Home KRYESORE Historia e elefantit të lidhur me zinxhirë…. Nga Jorge Bucay

Historia e elefantit të lidhur me zinxhirë…. Nga Jorge Bucay

Përktheu: Elona Caslli

Kur isha i vogël, më pëlqente shumë të shkoja në cirk. I doja shumë numrat me kafshë. Më pëlqente shumë elefanti dhe më vonë kuptova se elefanti ishte kafsha më e dashur edhe për fëmijët e tjerë.

Pjesa, në të cilën shfaqej elefanti, tregonte qartë peshën, përmasat dhe fuqinë e tij të madhe. Më vonë, kur shfaqja arrinte drejt fundit , kur elefanti duhej të kthehej në çadër, vija re se ai qëndronte i lidhur me një hu të vogël druri që ishte ngulur në tokë. Një zinxhir sillej përqark këmbës së tij.

Huri ishte shumë i vogël dhe nuk ishte ngulur thellë në tokë. Zinxhiri që ishte rreth këmbës së elefantit ishte mjaft i gjatë, por ishte më se e kuptueshme edhe për mendjen e një fëmije si unë, që një kafshë e tillë, që kishte fuqi aq të madhe sa t’i shkulte pemët nga toka dhe t’ua hidhte të tjerëve, mund ta këpuste zinxhirin dhe të ikte.

Ky ishte misteri i elefantit. Ç’të ishte vallë ajo forcë që e mbante elefantin të lidhur me atë hu të të vogël? Pse nuk ngrihej të ikte?
Kur isha pesë apo gjashtë vjeç, i besoja shumë mençurisë të njerëzve më të mëdhenj se unë. Ndaj, pyeta mësuesen, babain dhe xhaxhain për misterin e elefantit. Nuk mbaj mend se si m’u përgjigjën në veçanti, por njëra prej përgjigjeve thoshte se elefanti nuk ikën sepse është i “ zbutur” .

– Kur është i “ zbutur” , pse e lidhin atëherë?!- pyesja veten.

Kurrë nuk mora një përgjigje të plotë për pyetjen time.

Me kalimin e kohës, e harrova misterin e elefantit të lidhur me hurin e vogël. Ky mister do të rishfaqej vetëm një ditë kur u gjenda mes shokëve, të cilëve u kish bërë përshtypje kjo gjë. Vite më vonë, njoha dikë që e dinte arsyen sepse elefanti nuk ikte.

-Elefanti nuk ikën sepse e kanë lidhur me hurin qëkur ka qenë i vogël.-

I mbylla sytë dhe u përpoqa ta imagjinoja elefantin e vogël të lidhur me hurin që ngulej në tokë. Elefanti i vogël do të jetë përpjekur shumë ta shtynte hurin, ta tërhiqte dhe është munduar me gjithë forcën për ta çliruar veten, por nuk ia ka dalë mbanë.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme , ka dështuar sepse huri dhe zinxhiri kanë qenë tepër të mëdha për forcën e tij.

Elefanti, i rraskapitur nga përpjekjet për ta çliruar veten, do të ketë rënë në gjumë dhe do të jetë zgjuar të nesërmen. Të gjitha përpëlitjet e tij për të çliruar veten, ditën e dytë, ditën e tretë dhe të katërt dhe shumë ditë rraskapitëse më pas, do të kenë dështuar.

Pastaj do të ketë ardhur një ditë, një ditë e tmerrshme për elefantin tonë, që ai do të jetë dorëzuar dhe do ta ketë pranuar fatin e tij. Do të ketë menduar se është shumë i dobët dhe nuk mund të çlirohet, se nuk është aq i fortë sa për t’u çliruar dhe kurrë nuk do ta ketë atë forcë.

Elefanti i stërmadh, që shohim në cirk, nuk ikën sepse kafsha e gjorë mendon se nuk e ka forcën e duhur. Kujtimi i pafuqisë, që ai ka ndjerë kur ka qenë i vogël, është skalitur thellë në shpirtin e tij.
Dhe më e keqja është se ai kurrë nuk është përpjekur përsëri ta çlirojë veten. Ai kurrë nuk e ka vënë në provë forcën e tij përsëri.

Ne jemi pak a shumë si elefanti i cirkut ; Lëvizim nëpër botë, të lidhur me qindra hunj që na rrëmbejnë lirinë. Jetojmë me mendimin se nuk ia dalim dot mbanë të bëjmë shumë gjëra , vetëm se , shumë kohë më parë, kur kemi qenë të vegjël, jemi përpjekur, por kemi dështuar.

Ne sillemi ashtu siç sillet elefanti. Ne gdhendim brenda mendjes sonë këtë mesazh :

« Nuk mundem, nuk mundem dhe kurrë nuk do të mundem”.

Jorge heshti për një kohë të gjatë. Pastaj m’u afrua dhe u ul mbi dysheme përballë meje dhe më tha: – Kjo po të ndodh ty Damian. Ti jeton i kushtëzuar nga kujtimi i Damian-it që nuk ekziston më, nga kujtimi i Damian-it që u përpoq, por nuk ia doli mbanë.

Nëse do ta dish a ia del dot mbanë ose jo, ka vetëm një rrugë- Të përpiqesh me gjithë zemër.

– Ti je i fortë! Zinxhirët e tu janë të dobët. Dhe ti mund ta çlirosh veten tënde kurdo !

Share: