Home KRYESORE Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të protestave…

Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të protestave…

Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të protestave të studentëve… Ajo e sindikatave të hidrokarbureve në lidhje me pagat me rritjen e çmimit të naftës, e sindikatave të infermierëve për pagat e ulëta dhe kushtet e vështira në sistemin shëndetësor, apo të tjerë grupe interesi si minatorët dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilët do të reagojnë në ditët në vijim me pakënaqësitë që ata kanë, në përmbushje të kërkesave ekonomike dhe të drejtave legjitime të mohuara.

Kryeministrit Rama i ka dalë situata nga kontrolli. Ai e ka të pamjaftueshme kohën për t’i dhënë zgjidhje gjendjes së krijuar jo vetëm për shkak të arrogancës, mënyrës dhe mendësisë autoritariste të qeverisjes, por edhe për faktin se u gjend në befasi dhe i papërgatitur përballë këtyre zhvillimeve që u shfaqen krejt papritur. Të gjithë shqiptarët panë dhe ndoqën me zë dhe me figurë, drejtpërdrejt, në një shfaqje groteske në një prej televizioneve kombëtare kryeministrin e vendit, të përçartur, të zbehtë, të tensionuar dhe gjysëm i dorëzuar, i cili përpiqej të lektronte “qetësisht” me një retorikë dhe tone të ulura ofertën për kompromis, që nënkuptonte zgjatjen e dorës, sjellje kjo e pazakontë për natyrën e tij.

I vënë përballë një auditori me një skenografi dhe pjesëmarrje të përzgjedhur, ai monologonte duke u shfaqur emocional dhe i paduruar, duke ndërprerë shpesh bashkëbiseduesit në studion që vetë i kishte thërritur ti dëgjoj. Hera herës, tregohej imponues dhe këmbëngulës për të bindur studentët se, në parim ishte dakord me kërkesat e tyre, por që në fakt, ishte i paqartë nëse ato do të mund të konkretizoheshin dhe materializoheshin prej tij apo jo…!?

Dhe pikërisht, kjo është arsyeja përse studentët që në fillim të herës u treguan intuitiv dhe skeptik, njëkohësisht edhe të mençur e të kujdesshëm, nuk kanë zgjedhur të identifikohen me një përfaqësi të tyre, por të gjithë së bashku në bllok dhe njëzëri, i refuzojnë negociatat me qeverinë dhe nuk pranojnë të bashkëbisedojnë me të.

Ata e ndjejnë dhe i druhen manovrave të kalkuluara në perfeksion, lëvizjeve spektakolare të paparashikuara që kryeministri mund të bëjë me ta gjatë këtij procesi “bashkëbisedimi”, ndoshta edhe për ti manipuluar, sepse në fakt, ka precedentë të mëparshëm dhe të njohur në historinë e protestave në Shqipëri. Kështu ka ndodhur në këto 28 vite me të gjitha qeveritë.

Nga ana tjetër, vetë studentët janë të vendosur në kërkesat e tyre duke mos i bërë asnjë lëshim qeverisë për tetë pikat e panegociueshme që ata kanë parashtruar, dhe për këtë, ata deklarojnë se protestat e tyre do të përshkallëzohen nëse injorohen prej saj.

Është pothuajse e njëjta situatë që ndodhi së fundmi në Francë, ku protestuesit nuk pranuan të negocionin dhe as të bashkëbisedonin me presidentin e tyre Macron. Ky i fundit, i ndodhur përballë një presioni dhe revolte që dita ditës po merrte përmasa të frikshme, u tërhoq pa kushte, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e protestuesve.

Në një komunikim publik 11 minutësh me popullin francez, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, deklaroi anullimin e vendimit për rritjen e taksës së karburanteve, që çoi në një valë protestash të përgjakshme në Francë. Ai premtoi rritjen edhe të pagës minimale me 100 euro për vitin 2019 e në vazhdim. Vendimi i tij i fundit, tashmë do t’i kushtojë buxhetit të Francës jo pak, por 10 miliardë euro.

Në kontrast me homologun francez, zoti Rama, përmes sofizmave të artikuluara bukur dhe me shumë art gojëtarie, ka zgjedhur të luaj kungulleshkën dhe të mos lëviz nga pozicioni i tij. Në gjithë këto ditë, ai ka pushtuar hapësirat mediatike prej orësh të tëra, përfshi edhe komunikimin e drejtpërdrejtë publik me protestuesit prej më shumë se 120 minuta nga zyra e tij përmes ERTV, përcjellë në mediat elektronike dhe rrjetin social facebook, ku e gjithë retorika që artikulonte, sillej në një rreth vicioz që nuk po i dukej fundi se ç’farë donte të thoshte, duke mos i dhënë asnjë zgjidhje adekuate situatës së krijuar. Në fakt, qysh në krye të herës, kryeministri e kishte mundësinë dhe shansin, të gjithë kohën e mjaftueshme për të reflektuar dhe arsyetuar në këto vite të drejtimit të vendit, për të dëgjuar, konsultuar, vlerësuar e dialoguar me qetësi dhe seriozisht jo vetëm për hallet dhe shqetësimet e studentëve, por edhe për të konsideruar zërin qytetar, atë të grupeve të tjera interesit për të gjitha problemet dhe shqetësimet që ata kanë.

Të qeverisës me arrogancë e mendjemadhësi, duke shpërfillur dhe injoruar me cinizëm interesin publik (që është një atribut ekskluziv i sovranit që të ka zgjedh), është një shaka që nuk mund të përtypet lehtë, është një lojë e rrezikshme për çdo pushtetar që kthehet në sundimtar autokrat, i cili në verbërinë e tij të gjithëpushtetshme, mendon se ka fuqinë e demonit dhe e ndjen veten ZOT dhe i paprekshëm…!

Protesta e studentëve në vetvete, nuk është vetëm një revoltë e pakënaqësisë dhe e kushteve të vështira ekonomike që ata kanë, e jetesës mizerabël nëpër konvikte, e tarifave të larta të shkollimit të tyre, e korrupsionit të bordeve dhe senateve dhe e mitmarrjes në universitete. Është shumë më tepër se kaq! Është protesta e lakut të varfërisë që qeveria ia ka hedhë në qafë popullit duke e rrjepur deri në qindarkat e fundit. Është protesta e prindërve, baballarëve dhe nënave, e gjysheve dhe gjyshërve, e motrave dhe vëllezërve të tyre, e cënimit flagrant të lirive dhe të drejtave themelore që u janë shkelur e nëpërkëmbur hapur qytetarëve të këtij vendi, për një jetë të dinjitetshme, për të cilat, fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur të dëgjohej klithma e vuajtjes dhe zëri i tyre i protestës së përditshme, prej verbërisë dhe shurdhërisë, arrogancës së pushtetit të një qeverie luksokrate e kakistokrate.

Kjo që po ndodh sot, është protesta më e pastër dhe më frymëzuese për çdokënd që i njeh dhe i çmon vlerat e lirisë dhe të drejtësisë sociale, është shpirti i lirë, i bukur dhe i vërtetë i një gjenerate potencialisht krijuese e novatore, është preludi i çeljes së një faqe të re të një Shqipërie që i përket të ardhmes evropiane, kundër një të shkuare dhe të tashme nepotike jo meritokrate, kundër një sistemi shoqëror pa sistem vlerash, e vjetruar dhe e kalbëzuar prej krimit dhe korrupsionit politik dhe administrativ. Studentët, sot janë grupimi më i madh komunitar që gëzojnë simpatinë dhe respektin e të gjitha shtresave të shoqërisë, ngase ata janë të pastër si kristali, janë të zhveshur nga të gjitha interesat e ngushta, prej komplekseve të inferioritetit, hipokrizisë dhe meskinitetit që i prodhon një shoqëri e denatyruar dhe e degraduar nga një politikë e bërë pisë dhe e korruptuar.

Ndaj, të dashur studentë, sot, të gjithë ju keni marrë një barrë të madhe mbi supet tuaja, keni nisur në udhë te re, drejt një destinacioni pa kthim. Mos lejoni të përdoreni politikisht, shtrëngoni fort njëri tjetrin dhe çojeni deri në fund kauzën tuaj të drejtë. Askush nuk do të ketë fuqinë ta zhbëjë atë që sapo keni nisur.

Askush nuk do të mund të shuajë dritën e shpresës së madhe që do të ndriçojë mendjen dhe të ardhmen tuaj të sigurtë, gjithmonë nëse ju do të rezistoni deri në fund të vendosur! Zoti e Bekoftë Rininë Shqiptare…!

Nga Ilir ÇUMANI

/Agjensia e Lajmeve Sot News

Share: