Home KRYESORE Ç’BËME ASHTU, O ZOT I MADH… rrëfim për…

Ç’BËME ASHTU, O ZOT I MADH… rrëfim për…

0

Nga Petrit Ruka

Ç’bëmë ashtu, o Zot i Madh,
Atë natë tek klasë e tetë,
Përmbi hartën e Ballkanit
Prishe vajzërinë e shkretë.

Ç’bëmë ashtu, o qiell i madh,
Pranë gjolit mbi Janinë,
Dy mësues të çmendur fshati
Ç’e përgjakën gjithë Greqinë.

Gjithë lumenjtë e katër dete
Poshtë kofshëve morën flakë,
Që nga Trojë e vajzërisë
Ti u ktheve në Itakë.

Njëri gji përmbi Bosfor,
Si xhamisë Sulejmanie,
Shtatëqind herë i putha pragun
Pa kuran e pa tespije.

Tjetrit – kishë pëmbi Lubjanë,
I këndoja psallme murgu,
E shkallmoja si kambanë
Me gishtrinjtë si maja sfurku.

Përmbi tokën paqerremë,
Që mban emrin- helm Ballkan,
Nën dy kryqet tanë prej mishi
Një nga një kufinjtë ranë.

Ç’bëmë ashtu, o Zot i Madh,
Pranë gjolit mbi Janine,
Dy mësues të varfër fshati
Ç’e përgjakën gjithë Greqinë…

Share: