Home KRYESORE Poshtë një ylli të vogël…. Nga Wislawa Szymborska

Poshtë një ylli të vogël…. Nga Wislawa Szymborska

Përktheu Elona Caslli

I kërkoj falje fatit, kur e quaj domosdoshmëri.
Megjithatë, i kërkoj falje domosdoshmërisë, po u gabova.
Mos të mërzitet lumturia, kur e e quaj timen.
Të më falin të vdekurit që sapo i dogja në kujtesë.
I kërkoj falje kohës për botën që më rrëshqet çdo çast.
I kërkoj falje dashurisë së vjetër, kur i kushtoj vëmendje më shumë dashurisë së re.
Falmëni luftra të vjetra, kur mbaj lule në shtëpi.
Falmëni plagë të hapura, kur ju vë gishtin sipër.
I kërkoj falje atij që thërret nga humnera për diskun me minuet.
I kërkoj falje njerëzve nëpër stacione, kur bie të fle në orën pesë të mëngjesit.
Falmë ti shpresë e përndjekur, kur qesh ndonjëherë.
Falmëni shkretëtira që nuk vrapoj me një lugë ujë në dorë.
Dhe ti fajkua, gjithmonë i njëjti, po në të njëjtin kafaz,
I palëvizshëm, me shikimin e ngulur në të njëjtin vend,
ma jep lirinë, edhe në qofsh veçse zog i balsamosur.
I kërkoj falje pemës së prerë për katër këmbët e karriges sime.
U kërkoj falje pyetjeve të mëdha për përgjigjet e vogla.
Vërtetësi, të lutem mos ma vër veshin.
Seriozitet, të lutem ji zemërgjerë me mua.
Duroje misterin e ekzistencës, po tërhoqa ca fije nga rrjeta jote.
Mos më akuzo ti shpirt, po nuk të mbajta gjithmonë me vete.
I kërkoj falje gjithësisë që nuk mund të jem kudo.
U kërkoj falje të gjithëve që nuk mund të jem si të gjithë.
E di që për sa kohë jetoj, asgjë nuk më justifikon,
sepse unë vetë, jam pengesa e vetvetes.
Mos e zër me mua ti gjuhë,
kur të marr borxh ca fjalë patetike
dhe pastaj sfilitem
që t’i bëj të lexueshme.

Share: