Home KRYESORE Si duhet lexuar një libër? Nga Virxhina Woolf (pjesa e fundit)

Si duhet lexuar një libër? Nga Virxhina Woolf (pjesa e fundit)

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Na nevojitet ndërkaq të zotërojmë një rezervë të pamatë energjish imagjinuese për të mësyrë të ngjiturin përpjetë drejt majave të larta dhe të thikta të poezisë. Këtu nuk gjen asnjë nga ato hyrjet grishëse, të shëmbëllyeshme me jetën e përditshme e cila na është familjare, dhe që përdor një romancier për të na tërhequr gradualisht duke synuar të na ndjellë të bëhemi pjesë e botës të krijuar nga imagjinata e tij. Këtu gjithçka është e përdhunshme, kundërshtare, e palidhje.

Por janë shkaqe të tjera dhe të ndryshme, të tilla si librat e këqinj, shqetësimi për ta vijuar frytshëm më tej udhëtimin e jetës, trandjet e herëpashershme para të bukurës, pas të çilave mbetet vetëm shtangia, si dhe impulset e pallogaritshme që burojnë nga trupat dhe mendjet tona, ato që shpesh çajnë ledhet e mendjes dhe depërtuar ndjeshmëritë tona, për të na zhytur në ato gjendje shpirtërore kur poezia kthehet në një domosdoshmëri. Pamja e një luleje gojë-ujku në kopsht do të na i ndërmendte menjëherë të gjitha ditët pranverore të lëna pas. Atëbotë sekush dëshiron përgjithësuesen, dhe jo të veçantën, gjithësinën dhe jo të imtësishmen, dëshiron të ngjitet në majën e epërme të anës së errët të mendjes, të jetë në kontakt me heshtjen, vetminë, aty ku të gjithë burrat dhe gratë pushojnë së qenuri ky Rikardi, apo ajo Ana e veçantë. Metaforat atëherë bëhen më shprehëse sesa pohimet e thjeshta.

Në këtë mënyrë, për ta lexuar siç duhet poezinë, duhet që dikush të jetë I rrëmbyer në një ngarendje entuziaste dhe e vrullshme, të përjetojë një gjendje të skajshme dhe bujare të mendjes ku mungojnë dhe ia dilet mbanë pa ato komoditete ku mbështetet, dhe që e përkrahin zhvillimin e pjesës më të madhe të letërsisë. Fuqia e letërsisë për “të na bërë-të besojmë”, força e saj reprezentative është lënë mënjanë për të parapëlqyer dhe favorizuar skajshmëritë dhe ekstravagançat.

Reprezentaçioni është shpesh i mbartur tutje, shumë larg nga gjasendi i reprezentuar, aq larg sa na duhet të përdorim të gjitha energjitë mendore për ta rrokur marrëdhënien ndërmjet, le të themi, këngës të një bilbili dhe përfytyrimeve dhe ideve që ajo këngë ngjall dhe trazon në mendje. Në këtë mënyrë, leximi i poezisë shpesh i shëmbëllen gjendjes që na krijon një rapsodi, ku rima, metrika dhe tingujt e luajnë dhe trazojnë mendjen, ashtu sikurse vera dhe vallëzimi e luajnë trupin, dhe ku leximi vijon duke kuptuar me anë të shqisave dhe jo me anë të intelektit, në një gjendje intoksikimi shpirtëror. Por pavarësisht kësaj, i gjithë intoksikimi dhe ëndja që vjen prej poezisë, varet nga saktësia e vërtetësisë së imazhit, sesa ky imazh është artistikisht i barasvlershëm së brendshmi me thelbin e realtitetit që rreket të pasqyrojë. Sado të largët dhe ekstravagantë mund të na duken disa nga imazhet e Shekspirit, të pabesueshëm dhe eterikë disa nga ato të Keats, në çastin e leximit ato duket se kanë mbërritur në kulmet dhe çatinë e pakapërçyeshme të mendimit, se janë shprehja e tij e fundme. Veçse nuk nxirret dobi nga elaborimi i kësaj çështjeje në gjakftohtësi.

Çdokush që ka lexuar me kënaqësi një poezi do ta kujtojë bindjen e atëçastme që kjo i ka shkaktuar, rikujtimet e atypëratyshme të rishfaqura, ashtu si atëherë kur ne na duket vetja se jemi tashmë duke e thënë, apo e e kemi thënë më parë në një jetë të mëparshme, të njëjtin kumt që po na e thotë Shekspiri. Është kjo bindje dhe kjo rikujtesë që e shoqërojnë përherë leximin e poezisë, duke i dhënë edhe ekzaltimin dhe intensitetin që vjen prej saj. Por të ndjekurit pas vëmendshëm me një leximi të tillë të poezisë, me ndërgjegje apo në mënyrë të pandërgjegjshme, vijon i përkujdesur nga shtrirja më e madhe dhe vigjilença më e lartë e të gjitha dhuntive mendore, të arsyes jo më pak sesa të imagjinatës.

Ne jemi gjithë kohën duke verifikuar pohimet e poetit, duke bërë krahasime të rrufeshme ndërmjet bukurisë që ai krijon së jashtmi me bukurinë për të çilën jemi të vetëdijshëm brendapërbrenda nesh. Sepse edhe më i përulti ndër nesh është i pajisur me dhuratën e fuqisë të çmuarjeve krahasuese. Edhe më i thjeshti, mjafton që ta dashurojë leximin, e ka tashmë brendapërbrenda vetes aftësinë për të pajtuar tek vetvetja, dhe për t’iu përgjigjur nga vetvetja, asaj çka i jepet nga poeti dhe romançieri. Vetëm se, sigurisht, se pasi është thënë kjo, padashur, sekreti edhe ka dalë jashtë. Sepse ky pranim, ai që ne jemi në gjendje të krahasojmë, dhe të shquajmë duke bërë dallime, na ka sjellë më tej në një pikë tjetër. Leximi nuk është thjesht dhe vetëm të simpatizosh dhe të arrish të kuptosh, por edhe të kritikosh dhe të gjykosh.

Deri këtu orvajtja jonë ishte e kufizuar deri dhe vetëm në leximin e librave, ashtu si ato i shkruan një shkrimtar. Ne u rrekëm të kuptojmë, të çmojmë, të interpretojmë, të simpatizojmë. Por tanimë, kur leximi I librit ka përfunduar, lexuesi duhet ta lejë bankon e të akuzuarve dhe të ngjitet tek ajo e rezervuar për trupin gjykues.

Ai duhet të pushojë së qenuri shoku i shkrimtarit, duhet të bëhet tashmë gjyqtari i tij. Dhe ky nuk është thjesht një ligjërim i shprehur në mënyrë figurative.Mendja duket, (‘duket” është fjala që përdorim për të shënuar gjithçka të errët që ndodh brenda mendjes) se shkon përmes dy proçeseve të të lexuarit. I pari mund të konsiderohet si leximi i dukshëm. ai që rrjedh së jashtmi përgjatë orëve dhe ditëve që e mbajnë ndër duar librin, ndërsa i dyti ai që bëhet i pranishëm më pas, ose pasleximi. Gjatë leximit të dukshëm, gjersa ende nuk kemi lexuar edhe faqen e fundit të librit, ndeshemi me shpërqëndrime dhe ndërprerje të pafundme. Mbresat e reja të lindura përgjatë leximit të dukshëm plotësojnë dhe fshijnë pa pushim njëra-tjetrën, duke ndryshuar apo zëvendësuar ato më të hershmet.

Gjykimi i lexuesit mbetet i pezulluar, gjersa askush nuk e di se çfarë ka për të ardhur më vonë. Surpriza, admirimi, mërzia, interesi, ndjekin pas njëra-tjetrën me kaq shpejtësi, saqë më së fundmi, kur ia kemi mbërritur leximit të faqes së fundit, çilido e sheh veten të mbërthyer thuajse nga një gjendje hutimi dhe shastisjeje të plotë. Është i mire libri? Apo i keq? Ç’lloj libri është ky? Sa i mirë është si libër? Fërkimi dhe emoçioni i prodhuar nga të rrahurit dhe ndeshja brenda mendjes e leximit të tij ka ngritur kaq shumë pluhur, saqë pamja jonë është e errësuar, dhe nuk na lejon t’i shohim përgjigjet e qarta të këtyre pyetjeve. Nëse na kërkohet opinioni ynë për to, nuk jemi në gjendje ta japim atë. Pjesë të librit duken në atë çast të jenë flakur tutje apo fundosur në thellësi, pjesë të tjera duket se spikasin dukshëm. duke pluskuar pa e merituar në sipërfaqe.

Atëbotë ndoshta është më mirë të nisim e të kapemi pas një tjetër veprimtarie, të jepemi pas diçkaje të ndryshme,-psh një shëtitjeje, një bisede, punimit të tokës, dëgjimit të muzikës. Libri për të çilin shpenzuam kaq shumë kohë dhe mendim, venitet për t’u zhdukur krejtësisht nga fushëpamja jonë. Por po aq papritmas, njëlloj si atëherë kur dikush beftas shkëput për një çast një kërmill nga një trëndafil, apo lidh lidhëset e këpuçëve, forma e librit shquan duke dalë nga thellësitë dhe pluskuar e plotë në kreshtën e epërme të mendimit. Njëfarësoj proçesi i pavetëdijshëm duket se ka mbërritur në fundin e tij. Detajet e ndryshme të akumuluara në vazhdën e leximit mblidhen sëbashku në harmoni, gjejnë vendet e duhura.

Libri merr një formë përfundimtare, ai shndërrohet dhe bëhet sipas rastit një kështjellë, një stallë lopësh, apo edhe një rrënojë gotike. Sekush tashmë mund ta mendojë librin si një i tërë, dhe i marrë si një i tërë libri është i ndryshëm nga sa ishte më parë, duke na dhënë një tjetërsoj emoçioni nga ai që kemi marrë duke pritur që libri të rrjedhë pjesë-pjesë, përgjatë dhe deri në fund të leximit. Simetria dhe përmasat e tij, konfuzioni dhe shfytyrimi mund të na shijojnë dhe shkaktojnë ose ngazëllim të madh ose neveri të madhe, të ndryshme nga shija apo neveria që na ngjall çdo detaj i tij, i kuptuar veçmas dhe ndarazi, jashtë të tërës.

Ndërsa mundemi tashmë ta shquajmë në mendje të plotë formën e librit, ka ardhur edhe koha e duhur për të bërë vlerësimin mbi meritat e tij, edhe pse e kemi pasur të mundur të merrnim qysh pas leximit të parë, atij të dukshmit, kënaqësinë dhe ngazëllimin më të madh, dhe edhe pse kjo mbetet e një rëndësie të dorës së parë, kënaqësia prej leximit të dukshëm nuk është kaq e thellë dhe nuk zgjat aq gjatë në kohë sa ajo që marrim kur proçesi i dytë, pasleximi, të ketë përfunduar. Në atë çast ne jemi në gjendje të mbajmë ndërmend librin të qartë, të sigurtë, dhe, deri ku ia arrijmë me përpjekjet tona më të mira, për sa na lejojnë edhe fuqitë tona më të mëdha, edhe të plotë.

Por si, do të vendosim ne mbi këto pyetje mund të pyesë dikush, nëse libri është i mirë apo i keq,- dhe sesa i mirë apo i keq është ai? Nuk mund të kërkojmë dhe presim shumë ndihmë nga jashtë. Kritikët janë me bollëk, kritika rreth librit shumoësohet pareshtur, por mendjet janë kaq të ndryshme për t’u pajtuar deri në imtësi me njëra-tjetrën, dhe nuk ka kurrgjë më shkatërrimtare sesa ta ngjeshësh me forcë këmbën tënde në këpucën e tjetrit. Kur duam të vendosim mbi një rast të veçantë mënyra më e mirë për të ndihmuar vetveten nuk është duke lexuar kritikën, por duke nuhatur tek vetvetja me qëllimin për të kuptuar sa më me mprehtësi mbresat tona, për tia referuar mandej këtë kuptim gjykimeve tona të formuluara gradualisht në të shkuarën.

Aty i gjen, në varësen e garderobës të mendjes tonë, trajtat e librave që kemi lexuar, të vendosura prej nesh pasi kemi mbaruar punë me to. Nëse ne, për shembull sapo kemi mbaruar leximin e Çlarisa Harloë, mund të shohim sesi duket forma që kemi përftuar për të ndërmend, nëse do ta krahasonim po t’i hidhnim një sy asaj të Ana Kareninës. Sakaq skicat e formave të përvijuara dallueshëm për secilin libër i qëndrojnë përbri për iu kundërvënë njëra-tjetrës, ashtu si shtëpia me muret e pjerrësuara mbajtës të çatisë dhe oxhakët shpues i qëndron përkundrejt hënës së plotë vjeshtore. Menjëherë, pas një krahasimi të tillë arrijmë të dalljmë se vecoritë e Richardson, fjalëshumë dhe i tërthortë, bëjnë kontrast me stilin e përmbledhur dhe të drejtpërdrejtë të Tolstoit.

Dhe cila ështe arsyeja e kësaj përqasjeje të ndryshme nga shkrimtarë të ndryshëm? Dhe si mund të krahasohen emocionet që na shkaktohen por i përkasin krizave të ndryshme në secilin libër? Dhe çfarë duhet t’i atribuojmë shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe çfarë Rusisë së përkthyesit? Vetëm se pyetjet që e sugjerojnë vetveten janë të pafundme. Ato degëzohen pafundësisht, dhe shumë prej tyre janë dukshëm të parëndësishme për çështjet, dhe as nuk kanë lidhje me. Prapëseprapë, duke I bërë këto pyetje dhe nga përsiatja në kërkim të përgjigjeve për to, aq larg sa e kemi të mundemi të shkojmë, ne sakaq kemi arritur të krijojmë edhe standartin tonë të vlerave për të vendosur në fund të librit që sapo kemi lexuar nëse ai I përket këtij apo atij lloji, nëse ka vlera të këtij apo atij niveli. Dhe pasi kemi mbërritur tashmë në këtë pikë, duke u mbajtur fort pas mbresave tona, jemi në gjendje edhe të nxjerrim sa më shumë përfitime për veten nga gjykimet e kritikëve të mëdhenj, Dryden, Johnson, dhe të tjerët. Vetëm kur jemi në gjendje të mbrojmë sa më mirë opinionet tona, ne mund të përfitojmë më shumë nga ato të të tjerëve.

Kështu pra, duke u përpjekur t’i përmbledh pikat kryesore ku arritëm nëpërmjet kësaj eseje-a kemi gjetur ndonjë përgjigje për pyetjen tonë, sesi duhet ta lexojmë një libër? Qartësisht, asnjë përgjigje që mund t’i bënte punë gjithkujt, por ndoshta disa sugjerime.

Në radhë të parë, një lexues i mirë duhet të besojë në drejtësinë dhe mirësinë e veprës të një shkrimtari, duke thirur në ndihmë dhe përdorur për këtë qëllim imagjinatën e tij, sa herë e gjen veten të ndërdyshur, duke e ndjekur nga afër narracionin dhe duke e interpretuar veprën në mënyrën më inteligjente të mundshme. Së dyti, ai duhet të gjykojë me rreptësinë më të madhe.

Çdo libër, lexuesi nuk duhet ta harrojë këtë të drejtë të tij, duhet gjykuar i krahasuar me më të mirin e llojit të tij. Duke e bërë këtë ai mund të sillet si aventurier, të bëjë përzgjedhje shumë të gjera, madje edhe trashanike,të jetë i vertetë në instiktet e tij, gjithsesi të jetë i gatshëm të vlerësojë edhe ato të të tjerëve. Ky është një përvijim i imi në vija të trasha, por që mund të plotësohet me shije në imtësitë e tij kur je i ngeshëm, veçse të lexuarit sipas kësaj mënyre të veçantë, e bën një lexues të respektuar nga shkrimtarët. Në të vërtetë, ndodh pikërisht që me ndihmën e këtyre lexuesve, kryeveprat të gjejnë rrugën nëpër botë.Nëse moralistët do të na kërkonin se si e justifikojmë dashurinë tonë për të lexuarin, ne mund ta përdorniim këtë si një lloj shfajësimi.

Por nëse jemi të ndershëm, ne e dimë se një shfajësim i tillë është i panevojshëm.Është e vërtetë se ne nuk marrim nga leximi kurrgjë përveç kënaqësisë, është po aq e vërtetë se edhe më i mençuri mes nesh nuk mund të thotë se çfarë mund të jetë ajo kënaqësi. Por kjo kënaqësi, sado e mistershme, e panjohshme, dhe e padobishme siç edhe është në të vërtetë- është e mjaftueshme.

Kjo sespse ajo është kaq kureshtare, kaq komplekse, kaq pafundësisht pjellore për mendjen e kujtdo që e shijon atë, kaq e gjerë për nga përshtypjet dhe domethëniet që vë në veprim brenda saj, sa më e pakta që mund të thuhetpër tëj është se nuk do të ndjeheshim aspak të surprizuar, nëse në ditën e gjykimit, kur sekretet do të zbulohen dhe të errëtat do të bëhen të thjeshta, se arsyeja përse ne u rritëm nga derra dhe u shndërruam në njerëz, përse dolëm jashtë nga shpellat, se përse flakëm përdhe harqet dhe shigjetat, u ulëm rreth zjarrit duke biseduar dhe pirë, dhe duke u ngazëllyer, se nisëm të japim për të vërfrit dhe të kujdesemi për të sëmurët, se nisëm bëmë shtroje dhe ndërtuam shtëpi, dhe ngritëm streha dhe krijuam shoqërinë mbi shkretinë dhe hedhurinat e kësaj bote, nuk është kurrgja veç kësaj; sepse ne dashuruam të lexuarin.

Share: