Home KRYESORE Tahirin nuk e dorëzoi Rama, por e kapën gjermanët!

Tahirin nuk e dorëzoi Rama, por e kapën gjermanët!

0

Tani që ka kaluar gati një javë nga dorëheqja e Saimir Tahirit si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjërat janë bërë shumë më të qarta. Ish ministri i Brendshëm, pavarësisht fjalimit patetik dhe përbetimit se nuk kishte nevojë për mandatin e deputetit në përballjen e tij me drejtësinë, e ndërmori atë akt si lëvizjen e fundit që i kishte mbetur. Presioni ndërkombëtar, në veçanti ai i Berlinit, të cilin kryeministri Rama e ka mohuar në të gjitha rastet, nuk i la asnjë shteg tjetër.

Vetëm dy javë më parë se të jepte dorëheqjen, Tahiri u paraqit në Kuvend për të mos e djegur mandatin e deputetit dhe në mbrëmje, i pyetur në mënyrë eksplisite në emisionin e Eni Vasilit se nëse besonte tek pafajësia e tij përse nuk i dorëzohej drejtësisë, ish ministri deklaroi se nuk kishte ndërmend të bënte një akt të tillë. Vizita e Edi Ramës në Berlin, ishte pika e kthesës që e detyroi atë të shkonte drejt lëvizjes së fundit.

Kryeministri shqiptar, deri para asaj vizite, ishte munduar që çështjen Tahiri ta trajtonte si një problem të drejtësisë dhe drejtësinë si një pushtet të pavarur nga mazhoranca që ai drejton. Sigurisht që kjo fabul e Ramës, vështirë të kapërdihej pas akrobacive që deputetët e tij bënë për ta mbrojtur me votë Tahirin në parlament. Ambasadori amerikan Donald Lu, e tha hapur në emisionin e Blendi Fevziut se “nuk jemi pranë përfundimit të çështjes, por është pozicioni i Qeverisë së SHBA dhe i Ambasadës së SHBA se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët…”. Mesazhi ishte i drejpërdrejtë se mbrojtja e Tahirit ishte një mbrojtje politike nga mazhoranca, jo një vendim i drejtësisë dhe për këtë qeveria e SHBA kishte një qëndrim të qartë.

Megjithatë, duke besuar se me marifetet demagogjike të drejtësisë së pavarur do ta hidhte edhe lumin e Berlinit, Edi Rama tentoi deri në fund të mbante edhe Tahirin edhe integrimin. Rezultati i vizitës ishte katastrofik. Çështja e ish ministrit të tij, u konsiderua si publikisht ashtu edhe privatisht si një gurë prove për besueshmërinë e qeverisë në angazhimin e saj për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, pavarësisht përkatësive partiake. Për këto qëndrime të Gjermanisë u fol shumë, madje Edi Rama jo vetëm i mohoi por edhe i cilësoi si akuza të opozitës shqiptare të përkthyera në gjermanisht, duke ia faturuar madje një deputeti të vetëm, të cilin media pranë tij e kryqëzoi deri në jetën private. Por për të mos lënë asnjë shteg për interpretime abuzive, reporteri i grupit të CDU për Shqipërinë në Bundestagun gjerman, deputeti Thorsten Frei, në një intervistë për Panoramën deklaroi troç:

“Po, unë e adresova çështjen “Tahiri” përsëri. Sërish unë nuk mbeta i kënaqur me përgjigjen nga z.Rama. Kundër ish ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri, ekziston një dyshim i fortë korrupsioni në sajë të informacioneve nga Policia italiane. Meqë shumica e Parlamentit shqiptar nuk kishte dëshirë të hiqte tërësisht imunitetin e Tahirit, hetimet e plota mbi këtë çështje janë parandaluar. Nga këndvështrimi im, bëhet e qartë se procedurat dhe ligjet ekzistuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kundër politikanëve dhe nëpunësve civilë të nivelit të lartë aplikohen me më pak përpikëri. Por të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Këto çështje vendosin besueshmërinë e të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë. Ky është gjithashtu një kriter thelbësor për ne kur flasim mbi kohën e duhur për të hapur negociatat e anëtarësimit”.

Pra, e thënë gjermanisht dhe e përkthyer në shqip, çështja Tahiri konsiderohet nga Gjermania si kriter thelbësor në raport me kohën e duhur për të hapur negociatat. Dhe këtu nuk është fuqia e jashtëzakonshme që propaganda dhe zëdhënësit e Ramës ia atribuuan opozitës në raport me Berlinin, por një fakt i thjeshtë: Saimir Tahiri ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i Edi Ramës në periudhën e kanabizimit të vendit, krahu i tij i djathtë dhe ministri më i besuar në kohën e kriminalizimit të policisë dhe lulëzimit të grupeve kriminale. Dhe në momentin që një dosje mbërriti nga Italia, kryeministri vendosi t’i japë mbrojtje politike zyrtarit të tij më të lartë që akuzohej për trafik droge dhe pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Kjo ishte përgjegjësia e Edi Ramës, të cilën ai nuk mund ta shmangte dot. Ai pati deklaruar se nëse prokuroria do të sillte qoftë edhe një fakt të ri, jo dhjetë por një, mazhoranca do të ishte e gatshme t’i hapte rrugë kërkesës për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm. Ai nuk mund të shkonte në takimin vendimtar të qershorit me barrën e Tahirit mbi supe, duke përsëritur fabulën e pushteteve të ndara.

Në këtë pikë, nuk ka patur nevojë për ndonjë marrëveshje të fshehtë, negociata apo pazare mes tij dhe Saimir Tahirit. Presioni ndërkombëtar i vendosi të dy në një pozicion pa një lëvizje të dytë. Nëse prokuroria do të përsëriste kërkesën e saj për arrestimin e Tahirit, që me shumë gjasë do të duhej ta bënte para takimit të qershorit në Bruksel, Edi Rama ishte i detyruar të hapte rrugë. Këtë e kishte të qartë edhe Tahiri, i cili mes prangave të sigurta që sillte kalimi i çështjes së tij nga parlamenti dhe mundësië për t’u hetuar në gjendje të lirë si një qytetar i zakonshëm, zgjodhi të dytën. Me shpresën se këtë herë, kur nuk i nevojitet më mbrojtja direkte politike, fabula e drejtësisë së pavarur mund të jetë më e kapërdishme për ndërkombëtarët. Me këtë lëvizje shpreson edhe Edi Rama që ish krahu i tij i djathtë të mos i shfaqet më si fantazëm sa herë të ulet në tryezat e Brukselit. Ai ka një arsye më shumë tani të bërtasë se kjo nuk është më një çështje e tij, por një çështje mes drejtësisë dhe një qytetari të zakonshëm. Se sa do të dëgjohet dhe se sa do të bindë, kjo do të jetë premiera e vërtetë pas provës gjenerale që dështoi në Berlin.

Armand Shkullaku / Lapsi.al

Share: