Home KRYESORE Vrasja makabre e kosovarit/ Kamerat e sigurisë fiksuan autorin: E kishte lidhur...

Vrasja makabre e kosovarit/ Kamerat e sigurisë fiksuan autorin: E kishte lidhur viktimën në sedilje

Policia shqiptare duket se është shumë pranë identifikimit dhe arrestimit të autorit të krimit makabër të ndodhur në Fushë-Krujë ku viktimë mbeti shtetasi kosovar Xhafer Osmani. Rezulton se 57 vjeçari babai i katër fëmijëve është dhunuar, vrarë dhe më pas, makinës ku ndodhej bashkë me të ishte vënë zjarri për të humbur çdo gjurmë.

Burime nga grupi hetimor thanë se  autori i dyshuar i krimit është një person rreth 35 vjeç, i cili është fiksuar nga kamerat e një karburanti disa metra larg vendit ku u gjet automjeti i djegur, raporton Ora News.

Nga sekuencat filmike, te regjistruara rreth 2-3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit ndërsa ky i fundit qëndronte i lidhur në sedilen e pasme të automjetit.

Policia ka bërë me dije se automjeti i 57 vjecarit është futur në rrugicën pranë karburantit rreth orës 10 të së shtunës ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë ne orën 13. Për të humbur gjurmët autori e ka fshehur automjetin në një zonë më kallamishte dhe më pas e ka djegur atë.

Rezulton se familja e Xhafer Osmanit ka denoncuar zhdukjen e tij mbrëmjen e së premtes ndërsa deklaruan se ai ishte nisur nga Mitrovica drejt Shqipërisë më datë 29 prill dhe prej kësaj dite nuk kane pasur asnjë komunikim.

Motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende por dyshohet se autorët kanë kryer ndaj tij tortura të ndryshme me synim marrjen e ndonjë të dhënë që u ka interesuar./Opinion.al

Share: