Home KRYESORE SHPIFJA MUNDET VETËM DUKE E IZOLUAR

SHPIFJA MUNDET VETËM DUKE E IZOLUAR

Nga Astrit Patozi

(Ose nje sugjerim modest për gazetarët e shqetësuar nga debati që ka sajuar Edi Rama)

Nuk e kam zakon të jap këshilla, por një sugjerim do t’ua jepja, po të ma pranonin, gazetarëve të shqetësuar nga e ashtuquajtura paketë “antishpifje” e kryeministrit.
Ka vetëm një mënyrë për ta mundur Edi Ramën dhe këdo politikan tjetër në këtë fushë, gjithmonë nëse e keni realisht qëllim: injorojeni atë dhe merruni vetëm me të vërtetën!

Nuk ka rast më të mirë për t’i veçuar mashtuesit dhe për t’i nxjerrë ata zbuluar para publikut, se sa t’i lësh vetëm të grinden me njëri-tjetrin. Historia ka treguar se jo rrallë konfliktet e ashpra mes palëve kanë ndihmuar publikun për të mësuar më shumë “sekrete” të salloneve politike. Dhe këtu mbase diçka mund të përfitohet.

Nuk ka dënim më të rëndë për shpifjet dhe shpifësit sesa izolimi i tyre. Sikurse, nuk ka ndihmë më të madhe për ta, se sa të bëhesh pjesë e kënetës së tyre.

Qeveria nuk ka asnjë mundësi praktike që të ndryshojë e vetme legjislacionin aktual, ku parashikohen edhe dënimet për shpifje, sepse nuk i ka votat. Por atë nuk e pengon asgjë për të hapur një debat fals, me shpresën që të përfshihet i madh e i vogël në Shqipëri, që të harrohen apo të kalojnë në plan të dytë temat përvëluese. Dhe kjo është, as më shumë e as më pak, por ta bësh si demat, kur ndjekin bezen e kuqe të toreadorit.

E vetmja gjë që ka në dorë qeveria sot është të inkurajojë zyrtarët dhe të zgjedhurit e saj që të kunkurrojnë njëri-tjetrin me padi, gjë që mund të bëhet edhe tani, pa pasur nevojë për direktivën e Edi Ramës. Atëherë, çfarë nevoje ka që një gazetar apo opinionist të shqetësohet nga një nismë, që mund të katandiset në një udhëzim i Këshillit të Ministrave apo në një rezolutë të Asamblesë së Partisë Socialiste?

Është naive të mendosh se kryeministri sot, nesër dhe gjithë jetën do të mërzitet dhe do të reagojë me inat prej akuzave dhe sharjeve personale. Le më pastaj ta lidhësh furinë e tij me ato që thuhen dhe shkruhen çdo ditë për Taulant Ballën, Gramoz Ruçin, Arben Ahmetajn, Vangjush Dakon apo ndonjë socialist tjetër sado të rëndësishëm. Madje, nuk e teproj të them, se ai do të ishte gati të paguante gjysmën e buxhetit, që shtypi të merrej mundësisht vetëm me këtë punë.

Me kushtin që të mos thuhej asnjë fjalë për mënyrën se si ai qeveris, për skandalet dhe aferat, për korrupsionin dhe abuzimet, për paligjshmërinë, arbitraritetin dhe arrogancën e “Rilindjes”.

Shpifjet më të mëdha në këtë vend nuk janë akuzat e politikanëve për njëri-tjetrin, por mashtrimet e qeverive për krime të rënda, të ndëshkueshme penalisht dhe moralisht, të cilat i kanë shkaktuar plagë të mëdha Shqipërisë në gjithë këto vite.

Ndaj, mos ia jepni kënaqësinë kryeministrit t’ju klasifikojë si militantë, kur kërceni më fort se kundërshtarët politikë në akuza dhe në sharje kundër tij, sepse pikërisht ky është qëllimi i Edi Ramës.

Nëse doni ta dëmtoni realisht kryeministrin, ruani qetësinë dhe mbi të gjitha besueshmërinë që të jep e vërteta dhe neutraliteti. Në doni ta torturoni, lërini mënjanë emocionet dhe përqëndrohuni tek faktet dhe provat. Janë pikërisht këto armët më të forta që keni në dispozicion, prej të cilave po kërkon, jo pa sukses, që t’ju çarmatosë Edi Rama.

Ndaj mos hyni pa kuptim në garën se kush e shan Edi Ramën më shumë se Luli, se i bëni nder atij! Merita është që këtë punë ta bëni ndryshe nga Luli, sepse vetëm ashtu mund t’i dhëmbë realisht. Dhe kjo jo thjesht se atij i ka marrë dorën për ta mundur, sa herë i del përpara, por edhe pse Lulzim Basha vetë nuk ka ndonjë raport për t’u krenuar me të vërtetën.

Share: