Home KRYESORE 365…Nga Elona Caslli

365…Nga Elona Caslli

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar Deputetë të Parlamentit Shqiptar ,

Në pamundësi për të qenë përballë Jush, në një seancë parlamentare, e quaj domosdoshmëri të pashmangshme , hartimin e një mendimi të shkruar për gjithkënd që do të hyjë në fillim shtatori në Parlamentin Shqiptar , në cilësinë e një Deputeti.

Në parim një Deputet duhet të jetë një përfaqësues i popullit, i zgjedhur me votim të përgjithshëm, të barabartë, të drejtpërdrejtë e të fshehtë, i cili ka për detyrë t’u shërbejë me ndërgjegje e besnikëri interesave të popullit, çështjes së atdheut e të mbajë lidhje të ngushta me zgjedhësit e të japë llogari para tyre.

Shumë kohë më parë, kam lexuar një vëllim tregimesh nga Ivo Andric.  Njëri prej tregimeve titullohej “ Festa”.  Rrëfimi përmbante historinë e një Kryefamiljari të ndershëm, i cili përmbushte denjësisht detyrimet ndaj gruas dhe fëmijëve të tij. Zgjohej çdo mëngjes për të shkuar në punë dhe kthehej çdo mbrëmje në të njëjtën orë në shtëpi. Nuk ndalej kurrë të kthente një gotë në klub.

Në punë ishte i heshtur dhe i përkushtuar. Shkëmbente  vetëm përshëndetjet e rastit me kolegët dhe kryente me përpikmëri çdo detyrë që i ngarkohej. Në 364 ditë të vitit, jeta e këtij njeriu nuk ndryshonte.

Kishte vetëm një ditë në jetën e këtij njeriu, ku ndryshonte gjithçka  dhe kjo ishte dita që mbante numrin 365.

Çfarë ndodhte vallë në këtë ditë?  Pse ndryshonte kjo ditë nga ditët e tjera?!

Në ditën që mbante numrin 365, ky njeri zgjohej në mëngjes, shkonte në punë , kryente detyrën e tij në heshtje, por në ndryshim nga ditët e tjera , nuk kthehej në shtëpi pas pune. Ndalonte në çdo klub që ndodhej përgjatë segmentit që lidhte banesën me punën e tij. Krejt i vetëm kthente një gotë atje, i linte një bakshish kamarierit dhe para se të kthehej në shtëpi, blinte dy shishe verë dhe diçka për gruan dhe fëmijët e tij.

Familjarët ishin tashmë të mësuar me ditën e 365-të. E dinin se çfarë do të ndodhte. Ky njeri do të mbyllej me çelës në dhomën e  gjumit , do t’i pinte dy shishet e verës dhe përballë murit do të mbante një fjalim të gjatë.  Ky fjalim  imagjinar do t’u drejtohej të gjithë autoriteteve që ai i kishte mbi kokë në vendin ku punonte. Në këtë fjalim rrëfeheshin të gjitha të vërtetat, padrejtësitë, poshtërimet dhe veset që ky njeri kishte gëlltitur gjatë 364 ditëve. Me pak fjalë në ditën e 365-të ky njeri villte zemrën mbi murin e dhomës së tij.

Kur hapej shishja e dytë e verës, toni i zërit ngrihej dhe duke qenë se fjalimi përmbante emra të përveçëm dhe analizën e karakterit dhe karrierës së tyre, gruaja e shqetësuar trokiste fort tek dera e dhomës së gjumit, pasi fqinjët mund ta dëgjonin. Dhe pasi ta dëgjonin mund t’ua shpinin në vesh autoriteteve përkatëse dhe aty merrte fund gjithçka. Nuk do të mund t’i mbathnin fëmijët, t’i çonin në shkollë, të paguanin faturat.

Zëri i së shoqes që ngulmonte pas dere do ta bindte këtë njeri dhe pasi të kish boshatisur edhe shishen e dytë do ta hapte derën , do t’i merreshin mendtë, do të villte mbi dysheme dhe do të përgjumej.

E shoqja do të kthente sytë nga qielli, do t’i lutej Zotit me lot në sy që fqinjët të mos kishin dëgjuar gjë dhe të nesërmen gjithçka do të kthehej si më parë në pritje të ditës së 365-të,  vitin e ardhshëm.

Dhe kjo Zotërinj dhe Zonja të nderuara është dita e 365-të, jo përballë një muri të bardhë e të zbehtë, jo pas dy shishesh verë dhe mbi të gjitha jo me frikën se dikush po më lexon apo më dëgjon, por përballë çdo deputeti në Parlamentin Shqiptar që është as më pak e as më shumë veçse përgjegjës i drejtpërdrejtë për çka ndodh në këtë vend.

Do doja ta filloja me Ju. Zonja Monika Kryemadhi, duke qenë se para pak ditësh u përballa me një video në të cilën , të rinjtë e Shqipërisë, «  stërviteshin »  përmes një recitimi aspak etik dhe pa kurrfarë përmbajtjeje për të rrëzuar qeverinë.

Tek të «  stërviturit » kishte dhe fëmijë, që përsërisnin mekanikisht atë çka u diktonte individi që mbante në dorë mikrofonin.

Zonja. Kryemadhi të rrisësh një fëmijë para kohe, është njësoj si të dënosh dikë për një krim që nuk e ka kryer.

Ju ftoj t’i thërrisni ndjenjës së mëmësisë dhe të mos e gjymtoni rritjen e natyrshme të fëmijëve shqiptarë.

Njëkohësisht, do të doja të ndalesha edhe tek elementi moshë i deputetëve në Parlament.

Në lëvizjen tuaj Zonja .Kryemadhi është një individ që quhet Kejdi Mehmetaj. Nuk e njoh personalisht individin në fjalë, por mund të them se kur u njoha me faktin se në mandatin e saj të parë ishte vetëm 19 vjeçe, u shtanga nga habia. A mundet Zonja . Kryemadhi që një 19-vjeçare të përmbushë siç duhet detyrën e saj si Deputete në Parlamentin Shqiptar ?

Ndoshta ,Ju do të përgjigjeni se të rinjtë duhen mbështetur dhe kandidimi i vajzës në fjalë, nuk është veçse provë e mirëfilltë e kësaj mbështetjeje. Dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë….

Ju jeni e martuar dhe keni tre fëmijë. Nuk e di me saktësi se cili prej tyre është më i madhi , por le të hamendësojmë për një çast të vetëm se djali Juaj i ka mbushur të 19-tat.

Në çdo shtëpi, ka një individ që kujdeset për buxhetin e shtëpisë dhe zakonisht përzgjidhet ai individ që ka një marrëdhënie të  përgjegjshme me paranë, ose e thënë ndryshe që nuk është dorëlëshuar.

A do t’ia besonit djalit Tuaj , administrimin e të ardhurave familjare Zonja. Kryemadhi ?!

Nëse vendosni të  krijoni një raport të drejtë me të vërtetën, jam tejet e sigurt se përgjigjia do të jetë “jo”.

E pra,  Zonja. Kryemadhi, kur një 19 vjeçari nuk mund t’i besohet administrimi i të ardhurave mujore të një familjeje, a më thoni vallë, mbi cilin rrafsh logjik mund t’i japim statusin e deputetit?

Unë mendoj se edhe Qeveria nuk është gjë tjetër veçse një familje e madhe Zonjë.

Ju kam ndjekur në revoltën ndaj Kryeminstrit në detyrë Z. Edi Rama.

Në cilësinë e një gruaje shqiptare ose të një qytetareje shqiptare , ndiej të nënvizoj faktin se nuk ndihem e përfaqësuar as nga Ju dhe as nga Zoti Flamur Noka.

Trajtat primitive të dhunës kundrejt kujtdo Zonjë, përfaqësojnë vetëm vullnetin Tuaj personal, por kurrsesi vullnetin e shqiptarëve.

Në vijim fjala ime do t’i adresohej Kryetarit të Opozitës Zotit. Lulëzim Basha…

Zoti Basha, në kontekstin e ngjarjeve që lidhen me çështjen e Teatrit Kombëtar, ka dy qëndrime të opozitës të cilat janë skalitur thellë në kujtesën time…

Keni qenë i pranishëm në një nga ditët e protestës në Sheshin e Teatrit Kombëtar, Ju dhe disa deputete të Opozitës.

Nëse do të keni qenë i vëmendshëm, pashmangshmërisht do të keni lexuar mosbesim tek të pranishmit.

Dhe ky mosbesim nuk është vetëm ndaj Jush, por shfaqet haptazi çdo herë që një politikan shfaqet në atë shesh. Është pasqyrim i kulluar i besimit që ka çdo qytetar i ndershëm tek Pushtetari i tij.

Mbajtët një fjalim për të cilin nuk ndiej se duhet të paraqes ndonjë koment. Komenti im do të përqëndrohet me atë që ndodhi pas fjalimit.

Qëndruat pak minuta në shesh dhe më pas u larguat. Nuk gjykoj largimin tuaj, i cili mund të ketë qenë rrjedhojë e angazhimeve të tepërta, por gjykoj largimin e një morie njerëzish , që u larguan bashkë me Ju.

Protesta e Teatrit nuk fillon dhe nuk mbaron me praninë e një Pushtetari Z. Basha.

Qëndrimi i dytë opozitar për të cilin do të doja të shprehesha, ishte qëndrimi që opozita mbajti ditën e votimit të projektligjit për Teatrin Kombëtar.

U mblodhën shumë njerëz përballë Parlamentit në atë ditë zhuritëse Korriku. Qëndruan deri në orët e vona të mbrëmjes.

Në prag mesnate Z.Basha asnjë përfaqësues i opozitës, nuk erdhi qoftë edhe për të  shkëmbyer një shtrëngim dore me  të gjithë ata qytetarë që protestuan nga mëngjesi në mesnatë. Me ata qytetarë të cilët po dëshmojnë dita-ditës se janë Opozita e Mirëfilltë në këtë vend.

Dhe së fundmi  do të doja ta përmbyllja me Ju. Z. Kryeminstër…

Pushteti është kërcënim i pandarë te pragu për atë që e ka , mund të bëhet qift që qorron, zjarr që verbon, magji që deh, fuqi që deformon , tjetërson , rregjon krejt këdo që s’di ç’të bëjë me të , përveçse të jetojë për të, herët a vonë e kthen në skllav të rrezikshëm , të dëmshëm, të papërmbajtur e të paarsyeshëm.Kam përshtypjen që, sa ç’është pushteti që zotëron . po aq është edhe kërcënimi i robërisë prej frikës së humbjes së tij. E kam njohur atë frike si këshilltarin me të keq………..”
   Edi Rama- Kurban – Faqe 41

Kështu do të shpreheshit Ju Z. Kryeministër mbi marrëdhënien me Pushtetin në faqen  41 të Librit tuaj  të titulluar ‘’ Kurban”.

Në sheshin e Teatrit Kombëtar , dikush tha:

“ Të gjitha qeveritë gjatë 27 viteve në Shqipëri kanë prodhuar skandalet përkatëse. “ Qeveria e Rilindjes ka qenë më pjellorja për çështjen në fjalë.”

Pas 27 vitesh qytetari shqiptar njësi matëse për qeveritë e tij, ka numrin e skandaleve që kjo e fundit prodhon.

Një Qeveri e mirë nuk është ajo që numëron më shumë arritje, por ajo që numëron më pak skandale.

E në mbyllje të këtij mendimi të shkruar të nderuar Zonja dhe Zotërinj, duke qenë mëse e ndërgjegjshme që kam prekur vetëm sipërfaqen e dëmit që keni shkaktuar në këtë vend, dëm të cilin e keni shkaktuar me vullnet e me vetëdije të plotë, do t’ju ftoja që në seancën e ardhshme parlamentare të risillnit ndërmend vetëm mendimin që kanë patur anglezët për Shqipërinë në vitin 1916.

1916- 2018  (  Plot 1 shekull e dy vite)

” Befasues , të paparashikueshëm, skajshmërisht të larmishëm , duke u nisur nga analfabeteët gjer tek zotëruesit e diplomës se Oksfordit, ata të lënë gojëhapur, si me virtytet , po aq me cenet e tyre, për fat të keq me të spikatura.
Pështjellimi është mbresëlenës. Janë përzier personazhet më të rëndësishem me më të rëndomtit, më të errëtit me më të ndriturit, në një barazi të frikshme, si një prushanë të madhe, ku s’ dihet ç’ thëngjij do të ndizen e ç’ të tjerë do të shuhen në varësi të ernave të kohës.

Shkëputur nga Mosmarrëveshja – Ismail Kadare

Firmosur nga-

Elona Caslli

Një qytetare dosido…

Share: