Home KRYESORE Përgjimi Biba-Bianku/ Prokuroria kërkon të sekuestrojë audion e publikuar në media

Përgjimi Biba-Bianku/ Prokuroria kërkon të sekuestrojë audion e publikuar në media

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar zyrtarisht vepren penale “ushtrim ndikimi ndaj personave që mbajnë funksione publike”, për audio-përgjimin e bisedës mes nënkryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku.

Organi i hetimit ka nisur paraditen e të mërkures verifikimin për këtë çështje. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit konfirmojnë për Tv Klan se drejt portalit që publikoi bisedën është dërguar një shkresë ku kërkohet vënia në dispozicion e materialit të plotë. Pas kësaj, audio do t’i nënshtrohet një ekspertimi për të saktësuar nëse është origjinali apo ka pasur ndërhyrje.

Pasi të kryhen këto veprime hetimore, Prokuroria do të vendonsë nëse do të thërrasë për t’i marrë në pyetje dy personat që dëgjohen në audio-përgjim apo edhe emrat e atyre që përmenden aty.

Nëse nga verifikimi prokurorët do të arrijnë në përfundimin se është kryer vepra penale e ushtrimit të ndikimit ndaj personave që mbajnë funksione publike apo ndonjë vepër tjetër, atëherë do të nisë një hetim penal.

Opozita i kërkoi Prokurorisë të hetojë edhe për korrupsion Denar Bibën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, për shantazh ndaj gjyqtarit Bianku.

Sipas Lulzim Bashës, Biba e ka shantazhuar gjyqtarin duke i kërkuar që të mbështesë qeverinë në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të shtyrë shqyrtimin e çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave derisa të miratohej një ligj tjetër. Nënkryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e pranoi takimin me gjyqtarin Bianku në vitin 2014 në Strasburg, por mohoi akuzat e opozitës.

Ai kërkoi që personi që ka bërë regjistrimin ta publikojë atë të plotë, pasi pjesët e bëra deri tani publike, sipas tij e kanë nxjerrë bisedën nga konteksti./tv klan

Share: