Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Neranxi sulmon Omonian e Himares: Tradhetoi dhe ka shitur interesat e banorëve...

Neranxi sulmon Omonian e Himares: Tradhetoi dhe ka shitur interesat e banorëve të Himarës

Nga Nikolaq Neranxi*

Omonia bëri sot aktin tradhtar të shitjes së interesave të banorëve të Himarës!

Kur jam ngritur kundër grabitjes së pronave të Himarës, rreth tre vite më parë, pasi isha vetë një nga banorët e rrezikuar nga grabitja, kërkova që të bashkoheshim të gjithë në këtë kauzë që për ne ishte e shenjtë, të mbronim pronën dhe historinë tonë! Nuk vura kurrë asnjë filtër për asnjë banor të asaj zone, madje i ftova edhe ata që më kishin luftuar fort për vite me rradhë, edhe ata që më shkatërruan mitingun kundër grabitjes së pronave në vitin 2008. Kërkova bashkim për të fituar kauzën e pronave dhe më pas gjithsecili le të shkonte në punë të vet. Gjatë këtyre tre viteve që unë jam marrë non stop më çështjen e pronave të Himarës, kam arritur të kuptoj mirë rolin e gjithkujt në atë zonë dhe me dhimbje kam kuptuar se atyre banorëve nuk iu vinte keqja vetëm nga Rama apo Goro, por sidomos nga disa që hanin e pinin gjithë ditën me himarjotët sikur të ishin vëllezër dhe prapa shpine i shisnin interesat e tyre.

Po të mos lindte nevoja për tu bashkuar kundër grabitjes së pronave, as do më kishte interesuar fare se çfarë bëjnë Partitë apo Organizatat në Himarë dhe kush ia fut kujt. Por në këto momente, kur ne rrezikojmë grabitjen e pronave tona, siç ka ndodhur me një pjesë të mirë të zonës së Bregut, kam arritur të kuptoj mirë aktet e tradhtisë së Omonias, të cilat rëndojnë shumë në këtë situatë.

Siç e dini, Shoqata për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Kulturës dhe Historisë Himarë me Kryetar Nikollaq Neranxin, (banor mbi 500 vjeçar i zonës), e krijuar kryesisht nga banorët e Spilesë për të marrë pjesë në procese gjyqësore, e hodhi planin urbanistik të Himarës në gjyq pasi ai parashikonte prishje masive shtëpish shekullore dhe grabitje tokash pothuajse për të gjithë banorët, sepse dihet që ata nuk kanë çertifikata pronësie.

Në këto kushte, bashkia e Himarës bëri një dredhi, ajo miratoi një plan tjetër, në mënyrë që të vijojë grabitjet. Dhe kjo vjen në një kohë që na ishte premtuar nga disa ministra, se asnjë punë nuk do të fillonte pa regjistruar fillimisht pronat tona dhe pa marrë pëlqimin e banorëve për çdo punë që do bëhej. Por sot punimet kanë filluar, unë e kam treguar edhe më herët në video, janë punime në pronë private. Dhe a e dini se kush ka firmosur në emër të banorëve si të dakordësuar me planin? Përfaqësuesit e Omonias me Fred Blerin në krye! Se për sa ju kanë shitur dhe në këmbim të çfarë favori, ju banorët e Himarës mund t’i pyesini vetë, sepse përsa më përket mua, nuk e kam besuar ndonjëherë që ajo organizatë mbron interesat tuaja përderisa ju la 28 vjet pa çertifikata pronësie. Unë gjithsesi do vijoj luftën me ndihmën e banorëve, duke çuar në gjyq çdo projekt grabitqar që bëhet kundër të gjitha rregullave dhe ku për pronën time firmoska Beleri me shokë. Ne e duam zhvillimin, e duam infrastrukturën, por nuk do lejojmë që në emër të saj të grabitemi! Burrat e Himarës nuk kanë vdekur!

*Nikollaq Neranxi (Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë)

Share: