Home KRYESORE Heqja e ligjit të luftës, Glevin Dervishi: Greqia na ka vënë në...

Heqja e ligjit të luftës, Glevin Dervishi: Greqia na ka vënë në dispozicion draftin

Greqia i ka vënë në dispozicion palës shqiptare draftin e abrogimit të ligjit të luftës. Kjo është konfirmuar nga Glevin Dervishi, këshilltar për rajonin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë një interviste për ‘Deutsche Welle’.

“Pala greke ka arritur që në negociatat e tanishme me palën shqiptare të kuptojë që Ligji i Luftës me Shqipërinë është një relike e historisë. Ajo është zotuar që abrogimi i tij të jetë pjesë e paketës së marrëveshjeve me Shqipërinë. Greqia na ka vënë tanimë në dispozicion një draft të abrogimit të ligjit, që duhet të bëhet me dekret nga Presidenti i Greqisë”, thekson Dervishi.

Abrogimi nga Greqia i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të nxjerrë nga ngërҫi i stërgjatur marrëdhëniet mes dy shtetevedhe dy popujve fqinjë. Ai do të bëjë të mundur së pari heqjen nga sekuestro preventive e pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë, që vazhdon që nga 1940. “Abrogimi i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të shoqërohet edhe me akte të tjera juridike, ku do të përcaktohen mënyrat dhe mekanizmat sesi shteti dhe qytetarët e Shqipërtisë do t’u drejtohen institucioneve e organeve, të përcaktuata nga autoritetet greke për të provuar pronësinë e tyre dhe fituar të drejtën e marrjes së saj, në bazë të dokumentave zyrtare që disponojnë”, thotë Dervishi.

Sa i përket marrëveshjes së detit, Dervishi është shprehur: “Kufiri i Detit Territorial Jon në kanalin e Korfuzit nuk ka një kufi të përcaktuar sipas kritereve të Konventës dhe të dakordësuar nga palët. Ajo që po bëjmë sot është negocimi për delimitimin e zonave detare në këtë zonë, sipas kritereve që përcakton Konventa. Procesi i negociatave për ndarjen e zonave detare mes dy vendeve udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare, nga Konventa mbi të Drejtën e Detit, nga parimet e të Drejtës Kushtetuese dhe legjislacionet respektive. Të njëjtin proces Shqipëria ka bërë dhe me Italinë në vitet 1980-1990, sipas kritereve që përcakton Konventa për sovranitetin dhe të drejtat sovrane.”

Share: