Home KRYESORE Çfarë do bëjë Ilir Meta për “Ligjin për Teatrin”?

Çfarë do bëjë Ilir Meta për “Ligjin për Teatrin”?

Nga Artur Zheji

Artistët i kanë shkruar dhe e kanë kërkuar mbështetjen e tij. Dhe kjo nuk është hera e parë në historinë politike të ndërveprimit Rama-Meta, që lidhet me artistët. Ishte ndoshta viti 2000 apo 2001, Meta kryeministër dhe KM-ja i sotëm, vetëm ministër kulture, si Mirela sot, shembullor në bindjen ndaj Kryeshefit dhe pasionant e i përulur në shërbimet ndaj tij.

Meta e mbështeti në “kthimin në identitet”, ide e Ramës, ku dhe u ribënë bukur e saktë, fasadat e ministrive të kohës së Zogut në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ndërsa ish ministri i kulturës, si shpërblim për besimin dhe fondet e posaçme të akorduara nga Meta, nuk linte banak Tv të kohës, pa nënvizuar se: “Shqipëria ka Kryeministrin më të mirë të të gjitha kohrave”, apo diçka e tillë.

Asokohe Meta dhe Rama, ishin në një marrëdhënie simbioze dhe me sa duket kishin një projekt për të ndërruar lidershipin e Partisë Socialiste dhe të ecnin politikisht dorazi, për shumë e shumë vite.

Mirëpo ish-ministri i djeshëm, si Mirela sot dhe sot KM, kishte “pasion” reformat dhe kërkoi, krejt në kundërshtim të me konceptin fillestar identitar, ta shembte godinën e Teatrit dhe ta strehonte diku gjetkë. Ishte në prag të kandidimit për kryetar bashkie të Tiranës, një tjetër “assiss” mirëbesimi që Meta përgatitej të bënte në favor të Ramës, që në të vërtetë, ishte i pëlqyer dhe me pritshmëri asokohe.

Por u ndez një betejë mediatike kundër tij në mbrojtje të Teatrit dhe Rama, megjithëse e kishte “Bingo”sur gjysmën e teatrit, ishte krejt i brishtë asokohe. Pastaj pati edhe një revoltë nga artistët e Operas dhe Baletit kundër drejtoreshës së atëhershme dhe të sotme Zana Çela dhe Ramës, dhe revolta e artistëve u majis e u bë e madhe dhe Meta u shqetësua dhe, duke qenë se kishte edhe luftë të brendshme politike me Fatos Nanon, nuk e pranoi sfidën e ish ministrit të kulturës, për ta çuar përplasjen deri në fund.

Sot kanë kaluar 17 vjet nga ato ditë dhe sot ish ministri i kulturës, Rama, si Mirela sot, është KM. Ndoshta Mirela nuk do të donte të përplasej e të masakrohej në këtë lloj mënyre, askush nuk e do, mirëpo urdhërat zbatohen dhe nuk diskutohen, dhe Mirela nuk do të donte ti rikthehej përkthimeve në ndonjë zyrë të vogël, me pak lekë dhe pa asnjë shenjë publike suksesi.

Tani “Ligji i posaçëm”, që është një mburojë juridike ndaj krimit, u votua bukur mirë. Edhe nga i “buti” Besnik Bare që ka një të kaluar si pasionant i “publikes” dhe “njerëzores”, edhe nga Erion Braçe, që luan besueshëm rolin e të “pamvarurit”, por u fut në rresht dhe u bë njësh me turmën, edhe nga Gramoz Ruçi, që për moshën që ka, mund të bënte ndonjë xhest trimërie, se kështu nga zëri dhe nga toni të merr në qafë kur bën sikur nxehet… mirëpo…

Tani sfida e “Nderit”, kalon nga refuzimi i admirueshëm i Majkos për të votuar si pjesë e kopesë, një projektligj, që ka hapësira për vënien në punë të ndërgjegjes qytetare personale, te “Dekretimi i Metës”, apo më saktë te mosdekretimi, që është, më e pakta që ai mund të bëjë, sepse e ka edhe detyrë, edhe borxh, edhe një “pagëzim presidencial”, për ato pak kompetenca që i janë lënë Presidentit, në vitin 2008 dhe në vitin 2016.

Reagimi i Metës-President, do të ngjallte shpresa të reja të artistët dhe do të risillte në vëmendje, në kushte normale, një debat me një platformë më të arësyeshme…/360grade.al

Share: