Home KRYESORE Kërcënimi, Presidenti dhe PD solidarizohen me Ylli Rakipin

Kërcënimi, Presidenti dhe PD solidarizohen me Ylli Rakipin

Presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike kanë dënuar kërcënimet që janë bërë në adresë të drejtuesit të emisionit “Rë paekspozuarit”, Ylli Rakapi. Në një deklaratë për mediat, Presidenca tha se z. Meta priti në një takim të veçantë z.Rakipi dhe u njoh me shqetësimet dhe kërcënimet ndaj tij për shkak të detyrës.

“Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve.

Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.

Po kështu reagoi edhe Partia Demokratike, e cila u shpreh se dënon në mënyrën më të ashpër kërcënimet që i janë bërë gazetarit Ylli Rakipi.

“Ne jemi në krah të zotit Rakipi, me të njejtën kurajo dhe vendosmëri me të cilën ai ka denoncuar vjedhjen dhe pastrimin e 30 milionë eurove nga Edi Rama, përmes një skeme ndërkombëtare kriminale.

Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit nuk është thjesht kërcënim ndaj një gazetari, por është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë sonë.
Kur krimi guxon të kërcënojë një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë vetëm një gjë: krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia.

Pavarësisht, se kush është personi që ka bërë direkt kërcënimin, autori i vërtetë është Edi Rama, frymëzuesi, ortaku dhe mbrojtësi kryesor i krimit në vend. Asnjë qytetar nuk është më i mbrojtur në Shqipëri dhe nuk do të jetë derisa Edi Rama të largohet nga pushteti”, deklaron PD-ja.

Në portalin TPZ.al shkruhet se Rakipi ka marrë mesazhe këcënuese për jetën. Këto kërcënime vijnë menjëherë pas publikimit të aferës korruptive, me tenderin e Unazës së Re dhe personave të cilët qëndrojnë pas kësaj afere.

Kërcënimet në drejtim të gazetarit, janë të formave të ndryshme. Ato janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.Lidhur me këto kërcënime, gazetari u është drejtuar organeve kompetente, shkruan TPZ-ja

Share: