Home KRYESORE FAKTI/“Kathimerini”: 2 mijë grekë pritet të shkojnë në funeralin e Kaçifas

FAKTI/“Kathimerini”: 2 mijë grekë pritet të shkojnë në funeralin e Kaçifas

Trupi i pajetë i minoritarit grek Kostandinos Kaçifas ndodhet ende në Mjekësinë Ligjore në Tiranë për t’u kryer ekspertiza e thelluar, ndërsa e ëma e 35-vjeçarit kërkon të varrosë të birin.

E përditshmja greke “Kathimerini”, në një artikull të sotëm shkruan se pikëpyetja e madhe është nëse kjo ngjarje do të shënojë një “luftë” të re të ftohtë në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje.

Sipas saj, në funeralin e 35-vjeçarit Kaçifas në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër pritet të shkojnë rreth 2 mijë shtetas grekë nga veriu i Greqisë.

“Të dhënat flasin për të paktën 2 mijë qytetarë të vorio-epirit që përgatiten të shkojnë me autobusë në Bularat. Klima në minoritetin grek është përkeqësuar, në të njëjtën kohë edhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare duket se është pushtuar nga nacionalizmi”, shkruan “Kathimerini”.

“Ekziston rreziku që marrëdhëniet greko-shqiptare të kthehen prapa 10 vjet për shkak të kësaj ngjarje”, u shpreh për të përditshmen greke historiani Stavros Ntagios.

Kurse deputeti i LSI Vangjel Tavo thotë se duhet të sqarohen rrethanat e kësaj ngjarje, për të cilën shprehet se vrasja e Kaçifas duhet të ishte shmangur.

“Një pjesë e shoqërisë është e mbushur me nacionalizëm të sëmurë që pengon përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ata ushqehen me incidente të këtij lloji. Rrethanat e ngjarjes duhet të qartësohen, para së gjithash për të qetësuar familjen dhe pastaj pjesën tjetër të komunitetit grek. Ajo që ndodhi ishte e padrejtë”, ka thënë ai për “Kathimerini”.

Për gazetën greke ka folur edhe kryetari i PBDNJ Vangjel Dule, duke komentuar banderolën “një grek i vrarë një bastard më pak” që u shfaq nga tifozët në stadium në ndeshjen Partizani – Skënderbeu.

“Nëse nuk respektojnë heroin grek të skuadrës së tyre, imagjinoni urrejtjen për pjesën tjetër të grekëve”, tha Dule për Kathimerini duke iu referuar lojtarit Panajot Pano. Panajot Pano ka qenë një lojtar i nivele të larta i të gjitha kohërave, që ka luajtur me Partizanin dhe Kombëtaren Shqiptare.

Por grupimi i tifozëve të Partizanit është distancuar nga kjo banderolë e hapur në stadium pak ditë pas vrasjes së Kostandino Kaçifas, duke thënë se nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e individëve të caktuar që nuk janë pjesë e tifogrupit të tyre/Faktor.al

Share: