Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ligji i ri i Teatrit Kombëtar, shkatërrim i shtetit ligjor!

Ligji i ri i Teatrit Kombëtar, shkatërrim i shtetit ligjor!

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Sikurse, Exit.al paralajmëroi në muajin mars, qeveria po përgatit një ligj të veçantë për të shmangur procedurat e tenderit dhe të privatizimit të kërkuara nga ligji dhe për tja kaluar tokën publike direkt firmës private të përzgjedhur.

Tashmë Kryeministri Rama ka vendosur që të shmangë jo vetëm rrugën ligjore, por edhe transparencën publike që garantohet nga miratimi i një ligji në Kuvend, duke vendosur të ndërmarrë një nismë të paligjshme për të krijuar “bazën” për tjetërsimin e pronës publike.

Kryeministri Edi Rama, më 12 mars mbajti një fjalim ku zbuloi planet e firmës daneze të arkitekturës Bjarke Ingels Group (BIG) për godinën e re të Teatrit Kombëtar, i cili do të rrethohet nga një qendër tregtare, dhe godina të larta multifunksionale, të cilat do të zënë pjesën më të madhe të tokës që do të privatizohet.

Plani u kritikua sepse në mënyrë të pakuptimtë shkatërronte trashëgiminë kulturore dhe kalonte në mënyrë të paligjshme pronën publike në duart e një oligarku të afërt të qeverisë.

Firma e arkitekturës BIG, në faqen e saj zyrtare u vetëshpall “fituese” e një gare arkitekture, e cila, asnjëherë nuk u bë publike. Pavarësisht se në prill 2018, Exit.al e pyeti kompaninë BIG mbi procesin e konkurimit, kjo e fundit nuk pranoi të përgjigjej duke u fshehur pas justifikimit se “kemi nënshkruar një marrëveshje kontraktuale me klientin tonë për atë se çfarë mund të themi në publik”.

Por zëdhënësja e kompanisë BIG na drejtoi tek zëdhënësja e Bashkisë Tiranë Erka Mato, duke sqaruar se “ ja dërgova pyetjet tuaja Erka [Matos] nga zyra e Kryebashkiakut, e cila është më shumë se e lumtur t’u përgjigjet pyetjeve për konkursin”. Pas sugjerimit të kompanisë BIG, Exit.al ju drejtua Erka Matos e më pas disa zëdhënësave të Bashkisë Tiranë, të cilët njësoj nuk pranuan të përgjigjen.

Strategjia e ndjekur nga qeveria Rama është e qartë dhe abuzive. Toka publike në pronësi të Bashkisë Tiranë do të shpronësohet me negocim direkt me një kompani të vetme të paracaktuar, Fusha shpk, përmes një ligji të vecantë.

Ky i ligj i jep të drejtë kompanisë Fusha të mos i nënshtrohet procedurave të prokurimit publik, apo atyre të partneritetit publik-privat. Në këmbim të këtij favorizimi, kompania Fusha shpk ka punësuar një klient të hershëm të Kryeministrit që në kohën kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës, firmën e arkitekturës BIG.

Një formulë gati identike në çdo element është ndjekur edhe me projektin e stadiumit të ri futbollit Arena Kombëtare që po ndërtohet mbi tokën që dikur zinte Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa.

Kompania Albstar shpk u caktua të financojë dhe ndërtojë stadiumin duke e shpërblyer me tjetërsimin e tokës dhe mjediseve publike në favor të saj. Si në rastin e teatrit, ishte Kryeministri Rama që caktoi arkitektin që duhet të “zgjidhte” ndërtuesi, firmën Archea Associati të Marco Casamontit.

Ndryshimi i vetëm është se qeveria në rastin e teatrit të ri po përgatit një ligj të veçantë për të justifikuar veprimet e saj.

Sa do që të flasim, prapë nuk do të jetë e mjaftueshme për të theksuar se sa i rrezikshëm është ky zhvillim i ri për zbatimin e ligjit në vend. Ligjet bëhen për të lehtësuar funksionimin e përgjithshëm të shtetit dhe sistemit të drejtësisë ndërsa ligji i ri shënon fundin e shtetit ligjor dhe çdo koncepti të qeverisjes.

Funksioni i ligjit në çdo demokraci është të kufizojë sjelljen e qeverisë dhe të çdo lloj pushteti, por nën qeverisjen e Edi Ramës, ligji dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe ligjvënëse, janë kthyer thjesht në instrumenta për të zbatuar vullnetin personal dhe vendim-marrjen private të Kryeministrit, si dhe për t’i shërbyer interesave të një grushti kompanish apo individëve të vecantë.

Me këtë projektligj të ri, qeveria Rama po kalon pikërisht këtë prag: ajo ka përfshirë një kompani të veçantë, Fusha shpk, në legjislacionin shqiptar. Dhe pothuajse është e sigurt se ky ligj do të miratohet në Parlament, ku Rama ka  shumicën absolute.

Projektligji, nën titullin “Për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negocim dhe Lidhjen e Kontratës me Objekti “Projektimin dhe Realizimin e Projektit Urban dhe Goditës së re të Teatrit Kombëtar” parashikon ngritjen e një komisioni , kryesuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, roli i vetëm i të cilit është të negociojë brenda 30 ditëve një kontratë me kompaninë Fusha:

Neni 5 (1). Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit.

Në të njëjtën kohë, komisioni negociator do të marrë kontrollin e plotë mbi pronën publike në të cilën Fusha do të ndërtojë Teatrin Kombëtar dhe qendrën tregtare multifunksionale, e paracaktuar për tu bërë prona më e shtrenjtë në Tiranë. Në të njëjtën kohë, Fusha do të diktojë çdo term dhe kusht të kontratës:

Neni 7 (1). Kontrata midis Shtetit Shqiptar dhe partnerit privat reflekton termat e referencës së propozimit të paraqitur nga shoqëria “Fusha shpk” sipas këtij ligji, të cilat janë vlerësuar nga Komisioni Negociator dhe janë pjesë e pandashme e kontratës.

Duhet të theksohet gjithashtu se ligji i veçantë i heq kompetencën ligjore Këshillit Bashkiak të Tiranës për të miratuar ose refuzuar shpronësimin e tokës publike që zotëron. Arsyeja është e qartë: Partia Socialiste nuk ka shumicën e këshilltarëve në Këshillin Bashkiak. Sipas Nenit 8, do të jetë Këshilli i Ministrave që zyrtarisht do të miratojë kontratën përfundimtare.

Ky ligj përbën një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm që duhet të kritikohet nga BE dhe institucionet ndërkombëtare si një kërcënim serioz për sundimin e ligjit në Shqipëri. Po nëse qeveria Rama shkruan një ligj të veçantë që i jep bregdetit Samir Manes? Po nëse shkruan një ligj për të ndaluar hetimin ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri? Me futjen e këtij projektligji “të posaçëm” këto skenarë nuk janë më të paimagjinueshëm. Në fund të fundit, pse duhet shumica qeverisëse të shqetësohet për të respektuar ligjin, kur mund të shkruajnë një ligj të ri që miratohet me lehtësi nga shumica absolute që Kryeministri Rama ka në Parlament?

Me Gjykatën Kushtetuese të paralizuar dhe të paaftë për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e këtij projektligji të ri lidhur me Teatrin Kombëtar, nisma ligjore e Ramës paraqet një tjetër hap të rrezikshëm drejt një autokracie të plotë./exit.al

Share: