Home KRYESORE Qeveria gjermane i hap dritën jeshile emigrantëve, miratohet ligji i ri

Qeveria gjermane i hap dritën jeshile emigrantëve, miratohet ligji i ri

Gjermania e etur për fuqi punëtore vendosi të zbusë rregullat e emigracionit për të tërhequr më shumë punëkërkues të huaj dhe për të rigjallëruar forcën e saj punëtore të moshuar, pavarësisht rezistencës në rritje të publikut ndaj të ardhurve të rinj.

Kabineti i Merkelit miratoi një ligj të ri emigracioni që sidoqoftë duhet ende të marrë dritën e gjelbër të Parlamentit vitin e ardhshëm, me gjasa me pak ndryshime.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, e cilësoi vendimin e kabinetit për ligjin e parë të emigracionit, historik. “Është e vërtetë që sot është një ditë historike sepse po lëmë pas një debat ideologjik të më shumë se 30 viteve mbi ligjin e emigracionit dhe sepse ne po propozojmë një ligj që adreson të gjitha problemet emergjente të vendit tonë dhe është në gjendje ti zgjidhë ato”, tha ai.

Ligji i ri synon të tërheqë punonjës të huaj, të aftë, me njohuri të gjuhës gjermane, përfshirë edhe ata nga jashtë Bashkimit Evropian dhe premton lehtësim të procedurave të vizave për ta.

“Na duhet fuqi punëtore nga vende të treta për të garantuar prosperitetin tonë dhe për të qenë në gjendje të mbushim boshllëqet”, tha ministri i Jashtëm, Horst Seehofer.

Punëkërkuesit si kuzhinierët, punonjësit e metalurgjisë apo teknikët IT do të lejohen të vijnë në ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian për të paktën 6 muaj, kohë gjatë të cilës do të përpiqen të gjejnë një vend pune, nëse ata do të mund të financojnë qëndrimin e tyre.

Një masë tjetër që edhe ka ndezur polemika, do t’i lejojë rezidencë të përhershme disa azilkërkuesve të refuzuar në Gjermani, që tani marrin status emigranti ekonomik. Por, për tu kualifikuar, ata duhet të kenë pasur një punë me kohë të plotë prej 18 muajsh, të flasin gjermanisht dhe të jenë të mirëintegruar pa rekorde kriminale./opinion.al

Share: