Home KRYESORE Arrestohet në Greqi porositësi i vrasjes së Artan Cukut (EMRI)

Arrestohet në Greqi porositësi i vrasjes së Artan Cukut (EMRI)

Është vënë në pranga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së oficerit të lartë të shtetit Artan Cuku. Burimet policore bëjnë me dije se Bledar Jambelli është arrestuar në Greqi ndërsa ishte shpallur në kërkim që në qershor të vitit 2017.

Mendohet se vrasja e oficerit Cuku u porosit dhe u krye për shkak të detyrës.

Njoftimi i plotë:

Falë bashkëpunimit ndërkombëtar, bie në praga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish oficerit të lartë të Policisë A.C.

Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë / Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier.

Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e A.C.

Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana jonë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal.

Arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Share: