Home KRYESORE Kronikë e një vjedhjeje të paralajmëruar!

Kronikë e një vjedhjeje të paralajmëruar!

Nga Gazeta Telegraf

Nga Vladimir KUMI*

Vendimi i Këshillit të Ministrave NR: 708, datë 21 /11/ 2018 “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrative të disa pronave në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë”, i gjeti të pa përgatitur banorët e Bregut të Jonit. Kishte ndodhur edhe më parë që pushteti apo qeveritë në vite të favorizonin ndërtues mafiozë në pushtimin e territoreve të veçanta të Bregut të Jonit, si rasti i Kakomesë, Jalit apo Dhralea, por kjo që po ndodh tani, as qe parë e dëgjuar e as që ishte menduar ndonjëherë. Nëse në rastet e më hershme banorët i ndenjën me dinjitet përballjes me mafie-pushtetarët dhe tronditën opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm, me të vërtetat e tyre të mëdha, këtë radhë Bregasit u gjendën të shastisur dhe para faktit të kryer, ku tokat më me vlerë dhe jo më dy-tre copë në disa dhjetëra hektarë, por gjithçka, qindra parcela nga Dhërmiu në Nivicë-Bubar, duke lënë me gisht në gojë gjithë banorët autoktonë të Bregut të Jonit. Po pse kjo mefshtësi dhe trullosje masive? Kush duhet të informojë, organizojë dhe të orientojë popullsinë e fshatrave të Bregdetit? …

Populli zgjedh përfaqësuesit e vet në qeverisje; zgjedh kryepleqësi, zgjedh këshillin bashkiak, zgjedh kryetar bashkie, zgjedh deputet. Po ku ishin apo ku janë gjithë këta njerëz të votëbesuar të Krahinës sonë? Ka vetëm një arsyetim logjik; ose janë bërë palë me vjedhjen që i bëhet popullit që i zgjodhi, ose kanë qenë syleshë dhe ua kanë hedhur.

Po çfarë ka ndodhur në fakt, që pushteti i grabitqarëve është treguar kurajë aq shumë, sa që me një vendim të vetëm arrin të përlajë gjithë Bregdetin e Jonit duke shtetëzuar gjithçka me vlerë nga Llogaraja në Butrint?! Qeveria e Rilindjes, në ndryshim nga ato të mëparshmet, duke shfrytëzuar efektet e Reformës Territoriale në kontrollin e territorit, si dhe , duke shfrytëzuar kaosin që shkaktoi kjo Reformë në komunikim dhe informim të publikut, dhe hendekut të madh të krijuar mes tyre, testoi kryesisht zonën e Dhërmiut të Bashkisë së Himarës duke favorizuar ndërtimin e disa Resorteve Turistike.

Efekti ishte befasues, jo vetëm për ndërtuesit, por dhe për qeverinë. Ajo që nuk ishte realizuar në Kakome për më shumë se 10 vjet, u realizua si me magji për dy-tre vjet në Dhralea e në zona përreth Dhërmiut. Qeveria vendore u shndërrua plotësisht në organ varësie të Qendrorit. Parimi i Subsidaritetit (niveli i qeverisjes sa më pranë shtetasve) në qeverisje, ishte asgjësuar. Misioni i pushtetit vendor humbi sensin. Autonomia vendore nuk ekzistonte më. Reforma territoriale ja kishte arritur qëllimit. Në këto kushte, qeveria e vendosur plotësisht në shërbim të Klaneve të mëdhenj të ndërtuesve, tani më të rritur e të forcuar edhe për shkak të qeverive të mëparshme, bëri aktin më të pabesueshëm për shtetasit e vet; duke dhuruar parcelimin, transferimin dhe regjistrimin si pronë shtetërore dhe vendosjen e trupit të shqyer të Bregut Jonian në tryezën e klientëve të vet.

Po si? Nëpërmjet ç’mekanizmi e realizoi Rilindja këtë proces shpronësimi, spastrimi, apo pushtimi? Nëpërmjet VKM-së 708? Natyrisht që jo. E keqja nuk erdhi për një ditë. Ajo kishte nisur që kur të zgjedhurit e Bashkisë së Himarës kaluan një mesnatë Qafë-Dërrasën dhe atë të Pilurit për të miratuar në mungesë të dëshirës dhe pranisë së banorëve, në Kuç, “Planin Rregullues të Bregdetit”. Ajo vazhdoi me mashtrimin që u bëhej banorëve që nuk kishin përfituar nga ndarja e tokës, duke i pajisur këta të fundit me akte të pa vlefshme pronësie e duke i vendosur në konflikt, jo vetëm me pronarët, por edhe me ligjin.

Ajo u konsolidua me konkluzionet e taskë-force “Hyseni” e cila skanoi gjendjen reale të pronës së Bregdetit dhe që pabesisht u përdor më pas si bazë të dhënash për ngritjen e taskë-force në bazë të vendimit 137. Vendimi Nr: 137, datë 28/ 02/ 2018 “Për evidentimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, me qëllim investimin në turizmin bregdetar”. Kjo taskë-force ka vepruar në bashkëpunim të plotë me pushtetin vendor për evidentimin e pasurive shtetërore, objekte, troje, tokë bujqësore, pyll, livadh, kullotë etj, në të gjithë Vijën Bregdetare të Jonit dhe deri në 1.5 Km.

Largësi nga deti. Se sa shtetërore janë pasuritë e zgjedhura nga kjo taskë-force, këtë më mirë se kushdo e din banorët e Himarës, Vunoit, Dhërmiut, Piqerasit, Lukovës, Shën-Vasilit, Nivicës. Por a ka dorë pushteti vendor në këtë shpronësim masiv të banorëve nga të cilët është zgjedhur? Natyrisht që ka gjysmën e mos më tepër, jo vetëm për ato veprime vasaliteti që sipërcitova, por edhe për faktin që kjo VKM-ja kërkon në mënyrë taksative të shprehet me mendim për të gjitha pasuritë që janë në territorin administrativ të saj, qofshin këto në pronësi apo në administrim në pikat apo nenet 5-6-7 të saj.

A është shprehur me mendim pushteti vendor i Bashkisë Himarë për pronat e veta dhe të qytetarëve të vet? Natyrisht që them se po, nisur nga fakti që e ka për detyrë, këtë ja kërkon edhe ligji, edhe VKM-ja, ndaj them se është shprehur. Është pyetur Këshilli Bashkiak, apo është shprehur vetëm kryetari i bashkisë dhe specialistët e administratës? Këtë duhet ta sqarojnë banorët në këshillin, organin e vetëm vendimmarrës për tjetërsimin apo transferimin e pasurive.

E, nëse të gjithë janë molepsur e kanë vënë sadopak dorën në këtë mega-vjedhje, vetë ata që i besuan e i zgjodhën me të drejtën e sovranit, duhet të shkojnë në institucion e t’i detyrojnë të nënshkruajnë vendimin e anulimit, natyrisht, nëse i gjetën pasi ka gjasa që këtë radhë mbledhja e këshillit bashkiak do të zhvillohet në Qafë-Llogara dhe herën tjetër, ndoshta në Qafë- Koshovicë…Pse?!

* Ish-kryetar i komunës së Lukovës së Bregdetit

Share: