Home KRYESORE Gazetarja ben me dije nje rast tjeter te ngjashem me te Xhiselda...

Gazetarja ben me dije nje rast tjeter te ngjashem me te Xhiselda Malokut

Nga Anta Mucaku

“Me njërën dorë më kapi për flokësh, tjetrën ma vuri në fyt. Më shtrëngoi fort. Mendova se po mbytesha. U mundova të çlirohesha por ishte e pamundur. Më kafshoi dorën me dhëmbë, thonjtë m’i nguli në hundë”.

Nuk është skenë e ndonjë filmi horror. Ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Elbasanit, Tiranë, në mes të ditës dhe protagoniste është një tjetër “Xhisielë”, pre e një të marri që s’pranon ndarjen.

E gjakosur në hundë, me shenjat e dhëmbëve mbetur në lëkurë, maviosur e nxirë, e poshtëruar, e turpëruar nga të gjithë ata që e panë, ajo vendos ta denoncojë në polici.
Për të parën herë gjen guximin e shkon te komisariati më i afërt.
“Po, po u binda. Isha e gjakosur, e dërrmuar, e inatosur. Të gjitha bashkë…. ‘Do të fundos’ i thashë.”

Buzëqesha vetiu kur më shqiptoi “shkova në komisariat”.
M’u duk triumfuese, luftarake, e fortë…

Por buzëqeshja më ngriu në vend, për t’ia lënë vendin një zemërimi të pamatë. Në polici ajo jo vetëm s’kishte gjetur mbrojtje por ishte tallur e përbuzur.

“Aty ishin disa policë të rinj. Nisën të talleshin. Më hidhnin fjalë me ironi: ‘Nga po vjen ti?’ ‘Po ai pse të goditi, apo kot?!’
E revoltuar u thashë se nuk kishin të bënin me ndonjë ‘vajzë rrugësh’. Doja të denoncoja ish të dashurin që për pak sa nuk më vrau. U tregova çfarë më ndodhi, edhe shenjat. Gjaku më rridhte ende…”

Oficeri i komisariatit numër 4 në Tiranë, kishte hequr më në fund ngërdheshjen tallëse nga fytyra dhe pasi kishte dëgjuar rrëfimin, i kishte thënë se ndodhej në vendin e gabuar.

“Nuk duhet ta bësh këtu denoncimin. S’të kap zona jonë”, e kishte informuar.

“Po ku duhet të shkoj ta bëj? Unë s’mund të dal nga këtu. Kam frikë. Nëse dal, e ndesh rrugës, ai më vret. Jo, jo unë nuk iki prej këtej…”

Oficeri kishte heshtur për pak. Kishte hedhur vështrimin te hunda e saj që kullonte gjak, shenjat e nxira dhe mesa duket, ishte bindur t’i merrte denoncimin.

Por teksa ishin duke përmbyllur procedurat, ai e kish’ pyetur: “Po ti je e sigurtë? Do që ta çosh në gjykatë apo thjesht t’i tërheqësh vëmendjen?!”

“Fjala ‘GJYKATË’ më trembi. Mendova seancat. Gjyqet. Kohën… ‘Unë dua që ta ndaloni. Mos më afrohet më. Mos më prekë kurrë. Kurrë më”, i thashë.

Kishte firmosur!

Priste që pas pak ai të hynte me pranga në duar por jo! Ata e kishin marrë në telefon për ta informuar se ndaj tij kishte një denoncim dhe duhej të paraqitej në komisariat e ndërsa ai u kishte thënë se ‘ishte në punë’ dhe se do shkonte pasi të mbaronte. Oficeri kishte mbyllur telefonatën duke i dhënë atij “Ok” e ndërsa kësaj i kishte thënë të largohej në shtëpi.

“Nuk dija ç’të bëja. Isha shumë keq. Nuk shkoja dot asgjëkundi ashtu si isha. Më vinte aq turp. Isha shumë e zemëruar me të, me policët, me veten…

“Moj bushtër. Po çfarë bëre moj?! Unë do shkoj tani në komisariat, po ti ku do futesh moj bushtër? Ku?!”

“I mbylla telefonin. S’dija më ç’kisha bërë. Tani kisha më shumë frikë. Më dukej sikur do më dilte para e do më jepte fund”.

Ai kishte shkuar pas pune në komisariat, ashtu siç kishte rënë dakord me oficerin në telefon dhe u kishte thënë se “ishin gjëra të vogla çifti”, që ata ishin zënë dhe herë të tjera por këtë herë atij i kishte “dalë pak vetja nga kontrolli”. Gjithsesi e kishte siguruar se ishte penduar dhe se “do i rregullonte vetë gjërat” me të. Oficeri e kishte lënë të shkojë.

Ajo nuk ishte dukur më në komisariat ndërsa atë s’e kishte shqetësuar më kush nga policia.

Prej dy javësh, nga momenti i denoncimit, ai vazhdon ta përndjekë, t’i afrohet sa herë do, e t’ia bëjë të qartë se “vetëm e vdekur ajo mund të ndahet prej tij”.

Unë nuk e di si i merr gjumi ata oficerë, njerëz të ligjit, bij nënash, burra, vëllezër të dikujt, duke ditur që lanë të shkonte atë vajzë të gjakosur, të frikësuar, të pambrojtur. Nuk e di si i zë gjumi pa e ditur se ç’u bë me të atë ditë? Po sot vallë, ç’bëhet sot me të?!

Kur kjo ndodh në mes të Tiranës, ç’mund të ndodhë me “Xhisielat” e tjera nëpër Nikël, Gosë, Novoselë, Zgosht, Vërnik… (?!)

Po ky argument idiotesk oficerash “S’të kap zona jonë” çfarë është?! Krimi nuk njeh as zona, as ndarje.
Policia e shtetit është e pafuqishme të godasë krimin.
Ajo po vret viktimën!

Policia ka harruar rendin, qytetarin, të pambrojturin, atë që fle me frikën në do zgjohet në mëngjes dhe… kur zgjohet, s’do më të jetojë!

(Shënim: Për arsye etike nuk kam publikuar gjeneralitet e vajzës por detajet në shkrim, përshirë dhe numrin e komisariatit, mjaftojnë që, nëse dikujt nga uniformat blu i ka mbetur ndopak dinjitet, të hetojë)!

Share: