Home KRYESORE Thaçi flet prerë: Koha e luftës ka përfunduar, as ndarje, as autonomi

Thaçi flet prerë: Koha e luftës ka përfunduar, as ndarje, as autonomi

Presidenti i Kosoves Hashim Thaçi ka deklaruar sot në një konferencë për mediat se korrigjim do të ketë vetëm pas një pajtueshmërie të dyanshme.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se ka kërkuar korrigjimin e kufirit me Serbinë, por mohon se kjo nënkupton ndarje të Kosovës.

“Në pamundësi që t’i përgjigjem interesit tuaj, kam menduar që do ishte më mirë që të kishim një mundësi të përbashkët komunikimi. Sa i përket asociacionit, marrëveshja e 2013-ës është e qartë. Dhe ajo e vitit 2015 është e qartë, marrëveshje që unë e mbështes. Të gjitha këto marrëveshje janë në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës”.

Teksa u ndal tek çështja e kufirit, ai saktësoi se bëhet fjalë për korrigjim.

“Dua të theksoi se dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore paqësore. Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe kam propozuar, pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, për korrigjimin e kufijve. Si një mundësi e vetme që ata t’i bashkohen Kosovës, kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës”.

“Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 km kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie, ndaj shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë”.

Share: