Home KRYESORE Nëse është i vërtetë pakti i fshehtë PS-PD, duhet një Forcë të...

Nëse është i vërtetë pakti i fshehtë PS-PD, duhet një Forcë të Tretë Politike…

Nga Artur ZHEJI

Nëse është i vërtetë, një lajm i rëndë vjen nga Komisioni i Venecias, ku thuhet se PD dhe PS, po negociojnë në kurriz të të gjitha forcave të tjera politike, për të ruajtur të njejtin Ligj Zgjedhor, që favorizon dy partitë më të mëdha, e pra PD dhe PS.

Në këtë mënyrë Partia Demokratike, sepse është e paditur apo e dorëzuar, po garanton fitoret e njëpasnjëshme të PS, duke prerë, apo duke vështirësuar rrugën, për partitë më të “vogla”, që në të vërtetë, janë të vetmet që mund të ndryshojnë peshoren politike në Shqipëri, në favor të Opozitës dhe rotacionit të pushtetit.

Përtej retorikës agresive të foltoreve, strategjia e numrave në terren është edhe më e rëndësishme, nëse kjo betejë, së pari morale dhe taktike, është dorëzuar, atëhere, përtej pështymës së ulurimave aktoriale, PD, ka Zero shanse për të ardhur në pushtet, nga energjia e saj e mëvetshme.

Në Tregun e Zi, të marrëveshjeve të nëndheshme, kjo do të ishte e turpshme, nëse nuk është kështu, zyrtarisht, PD duhet të përgënjeshtrojë këtë negociatë larg syve të botës, që do të prodhojë një marrëveshje, me gjoja bekimin e ndërkombëtarëve.

Gjithë këto dyshime të arsyeshme, duke parë gafat e strategjisë zgjedhore të PD, vetëm 1 vit më parë, përsëritja e tyre, në një formë ose tjetër, është një biznes i orkestruar dhe jo frut i një paditurie apo diletantizmi politik, i kupolës së PD.

Por gjithësesi, lindja dhe zhvillimi i forcave të reja politike, është një domosdoshmëri egzistenciale për politikën shqiptare. Tashmë janë me mijëra, djemtë e vajzat e shkolluara në Perëndim, që kanë një nivel shumë më të lartë se mesatarja tmerrsisht e ulët e politikëbërësve kryesorë, që mbajnë në grusht kastën politike shqiptare.

Nga ana tjetër, LSI dhe partitë e tjera opozitare, duhet të kërkojnë që përpara rrëzimit retorik dhe teorik të KM-së, të ulin PD, në një Tryezë të gjerë politike ku të hartojnë një Kontratë të qartë dhe të bashkërenduar opozitare, gjë e cila nuk po ndodh akoma.

Kryemadhi, ka sot, më shumë se dje, një detyrë dhe një barrë politike të pazakontë, të shndërrojë LSI, në një lokomotivë të Polit të Dytë Opozitar, e gatshme për të bërë nëse duhet, edhe Opozitën brenda Opozitës së paqartë të PD.

Sepse PD, nëse vazhdon strategjinë e marrëveshjeve të fshehta me PS, do të mbetet vetëm një kujtim i asaj që ishte, duke vijuar të shpërbëhet pazareve të fshehta.

Por, për të mirën e peshores sociale dhe politike në Shqipëri, do të ishte mirë që të mos ishte kështu…

360grade.al

Share: