Home KRYESORE Tragjedia e Teatrit Kombëtar, skenë e akteve të tragjedisë kombëtare!

Tragjedia e Teatrit Kombëtar, skenë e akteve të tragjedisë kombëtare!

Nga Dr. Enriko Ceko.

Marr shkas nga Letra e Komisionerit Han në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar, ku përmendet togfjalëshi “Special Laë”. Ky togfjalësh në gjuhën shqipe, sipas Fjalorit të Terminologjisë së Drejtësisë, përkthehet “Ligj për disa persona të caktuar”. Pra, bëhet fjalë për një ligj që është shkruar dhe kaluar në Parlamentin Shqiptar që disa persona të kenë përfitim, në dëm të interesit publik, në dëm të pronës publike. Në fakt Shqipëria është një vend i vogël dhe prona publike tashmë ka rëndësi shumë të madhe për qytetarët e Shqipërisë, sepse pronë publike pak ka mbetur në këtë vend. Pjesa tjetër, e privatizuar më së shumti është shpërdoruar.

Pra, duket sheshit vetëm me një togfjalësh evropian, se çështja e Teatrit Kombëtar është pjesë e tragjedisë së madhe që është luajtur dhe vazhdon të luhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, është vetëm një skenë e akteve të shumta dhe të shëmtuara të kësaj tragjedie.

Disa nga aktet e shëmtuara të tragjedisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohët moderne janë:

Shkatërrimi i burimeve njerëzore
Shkatërrimi i burimeve natyrore
Shkatërrimi i burimeve financiare
Shkatërrimi i sistemit të drejtësisë
Shkatërrimi i artit, traditës, kulturës, historisë kombëtare
Etj.

Në lidhje me aktin e shkatërrimit të burimeve njerëzore faktet se në Shqipëri kanë mbetur vetëm rreth 2.7 milionë banorë, dhe këta në moshë jo të përshtatshme për punë, ndërsa në rreth 28 vitet e fundit në Greqi kanë ikur më shumë se 700.000 emigrantë shqiptarë, në Itali rreth 600.000, në Gjermani rreth 500.000, në Britaninë e Madhe rreth 500.000 emigrantë, etj dhe prirja për t’u larguar që vazhdon, tregojnë më së miri këtë.

Në lidhje me aktin e shkatërrimit të burimeve natyrore, në mënyrë mjaft enigmatike janë zhdukur rreth 90% e pyjeve, kullotat dhe livadhet janë pakësuar, rrjedhat e lumenjtë dhe zonat përreth tyre janë dëmtuar, liqenet janë mbushur me plehra, vija bregdetare është shëmtuar me ndërtime pa kriter, toka bujqësore nga rreth 700.000 ha në vitin 1990 është vetëm 300.000 ha e shfrytëzueshme, nga rreth 10 milionë bagëti të imta në vitin 1939 kemi shumë më pak, nga rreth 3 milionë bagëti të trasha kemi shumë më pak.

Në lidhje me aktin e shkatërrimit të burimeve financiare, procesi i privatizimit shkatërroi pjesën më të madhe të ndërmarrjeve publike, që edhe pse ishin në gjendje jo të mirë, mund dhe duhet të ringriheshin, dhe kjo bëri që shpejt shqiptarët të mbeteshin pa punë dhe biznesi të mos orientohej qartë në kushtet e ekonomisë së tregut. Gjithashtu, humbja e rreth 2 miliardë dollarëve në skemat piramidale, vjedhja e Thesarit në Kërrabë, vjedhja e Bankës së Shqipërisë dhe shpërdorimet atje, gjobat, taksat, vështirësitë për komunitetin e biznesit, etj, janë dëshmi e katastrofës fnanciare që është në prag, shtuar këtu edhe borxhin e lartë publik dhe deficitin buxhetor.

Në lidhje me aktin e shkatërrimit të sistemit të drejtësisë, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sjell mosfunksionimin e gjykatave të rretheve gjyqësore, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për gjyqe që kërkojnë gjykim me trupë gjykuese, që përbëjnë edhe shumicën e rasteve që paraqiten në gjykatë. Kjo gjendje të drejton nga vetëgjyqësia.

Në lidhje me aktin e shkatërrimit të artit, traditës, kulturës, historisë kombëtare po përqendrohem vetëm në disa nga skenat e këtij akti. Skena I, muzika. Ke frikë të hapësh televizorin në mbrëmje kur konsumohet darka së bashku me anëtarët e tjerë të familjes se në stacionet televizive me muzikë pjesa më e madhe e atyre që bëjnë sikur këndojnë thjesht japin shfaqje pornografie. Skena II, urbanistika dhe arkitektura. Urbanistika dhe arkitektura janë edhe shkenca edhe arte. Unë mendoj se Tirana është kryeqyteti më i shëmtuar në Evropë, sepse shumica e kullave në kryeqytet nuk ofrojnë asgjë estetike dhe të bukur nga jashtë, ndërsa nga brenda shumica e tyre në mënyrë skandaloze i kanë tualetet pa dritare dhe në mes të dhomave të gjumit kanë kolona betoni ku nëse natën ngrihesh për arsye të ndryshme, përplasesh dhe thyen kokën. Kullat janë aq pranë njëra tjetrës sa lehtësisht dëgjon ç’thonë gjitonët, ndjen erën e qepës që skuqet, shikon nga dritarja shfaqje erotike në kullën përballë, etj si këto.

Skena III, Teatri Kombëtar. Ligji favorizues për prishjen e Teatrit Kombëtar, është në vazhdën e shkatërrimit të Shqipërisë dhe të së ardhmes së shqiptarëve në këtë vend. Teatri kombëtar është ndër të paktat institucione që i rezistoi diktaturës jo thjesht në aspektin e ndërtesës, por në aspektin e ideologjisë. Tashmë, në Tiranë pothuajse nuk ka mbetur asnjë zonë e ndërtesë që mund të na tregojë të kaluarën dhe një komb që nuk respekton të shkuarën nuk e ka të garantuar as të ardhmen.

Unë po ndalem këtu dhe nuk po vazhdoj më tej me skenat dhe aktet e tragjedisë me përmasa ndërkombëtare të shkatërrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb, por ju ftoj të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që: të mbrojmë Teatrin tonë Kombëtar, sepse duke mbrojtur atë kemi mbrojtur kryeqytetin tonë, Tiranën. Nëse mbrojmë Tiranën kemi mbrojtur Shqipërinë dhe nëse mbrojmë Shqipërinë mbrojmë identitetin tonë kombëtar, mbrojmë Kosovën, Çamërinë, trojet tona në Maqedoni e Mal tëZi.

Identiteti kombëtar, kultura qytetare, arti popullor, historia e lavdishme, muzika popullore dhe qytetare e mirë, vallet e traditës, veshjet tona popullore fantastike janë të vetmet gjëra që na kanë mbetur pas këtyre 28 viteve ndryshimet të çmendura, që në dukje kanë qenë demokratike, por në fakt kanë qenë thjesht dhe vetëm disa ndryshime me natyre e strategji liberale, kryesisht për të vënë në jetë planin djallëzor të zhdukjes së kombit shqiptar.

Tashmë është koha më se e përshtatshme për reflektim dhe seriozitet në bërjen e shtetit shqiptar. Është koha më e mirë për të vënë drejtësi dhe për ta dhënë atë e për t’a kërkuar atë. Koha për progres. T’i themi NDAL regresit dhe shkatërrimit. Së bashku për një Shqipëri ku jetohet në mirëqenie dhe në harmoni midis nesh.

Share: