Home KRYESORE Interpretimet e krizës të Maj-Qershorit 1968 në Francë (Pjesa e Pestë)

Interpretimet e krizës të Maj-Qershorit 1968 në Francë (Pjesa e Pestë)

Nga Philipe Beneton dhe Jean Touchard-publikuar për herë të parë në Revue francaise des sciences politiques, në verën e vitit 1970

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Ishte, pa dyshim, një rufianllëk politik i cili sillte edhe përfitime elektorale, t’u drejtoheshe dhe flisje francezëve në Maj-Qershor të vitit 1968 për një “sipërmarrje totalitare”, duke thirrur në ndihmë për këtë qëllim dhe tundur përpara tyre “fantazmën” e komunizmit, por zor se janë të nevojshme analiza të zgjatura për të provuar se PCF (Partia Komuniste Franceze) ishte krejt e huaj dhe jashtë çdo komploti të mundshëm të së majtës ekstreme, për arsye se ajo refuzoi ta konsideronte situatën si “revolucionare”, dhe se gjatë gjithë fazës së parë të krizës me vendosmëri luajti një rol të moderuar.

Pasi Asambleja Kombëtare kishte qenë shpërndarë, ajo hyri dhe zhvilloi një fushatë elektorale me metoda që do të jepnin rezultate tejet zhgënjyese. Duke shmangur hapjen e një diskutimi mbi këtë çështje që do t’i kapërcente kufijtë e objektit të këtij artikulli, duket se më e kuptimtë është t’i përmbahemi qëndrimit se në Maj 1968, PCF ndihmoi “objektivisht” për të mbrojtur regjimin e Republikës së Pestë, sesa të kalëronte drejtimin e energjive kontestuese kundër tij, duke marrë njëkohësisht në këtë mënyrë edhe përgjegjësinë e cilësimit të protestave si një “sipërmarrje subversive”.

Nëse përgjegjësia për komplotin nuk mund t’i mbetet PCF (Partisë Komuniste Franceze), është krejt e mundur dhe e dukshme që ajo t’i vishet Pekinit, Havanës ose CIA, ose (siç bën Francois Duprat) Gjermanisë Lindore. Këto pohime të lloj-llojshme janë interesante, por ato kanë qenë dhe mbeten hipoteza, me disavantazhin e madh se ato u njohin “sekteve” të ndryshme si anarkistët, Trockistëve Lambertstë, Trockistëve Franckistë, Maoistëve, disidentëve të vetë PCF (Partisë Komuniste Franceze), dhe kështu me radhë, një koherencë që (megjithë dukjen e jashtme), ata qartësisht nuk e patën as në Maj 1968, dhe se edhe pas Majit kjo koherencë në dukje mbeti në rastin më të mirë e brishtë, për të përdorur për të një fjalë duke u përpjekur të tregohemi sa më optimistë.

Sigurisht se, militantët e Lëvizjes 22 Mars, të JCR, të FER, të UJCml etj…luajtën, sëbashku me militantët e rrymave kryesore brenda UNEF (Bashkimit Kombëtar të Studentëve Francezë), një rol vendimtar në përhapjen e dallgëve shkumbëzuese të protestës, nëpërmjet taktikave të tyre sa të thjeshta njëkohësisht edhe shumë efektive – të tilla si “provokacione” që çonin në “repression”, demonstratave ku shfaqej solidariteti, pushtimit të ndërtesave universitare, ngritjes së komiteteve të veprimit, asambleve të përgjithshme, dhe kështu me radhë.

Por origjina e “makinës së skëtershme” të protestave kontestuese mbetet ende e errët, dhe nuk është në gjendje të shpjegojë impaktin e revoltës në mjedisin studentor, as edhe pasojat më të gjera të krizës. Në këtë mënyrë është e rëndësishme të hidhet vështrimi tjetërkund, për të kërkuar lloje të tjera të faktorëve shpjegues për krizën, të ndryshëm nga ai i teorive konspirative. (Vijon)

Share: