Home KRYESORE “Me apo pa deputetët, Teatri nuk do të shembet”

“Me apo pa deputetët, Teatri nuk do të shembet”

Deklaratë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndërkohë që zhvillohej seanca ku u votua për dekretin e Presidentit Ilir Meta:

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Ju jeni mbledhur sot për të rishqyrtuar një dekret të Presidentit në lidhje me ‘ligjin special’ për prishjen e Teatrit. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka një kërkesë të thjeshtë ndaj jush: pranoni dekretin dhe rrëzojeni njëherë e mirë këtë çmenduri anti-kushtetuese!

E gjithë nisma e Qeverisë për prishjen e Teatrit është një nga shkeljet më të qarta të Kushtetutës së vendit tonë. Ajo synon të grabisë tokë publike e private ne mes të Kryeqytetit për t’ia dhuruar klientëve të Kryeministrit në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë asnjë qëllim përveç këtij.

Kjo situatë është shpjeguar në mënyrë të vazhdueshme e të qartë jo vetëm nga Aleanca, shkrimet e panumërta të shumë intelektualëve publik vendas e të huaj, por edhe nga dy dekrete të detajuara të Presidentit. Sot, nuk ka asnjë deputet që mund të shfajësohet duke thënë se nuk ishte i informuar për atë që po ndodhte teksa po votoni për herë të tretë për këtë problem.

Si rrjedhojë, kushdo që voton për miratimin e atij ligji famëkeq sot po bëhet haptazi palë në vjedhje kundra interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës. Çfarëdo që të bëni në pjesën e mbetur të jetës tuaj, kudo që të shkoni, me cilindo të takoheni, kjo votë do ju ndjekë nga pas! Do konsideroheni përherë si deputetët që votuat për të vjedhur popullin tuaj!

Votimi i sotshëm është i rëndësishëm për ju. Jeni ju ata që duhet të vendosni se me çfarë reputacioni dhe imazhi do perceptoheni në publik nga sot e tutje.

Për ne, votimi i sotshëm është thjesht konfirmimi i radhës se kemi të bëjmë me një qeveri të paskrupullt, jo thjesht të korruptuar, por qartazi kriminale, e cila nuk ndalet para asgjëje me qëllim kryerjen e grabitjes se planifikuar. Aleanca ka shprehur haptazi qëndrimin e saj se Teatrin do e mbrojmë deri në fund, edhe me trupat tanë po të jetë e nevojshme. Sido që të votojnë sot deputetët, rruga jonë është e qartë. Me apo pa deputetët, Teatri nuk do shembet!!!

Sot janë deputetët që duhet të vendosin në cilën anë të historisë qëndrojnë.

Mos u bëni palë me vjedhjen!
Mos u bëni palë me shkeljen e Kushtetutës!
Brezat që vijnë nuk do ua falin aq kollaj sa mund të mendoni ju./Respublica.al

Share: