Home KRYESORE ”Ta ruajmë’’ shqipen nga vetë shqiptarët! Nga Behar Gjoka

”Ta ruajmë’’ shqipen nga vetë shqiptarët! Nga Behar Gjoka

“Lutja e shkrimtarit” një testament i gazetës “Albania’’, ku më qartë se gjithkund dhe se gjithëherët, zbulohet fuqia, shpirti, fryma e Konicës, teksa shprehet: “Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”. Më erdhi në mend, ashtu si në jo pak herë këtyre moteve, teksa një grup pedagogësh, studiuesish të gjuhës dhe historisë, si dhe të disa shkrimtarëve, që i janë drejtuar me një letër të hapur vetë kryeministrit, zotit Rama, kundër akademikëve, të fushës së gjuhës, të cilët prej kohësh po prishkërkanë gjuhën.

Pra, akademikët e gjuhës, bëjnë të kundërtën e misionit të tyre, duke shkatërruar paratë e taksapaguesve. Shqetësimi i gjuhëtarëve, që nuk janë akademik, dhe i të tjerëve, duket se vjen në publik, për të disatën herë, sepse kanë qenë të pranishëm në median vizive dhe të shkruar. Pa më të voglin dyshim, mendimi i tyre, por edhe i të tjerëve, të cilët mendojnë ndryshe nga dy palët e sipërpërmendura, duhet marrë në konsideratë, në tryezat shkencore, në konferenca të ndryshme, që do të zhvillohen në gjithë hapësirat shqiptare.

E reja, që përçon letra, lidhet me faktin se kërkon ndërhyrjen e kryeministrit, pra të politikës. Shpesh herë, këshilli akademik, i krijuar në një kohë tjetër, kur në pushtet ishin të djathtët, në mënyrë absurde, kanë zhvilluar takime dhe mbledhje nën trysni dhe gati në ilegalitet. Pra, nuk ma do mendja se njëra palë e gjuhëtarëve, janë kombëtar, e tjetra antikombëtar, por janë ekspertë, që kanë humbur komunikimin dhe nga skaljone të ndryshme, lëshohen me akuza dhe kundërakuza.

Gjuha shqipe, sistemi tërësor, ku pëfshihet gjuha e njësuar, variantet e shkruara, si dhe të folmet e larmishme, është e vetmja gjuhë e rajonit, që ka në themel martirët e fjalës, mendjet e ndritura të genit shqiptar, të cilët dhanë jetën, që të mos shuhet ama e shqipes. Pjetër Budi, njëri ndër ta, poeti i parë i letrave shqipe, është pa varr, sepse e mbytën në lumin Drin, sidomos për shkak të librave të shkruara në gjuhën shqipe. Për fjalën shqipe, për mallin dhe prushin e saj, që e ndizte shpirtin e shqiptarëve, derdhën gjakun e tyre, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Fjala shqipe, parëlindur me Mesharin e Buzukut, ngjizur në poemat e De Radës, shqiptuar me rrezëllima në penën e Naim Frashërit, thadruar në vrundujtë zhurmues të Fishtës, ngjyer në sharmin modern të Migjenit, Kutelit, Poradecit, Koliqit, Kadaresë, Pashkut, Trebeshinës, Camajt, Podrimes, Agollit, Arapit etj. , gjellin e përbashkët, si njësi unike.

Ky visar, letrar dhe gjuhësor, që tejkalon kohën dhe hapësirën, nuk ka shumë gjasa, që të jetë pronë dhe hipotekë, vetëmse zyrtare. Gjuha e letërsisë dhe gjuha e njësuar nuk ka gjasa që të përputhen, sepse letërsinë nuk e përlind gjuha e njësuar, por gjuha e autorit. Gjuha shqipe, institucioni i vetëdijes së qenies, nuk i përket vetëm kësaj kohe, por ngërthen të kaluarën dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Shqipja, pasuria më e vyer e trashëgimisë tonë, limfa frymëdhënëse e idealit të kombit, nuk i përket dhe nuk mundet që të trajtohet si fragment i politikës shtetërore, sepse trojet ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe, janë më të gjera. Gjuha, pamëdyshje me të gjitha asetet e saj, ndërkaq nuk ka shans që t’u përkas vetëm gjuhëtarëve, ndonëse janë rojtarët vijëruajtës, siç ka përcaktuar më herët F. De Sosyr, janë pjesa më e rëndësishme e studimit, analizës së prirjeve të gjuhës.

Të gjendur në zgripin e mosmarrëveshjeve, të dy palët e gjuhëtarëve, ku akademikët janë për ndryshime sipërfaqësore, që duan të ngjyrosin dhe retushojnë standardin. Grupimi tjetër, ku një pjesë janë firmatarë të letrës, nuk pranojnë as të diskutohet për këtë ide. Herët a vonë, duke parë përhapjen e paskajores, shtrirjen e saj në ligjërimin bisedor dhe të shkruar, si dhe duke qenë vetë paskajorja një element që zgjeron frymëmarrjen e gjuhës së njësuar, një ditë edhe gjuhëtarët do të debatojnë edhe për të, pra për nyjen gordiane të sitemit të gjuhës shqipe.

Nëse nuk debatohet, për paskajoren dhe për disa aspekte të tjera të gjuhës shqipe, si sistem tërësor, që kanë dalë në pah fill pas viteve ’90, vërtet ka rrezik që të shfaqen dy linja të gjuhës shqipe, të cilat e rrezikojnë unitetin kombëtar. Gjuha e njësuar, duhet kuptuar mirë nga palët në konflikt, madje nga të gjithë folësit, që flasin dhe mendojnë shqip, nuk shënon fillimin e zanafillës së gjuhës shqipe, por është vetëm një cak, ku përmblidhen arritjet e shqipes së shkruar.

Gjuha e bukur shqipe, që u mbijetoi kaq shekujve, pushtimeve dhe ndalimeve, në shekullin e ri, gjendet e rrezikuar nga vetë shqiptarët. A nuk janë, vetë shqiptarët, të cilët pa të keq, gëlltisin pa u menduar shumë, shkronjat -ë dhe -ç, shenjuese dhe bartëse të semantikës ligjërimore të shqipes së shkruar? A nuk janë media, administrata shqiptare dhe shkolla, pavarësisht nivelit, që janë kthyer në model të mediokritetit kulturor, në shkrimin e gjuhës shqipe? Aq më tepër, a nuk është vetë politika shqiptare, e majtë dhe e djathtë, që ushtron trysni mbi ligjërimin e shqipes, me fjalor dhe fraza të gjuhëve të huaja? Megjithatë, politika shqiptarçe, në parlament dhe në debate mediatike, përdor fjalorin më të zi të shqipes, për të skicuar kështu tragjikomedinë e ligjërimit të saj.

Shkrimi i gjuhës së standardit, që përbën shqetësimin kryesor të letrës, është problem madhor, por nuk është i pazgjidhshëm. Kjo rrethanë, merr udhë me një vendimarrje, madje të përfolur nga vetë kryeministri, me rikthimin e korektorëve dhe redaktorëve gjuhësor në çdo institucion, shtëpi botuese dhe redaksi të medias së shkruar dhe vizive. Ky moment kërkon vendimarrje politike, ndërsa gjuha shqipe, me të gjithë treguesit e vetë, me gjuhën e standardit, të varianteve apo të folemeve, nuk mundet të kuptohet pa komunitetin e gjuhëtarëve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe të gjithë folësve të saj.

Gjuha shqipe, ndërkaq është atdheu i qenies shqiptare, e prandaj marrëdhënia me të, vetiu të sjellë në mend porosinë e Mit’hat Frasheri, kur nënvizonte: “Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri per çdo cep të Shqipërisë.” , pra për secilën pjesë të sistemit të gjuhës shqipe. Prandaj, nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka politika, me një problem të gjuhës, kur madje debati është gjuhësor. Shqetësimi, një përpjekje për të shpëtuar shqipen nga shqipja, me gjasë nga vetë shqiptarët, sepse vlerë dhe pasuri kombëtare është gjuha shqipe, më të gjithë përbërësit, variantet dhe te folmet, me realizmin e situatës ku edhe gjendemi, të materializimit të diversitetit (ndryshueshmërisë) gjuhësor, pra edhe kulturor.

Share: