Home KRYESORE Detajet/ Si e festoi PS-ja 27 vjetorin, mungesat që ranë në sy…

Detajet/ Si e festoi PS-ja 27 vjetorin, mungesat që ranë në sy…

0

Socialistët festuan dje 27-vjetorin e krijimit të partisë së tyre. Festimet u zhvilluan njëkohësisht në të 61 bashkitë e vendit, ndërsa në Tiranë, ceremonia festive u zhvillua në oborrin e Muzeut Kombëtar.

Mungoi në këtë ceremoni kreu i saj, Edi Rama, i cili ishte në Durrës me ministrat e tij në turin llogaridhënës. Ra në sy mungesa e disa figurave të vjetra të kësaj partie, si Servet Pëllumbi, i cili ka qenë gjithmonë prezent në çdo përvjetor, Namik Dokle, Arta Dade etj.. Mungesa u panë dhe nga partitë parlamentare, PD apo LSI, të cilat kanë marrë pjesë zakonisht me përfaqësuesit e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, tha se PSja është forca që po e çon vendin drejt integrimit europian. “Sot, 27 vite më vonë, Partia Socialiste është krenare që mbetet luftëtarja kryesore për integrimin europian të Shqipërisë. Sot beteja jonë është: të shtrojmë rrugën finale drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e bërë Shqipërinë pjesë reale të Europës. Po përse duhet jenë krenarë socialistët shqiptarë sot? Çdo socialist është krenar para qytetarëve shqiptarë, si kontribuues i madh i modernizmit të Shqipërisë”, tha Balla. Socialistët, sipas kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, transformuan kryeqytetin.

“Socialistët shqiptarë janë krenarë që kanë transformuar çdo qytet të Shqipërisë, çdo qendër të madhe urbane të saj, duke e rilindur dhe duke e bërë Shqipërinë të jetueshme në çdo skaj të saj. Socialistët shqiptarë janë po aq krenarë që me rikthimin tonë në krye të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti i cili rrezikonte të asfiksohej nën “gërhimat e gjumit” të Lulzim Bashës, sot po kthehet në destinacionet kryesore europiane të turizmit me imazhin e një qyteti modern”, tha Balla.

Kryetarja e PS-së së Tiranës, Blerina Gjylameti, vlerësoi betejat e kësaj strukture për zgjedhjet e 2017-s apo dhe ato për Bashkinë e Tiranës. Ceremoninë e djeshme në oborrin e Muzeut Kombëtar e hapi kryetari i parë i PS-së së Tiranës më 1991, Halil Lalaj, dhe tregoi arsyet e transformimit të PPSH-së në parti Socialiste.

“Tanimë, në 27 vjet, mund t thuash me plot gojën se Partia Socialiste është parti me histori. Na u desh të zgjohemi në 1991 dhe u zgjuam, u bëmë bashkë për veten tonë, për fëmijët tanë, për ata me të cilët ndanim halle të përbashkëta. Në Shqipëri, 160 mijë anëtarë të Partisë së Punës, 11 mijë në Tiranë dhe qindra- mijëra të tjerë, njerëz të thjeshtë, të lidhur me atë sistem, nuk mund të liheshin pa alternativë. Prandaj u zgjodh deviza jetëgjatë e socialdemokracisë, e cila na bashkoi dhe na bëri fitues”, u shpreh Lalaj. Ai kërkoi që debati të mos shuhet në PS.

“Një opinion përtej pensionistësh, sugjeron që debati i brendshëm në parti të mos mbetej në “na ishte një herë..”. Me dijen që partia është një organizëm i gjallë, me vetëdijen se kundërshtari i sotëm më i egër nuk është Berisha e aq më pak Basha, se kundërshtari i sotëm më i egër është vetvetja, me dëshirën për të qenë fitimtarë mbi çdo të keqe, ngado që të vijë, e mbyll këtë fjalë duke u uruar të gjithëve gëzuar festën e familjes sonë të përbashkët”, u shpreh Lalaj./360grade.al

ps festapsps1ps2

Share: