Home KRYESORE Vetëvrasja e shoferit të Xhafajt, PD: Po harrohet, Prokuroria ka 10 ditë...

Vetëvrasja e shoferit të Xhafajt, PD: Po harrohet, Prokuroria ka 10 ditë që hesht

Partia Demokratike akuzon Kryeprokuroren, Arta Marku, se po bllokon dhe zvarrit të gjitha hetimet e rëndësishme kundër krimit, drogës dhe korrupsionit.

Përmes një deklarate për mediat, selia blu thekson se prej 10 ditësh Prokuroria po hesht në lidhje me hetimet e “vetëvrasjes” së shoferit të Fatmir Xhafajt.

“Prokuroria e Tiranës pasi shpalli që ditën e parë vetëvrasjen e shoferit të Xhafajt, pa bërë asnjë hetim, tani ka 10 ditë që hesht”,-citohet nga deklarata.

Sipas PD-së, që kur ndodhi vrasja e shoferit të Xhafajt, qëllimi i vetëm i Prokurorisë së Tiranës është manipulimi i hetimit dhe mashtrimi i publikut, ndaj brenda katër orësh ajo lëshoi një deklaratë të hartuar në zyrën e Fatmir Xhafajt se shoferi është vetëvrarë.

Duke theksuar se prej atij momenti, Prokuroria e Tiranës është zhdukur dhe nuk po bën më asnjë lloj transparence me shpresën së çështja do të harrohet.

Për demokratët është e njëjta taktikë që Rama dhe Xhafaj përdorën me audioregjistrimin e pazareve të drogës të Agron Xhafajt, duke e shpallur videon falso brenda pak orësh dhe për t’u zhdukur më pas.

“Bllokimi i hetimeve për vrasjen e shoferit të Fatmir Xhafajt vërteton përfundimisht se i gjithë sistemi i Prokurorisë kontrollohet nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Durrësit janë të gjitha marioneta në duart e Edi Ramës dhe instrumenta për të mbrojtur krimin në qeveri”,- shprehtet PD.

Më tej, theksohet se pas pas emërimit të Arta Markut, e cila ndryshoi të gjithë drejtuesit e sistemit të Prokurorisë, janë bllokuar dhe zvarritur të gjitha hetimet e rëndësishme kundër krimit, drogës dhe korrupsionit. Pa çlirimin e Prokurorisë nga kthetrat e Edi Ramës nuk do ketë drejtësi të vërtetë në vend!

Share: