Home KRYESORE Si të jesh një konservator. Nga Roger Scruton  

Si të jesh një konservator. Nga Roger Scruton  

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Temperamenti konservator është një tipar i njohur dhe i pranishëm në të gjitha shoqëritë njerëzore.Nuk është një gjë e rallë të jesh konservator, por është e pazakontë të jesh një intelektual konservator. Në Britaninë e Madhe dhe SHBA, 70’ e intelektualëve e identifikojnë veten e tyre si “të së majtës”, ndërkohë që kultura që na rrethon është gjithmonë e më tepër armiqësore ndaj vlerave tradicionale. Pjesa më e madhe e partive dhe lëvizjeve politike që e quajnë veten e tyre konservatore, gjenden në vendet anglishtfolëse. Dy vendet më të rëndësishme të sferës anglishtfolëse, Britania e Madhe dhe SHBA,   hynë në epokën moderne më një ndërgjegjësim të mprehtë për historinë e tyre të përbashkët.Më vonë, nëpër traumat e historisë së shekullit XX, të dy vendet qëndruan sëbashku në mbrojtje të qytetërimit që i bashkonte, madje edhe sot kur Britania e Madhe është pjesë e BE-së, fakt që ka lënë të pakënaqur popullin anglez në përgjithësi, afeksioni popullor për aleancën transaltantike ndërmjet dy vendeve mbetet i fortë, si një shenjë se të dy vendet qëndrojnë mbi themelet e diçkaje më të madhe sesa është në gjendje të ofrojë, apo edhe të mos cënojë anëtarësia në BE. Por çfarë është saktësisht kjo gjë? Në kohën e Thatcher dhe Reagan përgjigja u dha me një fjalë-për lirinë. Por kjo përgjigje kërkon edhe kontekstin e saj.Lirinë e kujt, si ushtrohet kjo liri dhe cilat janë caqet e saj, si përkufizohet ajo?

Në Amerikë, për këtë qëllim janë shkruar mjaft libra në lidhje me aktin gjyqësor mesjetar të Habeas corpus, një akt gjyqësor që lëshohej në emër të mbretit për të urdhëruar cilindo që mbante ndonjë prej nënshtetasve të tij, ta lëshonte dhe linte të lirë, ose ta sillte për gjykim para gjykatave mbretërore. Askund jashtë botës anglofone nuk gjendet një I barazvlefshëm me Habeas corpus, dhe të gjitha përpjekjet për të shkurtuar shtrirjen e tij, apo për t’ia kufizuar efektet, ndeshin në një mosbesim të përgjithshëm dhe kundërshtim të rreptë e të vendosur. Ai shpreh, në termat më të thjeshtë të mundshëm, marrëdhënien unike ndërmjet qeverisë dhe të qeverisurve, që e ka burimin dhe është zhvilluar historikisht nga common laë anglez.Kjo marrëdhënie, se qeverisja është shërbëtore e të qeverisurve, bën pjesë në flamurin e vlerave që konservatorët mbajnë lart në emër të lirisë.

Ka dy lloje konservatorizmi, njëri është metafizik, dhe tjetri empirik. I pari mbështetet në besimin tek gjerat e shenjta, dhe në dëshirën për t’I mbrojtur ato nga përdhosja apo çshenjtërimi. Ky besim është I mëshiruar në shembuj të shumtë që ofron çdo etapë historike, dhe ky besim duket se do të ushtrojë gjithmonë një ndikim të fuqishëm në punët e njerëzimit. Në manifestimin e tij empirik, konservatorizmi është një fenomen paksa më I veçantë i periudhës moderne, një reaksion ndaj ndryshimeve me shtrirje të gjerë që solli Reformacioni dhe Iluminizmi.

Konservatorizmi që unë do të mbroj na tregon se ne kolektivisht kemi trashëguar gjëra të mira, për të cilat ia vlen të luftojmë me mish dhe me shpirt për t’i mbajtur dhe ruajtur të pacënuara. Ne që sot jetojmë në situatën e trashëguar të Qytetërimit Perëndimor dhe pjesës anglishtfolëse të tij, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se cilat janë këto vlera; mundësia për ta jetuar jetën tonë ashtu si e dëshirojmë, siguria që na vjen nga ligje të paanshme, tek të cilat marrim përgjigje për ankesat dhe zemëratat që na shkaktojnë padrejtësitë,  duke u shpërblyer për lëndimet që na kanë sjellë; mbrojtja e mjedisit si një pasuri e përbashkët, e cila nuk mund të zaptohet apo shkatërrohet sipas tekave të interesave të fuqishme, kultura e hapur dhe investigative që i ka dhënë formë shkollimit dhe universiteteve tona; procedurat demokratike që na mundësojnë të zgjedhim përfaqësuesit tanë dhe të miratojmë ligjet tona. Këto dhe shumë gjëra të tjera, për ne pasardhësit e qytetërimit perëndimor, janë  familjare dhe I marrim si të mirëqena. Por të gjitha ato janë nën kërcënim. Dhe konservatorizmi është përgjigja racionale ndaj atij kërcënimi. Ndoshta një përgjigje që kërkon më shumë përkushtim sesa qytetari i zakonshëm është I gatshëm t’ia kushtojë asaj. Por konservatorizmi është përgjigja e vetme për realitetet që po shfaqen si problem të njerëzimit haptazi, dhe të cilat kanë nevojë për një përgjigje të ngutshme, aq sa unë do të argumentoj se do të ishte irracionale që për t’u marrë me to të adaptohej një përgjigje tjetër.

Konservatorizmi e ka fillimin në ndjenjën që është e përbashkët thuajse tek të gjithë njerëzit e pjekur, se gjërat e mira shkatërrohen lehtë, por krijohen me vështirësi. Kjo është akoma më e vërtetë për gjërat që  ne i trashëgojmë si pasuri e përbashkët; paqen, lirinë, ligjin, qytetërimin, shpirtin publik, sigurinë e pronës dhe të jetës familjare, ato të cilat nuk mund t’I kemi veçse në sajë të bashkëpunimit me të tjerët, pra pa asnjë mjet dhe mundësi tjetër për t’i përfituar dhe gëzuar të vetmuar. Në lidhje me këto gjëra, puna për shkatërrimin e tyre është e shpejtë, e lehtë, dhe ngazëllyese, ndërsa puna për t’I krijuar është ëengadaltë, e lodhshme, dhe kaq e mërzitshme, sa edhe mund të në topisë mendtë. Ky është një nga mësimet e shekullit të XX. Është gjithashtu një nga arsyet përse konservatorët gjenden në një disavantazh kaq të madh, kur pozicionet e tyre vijnë dhe i paraqiten opinionit publik. Pozicioni i tyre është I vërtetë por i mërzitshëm, ndërsa ai I kundërshtarëve të tyre eksitonjës por fals.

Për shkak të këtij disavantazhi në betejën retorike, konservatorët shpesh i prezantojnë argumentat e tyre me një gjuhë të përzishme. Ankesat dhe vajtimet, në gojën e tyre, marrin me vete dhe fshijnë gjithçka, njëlloj si ankesat hidhëruese dhe pikëlluese të profetit Jeremia, dhe në të njëjtën mënyrë sesi literatura revolucionare kërkon të fshijë krejtësisht botën e arritjeve tona të brishta. Por ankimi vajtues disa herë është i nevojshëm; sepse pa “punën që kryen zija” siç e përshkruan Frojdi, zemra jonë nuk mund t’I largohet gjësë së humbur, për të shkuar tej gjëja e re që do ta zëvendësojë atë. Pavarësisht kësaj, argumentat në mbrojtje të konservatorizmit nuk është e domosdoshme të shprehen me theksime elegjiake.Nuk është pra rasti të qëndrojmë për çfarë kemi humbur, por për çfarë është ruajtur dhe na ka mbetur, duke u shtrënguar dhe kapur fort pas  këtyre të fundit . Cfarëdo të jenë bindjet tonë fetare apo private, në jemi trashëgimtarët e disa vlerave positive të qytetërimit tonë, sa të shkëlqyera aq edhe tër ralla, dhe jeta politike për ne, duhet të ketë vetëm një qëllim të përbashkët madhor, të qëndrojmë dhe mbahemi fort pas këtyre arritjeve dhe vlerave, në mënyrë që t’ua lemë ato trashëgim fëmijve tanë.

Share: