Dëgjesa e Veliajt me arkitektët. Ja cfare u tha:

    Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mbledhur sot për një dëgjese publike urbanistët, arkitektët dhe specialistët e ndërtimeve në vend. Qëllimi është diskutimi për godinën e Teatrit Kombëtar, kushtet në të cilat ndodhet godina ekzistuese dhe si duhet ndërtuar teatri i ri.

    Përfaqësues të arkitektëve të pranishëm në takimin e thirrur nga Kryebashkiaku e cilësuan situatën si alarmante në ndërtesën e Teatrit.

    Urbanistët deklaruan se godina, për shkak të vjetërsisë, është jashtë standardeve dhe kushteve minimale. Sipas drejtorit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu “godina mund të rrëzohet dhe të zërë brenda aktorët, ndaj duhet të pezullohet aktiviteti”.Ai tha se është kërkuar nga drejtori i Teatrit Kombëtar mbyllja e aktivitetit derisa të gjendet zgjidhje për godinën.

    Po ashtu, edhe kreu zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj tha se godina e Teatrit Kombëtar, në situatën aktuale nuk garanton siguri në raste zjarri. Ai tha se janë bërë disa kontrolle në këtë godinë dhe janë vrejtur shkelje që nuk janë riparuar edhe sot. “Është kërkuar që ky institucion, për shkak këtyre problematikave duhet të mos vazhdojë më aktivitetin”,- tha Goxhaj.

    Shumica e ekspertëve të sigurisë për ndërtesat dhe urbanistët, e ftuar në takimin e Bashkisë së Tiranës, deklaruan se kemi të bëjmë me një situatë alarmante. Nëse arkitektët kanë qëndrime të ndryshme për godinën, deklaratat e zyrtarëve të shtetit duket se japin një ide për situatë afër tragjedisë. Nëse besojmë atë që thonë ata, Teatri Kombëtar mund të rrëzohet nga ora në orë.

    Takimi i sotëm i kryetarit të Bashkisë së Tiranës është pjesë e strategjisë së shpallur nga Edi Rama gjashtë muaj më parë, kur nisi dhe ideja e ndërtimit të një teatri të ri nga një kompani private.

    Por një tjetër qëndrim kanë artistët. Në deklaratat e tyre publike, alarmi për kushtet e këqija, të cilat sigurisht që ekzistojnë, bëhet nga ana e qeverisë për të justifikuar pikërisht shembjen e godinës dhe ndërtimin e një objekti të ri.

    Opinioni publik është vënë përballë ekspertëve të qeverisë që thonë se teatri rrezikon të shembet për shkak të vjetërsisë dhe duhet një i ri, dhe artistëve që kërkojnë ruajtjen e rikonstruksionin e kësaj godine edhe si vlerë kulturore e historike.

    Alarmi i arkitektëve dhe urbanistëve për një tragjedi të mundshme vjen në momentin kur artistët kanë nisur protestat e përditshme. Një pjesë e tyre thonë se do të hyjnë grevë dhe do të “pushtojnë” godinën. Sot ekspertët thanë se mund të ndodh më e keqja nëse nuk ndërhyhet për shembjen e godinës. Sipas tyre, godina mund të zërë poshtë artistët.

    Në këtë debat të madh publik ku luhet dhe me emocionet e qytetarëve, ende nuk dihet se cili do të jetë fakti i godinës së Teatrit. Aq më tepër që dy nga aktorët kryesorë që u prijnë protestave dhe kundërshtojnë, Robert Nrenika dhe Mirush Kabashi, sipas mediave janë takuar dje me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

    Fakti që dëgjesa e një takimi të tillë, punë zyrtare, u bë live në media tregon se plani për mbylljen, fillimisht të godinës, dhe me pas të shëmbjes, duket me pranë se kurrë. Kush kupton nga mënyrat e skemave politike, e ka të qartë se mbrëmë kryebashkiaku tiranas takoi kryetarët e protestës në hotel Tirana dhe sot kryeministri Rama do të bëjë gati për rrëzimin e godinës sapo të fillojnë pushimet e verës e ku aktorët do jenë duke nxirë lëkurën buzë detit.

    Fati i Godinës së Teatrit Kombëtar duket me shumë kurrë se do jetë shembja dhe themelet e kullave private, nesër.

    VIDEO LIVE/Dëgjesa me arkitektët dhe urbanistët

    Share: