Home KRYESORE Vettingu, shëmtia dhe rimëkëmbja e Drejtësisë Shqiptare! Nga Elvis Zaimi

Vettingu, shëmtia dhe rimëkëmbja e Drejtësisë Shqiptare! Nga Elvis Zaimi

Fjala reformë, në çdo fushë, përfshi edhe atë të drejtësisë, përdoret si sinonim i fjalës “përmirësim”, d.m.th nëse flasim për reformë në drejtësi kemi parasysh “përmirësimin e drejtësisë shqiptare”. Në këtë kuptim, duhet pranuar si një e vërtetë aksiomatike se përmirësimi i drejtësisë shqiptare do të ketë ndodhur atëherë kur ajo të jetë më cilësore, dhe kur të trajtojë realisht qytetarët e këtij vendi në mënyrë të barabartë përpara ligjit.

Deri më sot reforma në drejtësi është zhvilluar kryesisht përmes procesit të vettingut, I cili ndonëse është parashikuar të ketë tre komponentë, verifikimin e thelluar të pasurive, integritetit të figurës, dhe aftësive profesionale të magjistratëve shqiptarë, kryesisht është zhvilluar përmes verifikimit të pasurimit të paligjshëm të kësaj kategorie të nëpunësve shtetërorë.

Ashtu siç pritej, dhe pa surprizuar askënd, verifikimi i pasurimit të gjyqtarëve zbuloi banalitetin e të keqes së sistemit të drejtësisë, në radhët e të cilit, madje edhe në nivelet më lë larta të gjyqësorit, shërbejnë individë të cilët nuk bëjnë përjashtim nga morali I përgjithshëm I shoqërisë dhe administratës shqiptare, të përfshirë në manovra ordinere për t’i krijuar vetvetes komfortin e jetës dhe të një mirëqenieje të pamerituar duke abuzuar me detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit në kurriz të drejtësisë.Pra analiza dhe diskutimi I shkaqeve se përse gjyqtarë të niveleve të larta, erdhën në vëmendje të opinionit publik duke u bërë butaforikë me justifikimet e tyre mbi të ardhurat nga qokat e sebepeve familjare, nga puna si emigrant jashtë vendit, dënimet penale të cilat ata I kishin mbajtur të fshehura, apo akrobacitë për të përfituar kredi të buta si të pastrehë, nuk paraqet ndonjë interes as intelektual, por as edhe për publikun.

Ajo që paraqet interes është “abuzimi I organizuar” me drejtësinë që ka ndodhur në radhët e gjyqësorit, madje edhe jashtë tij, në bashkëpunim “të fshehtë” me segmente të caktuara të politikës. Në këtë kuptim, procesi i vetting-ut zbuloi një fenomen tipik shqiptar, i cili kërkon të adresohet në mënyrë adekuate. Nëse në vende të tjera të botës flitet për të ashtuaquajturin “miscarriage of justice”, pra për raste individuale kur për shkak të gabimeve që kanë të bëjnë me keqzbatimin e ligjit material, procedurial, dhe të vlerësimit të provave, gjykatat kanë arritur në vendime përfundimtare të gabuara, kryesisht në lidhje me “dënimin e padrejtë të të pafajshmve”, në Shqipëri është rasti të flitet për “failure of justice”, d.m.th për dështimin masiv të sistemit gjyqësor në bërjen e drejtësisë, që konsiston në mosdënimin e fajtorëve realë, dhe në dënimin e pamerituar të shumë të pafajshmëve.

Kjo domethënë se, procesi gjyqësor penal, i cili luhatet ndërmjet dy objektivave madhorë; atij të respektimit të procesit të rregullt ligjor me qëllim mosdënimin e asnjë “të pafajshmi” dhe “kontrollit të kriminalitetit” duke siguruar dënimin e çdo “fajtori të vërtetë” dhe dhënë siguri për jetën në komunitet, ka dështuar sistematikisht në realizimin e të dyja këtyre objektivave. Procesi gjyqësor penal është kthyer në një parodi, ku në shumë raste “procesi I rregullt gjyqësor” dhe jurisprudenca e GJEDNJ kanë shërbyer për të nxjerrë të pafajshëm kriminelë dhe “peshq të mëdhenj” të korrupsionit, ndërkohë që drejtësia penale ka pësuar fiasko në kontrollin e kriminalitetit, d.m.th në dhënien ndaj çdo fajtori real të dënimit të merituar.

Çdo vend dhe shoqëri e qytetëruar nuk mund të pajtohet me këtë situatë, pra me dështimin e sistemit të drejtësisë në administrimin e drejtësisë penale, që d.m.th se, ndërsa sot që flasim reforma në drejtësi është një sipërmarrje e papërfunduar, kjo reformë nuk duhet të ketë objektiv të saj vetëm bërjen e drejtësisë në të ardhmen, por duhet të jetë edhe prapavështruese. Kjo nënkupton se reforma duhet të korrigjojë dhe rivejë në vend sa më shumë padrejtësitë e të shkuarës, dhe për këtë qëllim reforma nuk nënkupton vetëm ristrukturimin e metodave të qeverisjes së gjyqësorit, por edhe reformën e politikave penale dhe ndryshimin e përqasjes së faktorit njerëzor që punon në sistemin e drejtësisë.

Drejtësia penale në të shkuarën ka lënë në baltë veçanërisht shtresat shoqërore të paprivilegjuara, duke tronditur thellë besimin tek parimi i sigurisë juridike, d.m.th sistemi aktual i drejtësisë penale nuk jep garanci efektive se çdo I pafajshëm do të deklarohet i tillë dhe se çdo fajtor do të marrë ndëshkimin e merituar. Kjo është racionalja popullore që i jep besueshmëri dhe legjitimitet demokratik drejtësisë penale, të cilës sot asaj i mungon, por që duhet të jetë një nga objektivat e reformës.

Nga kjo perspektivë, me tepër sesa propagandimi në publik i ndëshkimit të gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu, ndaj të cilëve janë mbledhur të dhëna për korrupsion, më i nevojshëm paraqitet rivendosja e besimit tek shteti normativ dhe drejtësia. Gjyqtarët e korruptuar nuk suprizojnë askënd, ata janë pjesë e shoqërisë shqiptare, e zhvilluar në mënyrë oportuniste pikërisht në kushtet e mungesës së një sistemi efektiv drejtësie, të cilët vettingu I ka vendosur në një pozitë të mjerueshme pikërisht për zellin e tyre për të shërbyer. Në të vërtetë, shumica e popullit shqiptar dhe opinionit publik, ka bindjen se korrupsioni dhe pasurimi I paligjshëm I politikanëve, është shumë herë më i dukshëm dhe i përhapur sesa ai i gjyqtarëve.

Sigurisht që gjyqtarët e shkarkuar dhe të përfshirë në korrupsion duhen ndëshkuar ligjërisht, njëlloj si çdo zyrtar tjetër shtetëror që abuzon me detyrën, por mbitheksimi I korrupsionit të gjyqësorit, në kushtet e vakumit institucional të krijuar me daljen jashtë funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, dhe të një ekzekutivi të fortë dhe të mbështetur nga një mazhorancë parlamentare e plotfuqishme, rrezikon ta kthejë idenë e “vettingut” në të vetmen ide të reformës në drejtësi, pra në një ide “populiste dhe moralizuese”, duke vënë në rrezik shtetin normativ, në radhë të parë parimin e ndarjes së pushteteve.

Misioni i vettingut, si një procedurë kushtetuese disiplinuese në “rrumpallën” e gjyqësorit shqiptar, ka qenë t’i hapë rrugën reformave ndërtuese në drejtësi, duke krijuar parakushtet për ndërtimin e një drejtësie të re, me koncepte dhe mentalitet të ri perëndimor.Në këtë drejtim hapi i parë dhe më i logjikshëm, është rishqyrtimi i të gjitha vendimeve të dhëna nga gjyqtarët e shkarkuar, duke evidentuar të gjitha ato vendime që “ofendojnë sensin e drejtësisë”.

Gjithashtu, duke mbetur në domenin e politikave reformatore dhe jo të argumentave teknike mbi parimin e gjësë së gjykuar apo të pafajësisë, është imperative që “shkelja me këmbë” që i kanë bërë idesë së drejtësisë vetë gjyqtarët e korruptuar të korrigjohet sa më parë. Shqipëria duhet të miratojë një ligj të posaçëm për rishqyrtimin kritik të të gjitha vendimeve penale për krimet e rënda dhe korrupsionin që kanë tronditur ndërgjegjen e këtij vendi, dhe mbajnë peng progresin e tij. Koncepti i ‘miscarriage of justice”, pra i gabimeve gjyqësore është një fenomen gjerësisht I pranuar në juridiksionet perëndimore të viteve të fundit, duke ndërtuar edhe mekanizma institucionale për korrigjimin e tij. Rasti i Shqipërisë, siç pranohet gjerësisht si një vëzhgim kyç sociologjik, prezanton një fenomen më akut, atë të dështimit masiv të drejtësisë penale në përmbushjen e misionit të saj në shoqëri.

Pra është krejtësisht legjitime ideja, pavarësisht kompleksitetit dhe delikatesës në vënien e saj në zbatim, se duhen rihapur dhe rishikuar të gjitha ato procedura gjyqësore penale, në lidhje me të cilat ka argumenta të mjaftueshme se si rrjedhojë e keqzbatimit të ligjit material dhe procedurial penal, jo vetëm janë dënuar padrejtësisht “të pafajshëm”, siç është rasti tipik në Perëndim, por edhe kur janë deklaruar si të pafajshëm me vendime penale të formës së prerë kriminelë dhe zyrtarë të lartë.

Kjo nuk nënkupton anashkalimin e parimit të gjësë së gjykuar apo krijimin e një shkalle tjetër gjykimi. Më së shumti, ajo duhet të përfaqësojë një “ përgjigje të jashtëzakonshme” që sistemi ligjor shqiptar duhet t’i japë pikërisht problemit të shumëpërhapur të abuzimit të procedurave gjyqësore, duke i ripërsëritur ato sa herë që arsyeja dhe sensi i drejtësisë “urdhërojnë” ripërsëritjen e tyre, dhe që burojnë nga e njëjta situate problematike që e detyroi pikërisht Parlamentin shqiptar të miratonte kryerjen e një tjetër reforme unike dhe të jashtëzakonshme, atë të vettingut.

Share: