekonomia do të fuqizohej aq sa të shkaktonte forcim të monedhës kombëtare, kjo ka gjasa do të shoqërohej me shkallë më të lartë rritjesh pagash dhe shkallë më të lartë inflacioni, gjë që nuk ka ndodhur. Pagat janë në stanjacion prej shumë vitesh dhe inflacioni është anemik.

Spekulimi është që së paku një pjesë e forcimit i dedikohet parave të pista, të siguruara nga eksporti i stërmadh i marijuanës dhe drogave të tjera drejt Europës. Këto para po kanalizohen më së shumti përmes sektorit të ndërtimit në ekonominë reale. Sektori i ndërtimit ka njohur rritje të madhe gjatë dy viteve të fundit, ndërkohë që kreditimi i ekonomisë nga bankat ka mbetur njësoj si dy vjet më parë. Duket se Shqipëria, ose më saktë, krimi i organizuar shqiptar, ka gjetur me të vërtetë ‘naftë’ në formën e kanabisit apo drogave të tjera. Aktiviteti ilegal vështirë se mund të matet me saktësi, por fakti është se përgjatë dy viteve të fundit, disa dhjetëra tonë kanabis janë kapur nga policia shqiptare si dhe nga policitë e vendeve fqinje Itali e Greqi. Kapjet në përmasa të tilla sugjerojnë se sasia e drogës që mund të ketë kaluar detin pa u kapur nga policia është disa herë më e lartë ndërsa çdo ton kanabis i eksportuar me sukses mund të sjellë në Shqipëri deri në 1.5 milionë euro.

Leku ndërkohë po forcohet, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm për punësimin, si industria fason të themi po vuajnë. Fasonistët shqiptarë punojnë një një treg me konkurrencë të fortë, ku pak gjë ndan vendimin për të prodhuar një palë xhinse në Shqipëri apo në Bangladesh ose Kinë. Fasonistët e kanë të vështirë që të absorbojnë një rënie në të ardhura si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit për shkak se shpenzimet e tyre dërrmuese janë paga, të cilat paguhen sipas pagës minimale e nuk mund të ulen më tutje. Një forcim i mëtejshëm i lekut ose qëndrimi i lekut në kuotat aktuale për një periudhë të gjatë ka gjasa të kthehet në një lloj sëmundjeje holandeze, e cila mund të dëmtojë edhe atë pak industri që Shqipëria ka aktualisht. Dhjetë përqind forcim i monedhës kombëtare në më pak se dy vjet është një lëvizje e konsiderueshme. Fitimet bruto vjetore të një fabrike eskportuese mund të jenë më pak se kaq.

Bashkimi Europian ka një listë të gjatë me rekomandime sa i përket drogës, krimit e korrupsionit. Një nga rekomandimet e shprehura në raportin e fundit të progresit është nevoja që organet ligjzbatuese shqiptare të punojnë më fort për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar paratë dhe pronat e krijuara nga aktivitetet kriminale. Konfiskimi i këtyre pronave është mënyra më e mirë e luftimit të krimit e drogës dhe kjo është një punë më e thjeshtë se sa gjurmimi i çdo rrënje kanabisi të mbjellë në Shqipëri. Llogaritë bankare, pallatet dhe makinat luksoze janë më të vështira për t’u fshehur se sa rrënjët e kanabisit. Para se t’i tregojmë vendin Europës duke e akuzuar se na ka mësuar krimin dhe korrupsionin, duket se kemi ca punë më të rëndësishme për të bërë.

Share: